Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E STATUSIT- NË THELB TË ÇDO DISKUTIMI PËR MARRËDHËNIET NDËRETNIKE


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Përcaktimi i statusit të Kosovës dhe raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë ndër faktorët me ndikim për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, ka vlerësuar sot drejtori i Projektit për marrëdhënie etnike, Allen Kassof pas një tryeze mbajtur në Prishtinë në temën "Shqiptarët dhe fqinjët e tyre". Në këtë tryezë, ku kanë marrë pjesë liderë institucionesh dhe partish politike si dhe drejtues komunash, shqiptarë e serbë nga Kosova, është folur më shumë për raportet ndëretnike në nivelin lokal. Sipas zotit Kassof, është vlerësuar se afatizimi i zgjidhjes së statusit ka pasur ndikim qartësues për politikën e Kosovës e rrjedhimisht edhe për raportet ndëretnike:
"Çështja e statusit mbetet në sfondin e çfarëdo diskutimi për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, mirëpo deklarata e fundit se në vitin 2005 do të fillojë zgjidhja e statusit të Kosovës kanë pasur efekt qartësues në politikën e Kosovës," tha zoti Kassof. Ai tha se ende nuk e dinte se cilat janë gjasët për të pasur një pajtim ndëretnik në Kosovë, mirëpo, sipas tij, takimi i sotëm ishte mjaft trimërues në këtë drejtim, pasi liderët kanë diskutuar pa retorikë dhe pa sllogane.
Sidoqoftë, tha Kassof, ndikimi i Beogradit për raportet ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shqiptare dhe serbe është i dukshëm:
"Të gjithë e kuptojnë se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës dhe raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kanë një ndikim vështirë të përcaktueshëm për marrëdhëniet e brendshme ndëretnike në Kosovë," tha zoti Kassof, sipas të cilit diskutuesit kanë përmendur si pengesë edhe strukturat paralele serbe që veprojnë edhe në Kosovë. Në këtë plan, kryetari i komunës së Gjilanit, dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, zoti Lutfi Haziri, tha se ka pasur momente kur angazhimi i serbëve nuk ka munguar dhe pushteti komunal i ka afruar serbët për të pasur qasje në shërbimet publike. Mirëpo, tha zoti Haziri, ndikimi i strukturave paralele serbe ka bërë që të manipulohet gatishmëria e strukturave komunale. Në këtë kuadër, tha zoti Haziri edhe UNMIK-u i kontribuar riorganizimit të strukturave paralele serbe:
"Fatkeqësisht shumica shqiptare është e obliguar që në emër të verifikimit të regjistrimit civil në Kosovë të kërkojë dokumente nga administrata e Serbisë. Çdo dokument civil është i kushtëzuar sot që duhet të kërkojë dokument nga regjistrat civilë që janë marrë nga Kosova."
Në anën tjetër, zoti Kassof ka vërtetuar se disa diskutues kanë thënë se Serbia duhet të kërkojë falje, në mënyrë që të ndihmohen marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Ka pasur diskutime edhe lidhur me çështjen e gjerë të kërkimit të faljes, por një diskutues ka thënë se rrethanat aktuale në Serbi e ndoshta edhe në Kosovë ende nuk janë mjaft të duhura për kërkimin e faljes nga Serbia, tha zoti Kassof, në fund të kësaj tryeze, e cila është e pesta me radhë në kuadër të ciklit "Shqiptarët dhe fqinjët e tyre".


XS
SM
MD
LG