Ndërlidhjet

I.KASTRATI: AKM-JA KRIJOI PASIGURI NË SISTEMIN EKONOMIK TË KOSOVËS


Ismail Kastrati, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, pronarët e 23 ndërmarrjeve të privatizuara përmes raundit të tretë, kanë vendosur të ngrejnë një aktpadi kundër Agjensisë Kosovare të Mirëbesimit, për shkak të vonesës së nënshkrimit të kontratave për bartjen e pronësisë. A mund t’i shpjegoni më hollësisht pasojat e kësaj vonese?

ISMAIL KASTRATI
Pasojat ngërthejnë në vete shumë probleme me të cilat përballen ndërmarrjet pjesëmarrëse në tender, përkatësisht fituesit e tenderëve. Të gjithë ata kanë obligime ndaj punëtorëve (20% për punëtorë), kanë obligime ndaj partnerëve, përkatësisht aksionarëve, kanë obligime edhe ndaj bankave ku kanë marrë kredi për të mbuluar depozitin e kërkuar. Normalisht se kanë obligime edhe ndaj partnerëve afaristë, qoftë në aspektin e plotësimin të kërkesave të tyre për mallëra të caktuara, por kryesisht problemet janë të natyrës së fillimit të zhvillimit të atyre ndërmarrjeve, rikonstruktimet e tyre dhe hapjen e mundësive për tregje të reja. Të gjitha këto probleme i kanë ngarkuar ato ndërmarrje, i kanë ngarkuar edhe bankat tona dhe krejt ekonominë e Kosovës. Me një potez të AKM-së, praktikisht janë hequr 25 milion Euro nga qarkullimi, ndërsa këtyre ndërmarrjeve nuk u është krijuar shansi që ato t’i realizojnë të drejtat e veta, të jenë titullarë të pronës private, për të cilën ato kanë investuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, çfarë në fakt mund të bëjë Agjensia Kosovare e Mirëbesimit për të zvogluar problemet që ju i përmendni?

ISMAIL KASTRATI
Agjensia duhet t’i kryejë detyrat e veta sipas rregulloreve të veta, praktikisht, të nënshkruajë kontratën që të transferohet e drejta e pronës atyre, të cilët janë fitues të tenderëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjithashtu keni akuzuar edhe Qeverinë e Kosovës për mosshfrytëzimin e pranisë së saj në Bordin drejtues të AKM-së. Sipas jush, si është dashur të shfrytëzohet kjo prani?

ISMAIL KASTRATI
Në një deklaratë kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, zoti Bahri Shabani, më 12 të këtij muaji, thotë se anëtarët e Bordit të AKM-së nuk kanë qenë këmbëngulës në ristartimin e proçesit të privatizimit dhe se nuk kanë qenë të gjithë të një mendimi. Prandaj, ne këtë dukuri e kemi kritikuar, meqë mendojmë se anëtarët e Bordit, të qeverisë, duhet të jenë të një fjale, ta kenë qëndrimin e qeverisë pranë Bordit të AKM-së, e jo të dalin me mendime të kundërta ose të abstenojnë, etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, është folur se këto 23 ndërmarrje do të ngrejnë aktpadi ndaj AKM-së. Kur mendoni ta ngrini aktpadinë?

ISMAIL KASTRATI
Aktpadia me siguri se do të ngrihet, por kur do të ngrihet nuk e kemi theksuar, sepse ato padi do të ngrihen si individualisht ashtu dhe të gjitha ndërmarrjet përnjëherë, për fitimin e humbur dhe problemet e tjera, të cilat u janë shkaktuar këtyre ndërmarrjeve edhe në imazhin e tyre. Përveç të tjerash, ka nevojë këtu që të theksohet se me këtë potez të AKM-së është krijuar një pasiguri juridike në krejt sistemin ekonomik të Kosovës dhe në krejt mundësitë e tërheqjes së investitorëve të jashtëm ose stabilizimin e investitorëve aktual.

Intervistoi: Bekim Bislimi



XS
SM
MD
LG