Ndërlidhjet

MOORE: SERBIA ENDE LARG DEMOKRATIZIMIT


Patrick Moore, analist i Evropës së Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, hulumtimet e fundit thonë se zgjedhjet presidenciale në Serbi do të dështojnë. Nëse do të ndodhë kjo, ky do të ishte dështimi i tretë. Çfarë mendoni ju?

PATRICK MOORE
Në fakt ato nuk janë shumë të rëndësishme. Kjo për dy arsye: së pari këto zgjedhje presidenciale u thirrën nga DOS-i me idenë e heqjes së vëmendjes nga presionet politike për të mbajtur zgjedhjet parlamentare. Dhe kjo është e rëndësishme. Pushtetin e ka parlamenti jo presidenti i Serbisë. Kjo më çon në arsyen e dytë që argumenton pse këto zgjedhje nuk janë veçanërisht të rëndësishme: ne e kemi parë Serbinë të funksionojë pa president për një farë kohe, tashmë dhe ky post është ceremonial. Personalitete si zonja Miçiç mund ta mbajnë atë si " punë të dytë", sepse puna e saj kryesore është ajo e zëdhënëses. Ashtu si u tha nga dikush kohët e fundit, nëse njerëzit në DOS dhe në poste të tjera të pushtetit, vërtet do të donin të zgjidhnin presidentin e Serbisë, ata e dinë si duhet ta bëjnë. Mund të bëjnë ashtu si malazezët, të rishikojnë ligjin elektoral, të heqin kufirin e 50 %-it dhe mund të zgjidhet një president ashtu si u zgjodh në Malin e Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, janë shpallur dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ato janë përshëndetur nga forcat opozitare. A është kjo një shenjë se DOS-i po humb pozicionet në Serbi?

PATRICK MOORE
Është mjaft e qartë se DOS-i ka humbur terren. Mendoj se vrasja e kryeministrit Gjinxhiç në mars ishte një shok, jo vetëm për DOS-in, por për të gjithë spektrin politik. Kemi parë që javët e fundit kanë ndodhur të gjitha llojet e negociatave dhe tratativave madje edhe shitje e votave në parlament. Pra, pozicioni i DOS-it sa vjen e dobësohet. Lëvizja e fundit ndodhi dhjetëditëshin e fundit me veprimin e socialdemokratëve dhe 10 vendet e tyre në parlament. Ndonëse është një parti e vogël, pa ndonjë peshë të madhe në sferën politike dhe duket se nuk do jetë në gjendje të kalojë kufirin prej 5 % të votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çështja është që kjo mjaftoi për të hequr një koalicion të dobët nga qeverisja. E shoh se zoti Zhivkoviç tha para disa ditësh që është mjaft herët të parashikosh rezultatet e zgjedhjeve. Para zgjedhjeve të vitit 2000, askush nuk mund të parashikonte krijimin e koalicionit të tanishëm, i cili u krijua dhe qeverisi për 3 vjet. Nuk jam më i sigurt për epilogun dhe mendoj se as vetë Zhivkoviçi nuk është aq i sigurt sa duket. Në një foto që pashë, lidershipi i DOS-it nuk dukej shumë i lumtur.

RADIO EVROPA E LIRË
Si reflektohen në këto zhvillime situata në Kosovë, Tribunali i Hagës dhe rrethanat e vështira ekonomike?

PATRICK MOORE
Sapo përmendët dy çështje që do të dalin në pah. Me fjalë të tjera do të përdoren për qëllime demagogjike dhe propagandistike dhe tjetra që vërtetë është e rëndësishme por do të injorohet në praktikë. Ajo që kam ndërmend është që problemet kryesore në Serbi janë varfëria, krimi dhe korrupsioni. Politikanët nuk duken të kenë zgjidhje për këto probleme. Disa analistë thonë se politikanët nuk duan të gjejnë zgjidhje për këto probleme, pasi shumë prej tyre janë të përfshirë në pazare të ndryshme dhe kalojnë mjaft mirë në kushtet aktuale, prandaj nuk duan të ndryshojnë situatën. Pra çfarë ndodh në këtë rast? Nëse ke probleme dhe nuk i zgjidh ato çfarë bën? Gjen diçka për të hequr vëmendjen e njerëzve nga këto probleme, një nga truket më të vjetra politike. Pra do ketë zëra që nuk do duan të ekstradohen 4 gjeneralët në Hagë, do të bëhet zhurmë për Kosovën se është e tyrja dhe kjo është çështje me rëndësi për Serbinë dhe do ketë politikanë të ndryshëm që do mbajnë fjalime. Sigurisht kjo nuk do të ketë asnjë efekt për qindra mijëra njerëz që jetojnë nën nivelin e lejueshëm të varfërisë, për pensionistët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, sa ka ecur sipas mendimit tuaj Serbia në drejtim të demorkatizimit të mirëfilltë dhe çfarë e pret atë nesër?

PATRICK MOORE
Më kujtohet se pasi Millosheviçi u rrëzua nga pushteti në tetor të 2000, kishte një zhurmë të madhe nga qeveritarët në Beograd, nga shokët e tyre në Budapest, Ljubljanë, etj, se sa i mrekullueshëm ishte procesi i demokratizimit në Serbi dhe si çdo gjë do të ndryshonte. Ndërsa në mars të këtij viti, me vrasjen e kryeministrit Gjinxhiç e pamë mjaft qartë sesa fals ishte ky imazh. Ka struktura mafioze të lidhura tepër ngushtë me aparatin e sigurisë dhe atë politik dhe ka diçka që nuk funksionon. Procesi i demokratizimit përveçse në mënyrë siperfaqësore, nuk ka shënuar përparimin e duhur që nga rënia e Millosheviçit. Është e vërtetë se ka gjëra të cilat ndodhën gjatë udhëheqjes së tij dhe që nuk do të ndodhin në kohën e sotme dhe nuk mendoj se duhet të shqetësohemi për ekseset më të këqija. Por problemi qëndron se nuk mund të krahasoni procesin e demokratizimit me atë që është arritur për shembull në Kroaci. Vrasja e Gjinxhiçit ishte si një shkundje ndaj kësaj gjendjeje. Më kujtohet disa vjet më parë, një gazetar serb kishte ftuar në emision historianen Llatinka Peroviç. Dhe ajo tha se ishte qeveria e Millosheviçit që shkatërroi të gjitha institucionet civile dhe qeveritare që ishin ndërtuar në Serbi gjatë një shekulli e gjysëm shteti. Sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, sistemi shoqëror dhe administrativ, të gjitha këto u shkatërruan dhe u korruptuan dhe nuk do të rindërtohen brenda 3 vjetëve. Prandaj mendoj se mbetet një rrugë e gjatë për t'u bërë, para se të flasim për ecje serioze përpara në procesin e demokratizimit, ku vriten kryeministrat.
Çfarë pres nga e nesërmja?
Mendoj se e nesërmja nuk është aq e ndritshme. Më kujtohet se para rrëzimit të Millosheviçit kishim një grup liderësh opozitarë serbë në Radion Evropa e Lirë në Pragë dhe disa prej tyre pyetën se si do të ishte Serbia pas 6 muajsh apo një viti dhe një prej politikanëve tha: ne nuk e dimë si do jetë Serbia pas 6 javëve e lëre më pas 6 muajve! Pse e tha ai këtë? Është mjaft e paqartë të shohim se si do të votojë elektorati. Opinionin im personal është që partia më e fuqishme pas zgjedhjeve të 28 nëntorit do të jetë ajo e zotit Koshtunica. Por cila do jetë përbërja e koalicionit qeveritar, si do jetë agjenda e tyre, mbetet pikëpyetje dhe nuk duhet të përpiqemi të parashikojmë, atë që nuk mund të parashikohet.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG