Ndërlidhjet

ROBERTSON VIZITË LAMTUMIRE NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Erdha sërish në Prishtinë që të shpreh mesazhin e fuqishëm se NATO do ta vazhdojë përkushtimin e vet në Kosovë, në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për gjithë popullatën e saj, ka thënë sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi Xhorxh Robertson, me të mbërrirë në aeroportin e Prishtinës. Robertson, i cili fluturoi në një aeroplan me shefin e UNMIK-ut nga Brukseli për në Prishtinë, tha se kjo ishte vizita e tij e fundit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që po i bën Kosovës, prandaj tha ai, gjatë kësaj vizite dua t’i falënderoj ushtarët e NATO-s që shërbyen që nga viti 1999 në Kosovë dhe krijuan këtu një mjedis shumë më të përshtatshëm për jetën e popullatës. Duke i shprehur përkrahje të plotë shefit të UNMIK-ut për politikën standardet para statusit, Robertson tha se do tu drejtojë mesazhe liderëve kosovarë, që të përqëndrohen në plotësimin e këtyre standardeve dhe ta lënë çështjen e statusit për më vonë, sepse si tha ai, me rëndësi është që të rregullohet jeta e njerëzve të Kosovës, pasi statusi, tha Robertson, nuk ua rregullon shtëpitë e as nuk ua ushqen fëmijët qytetarëve të Kosovës:
“Nuk ka arsye të mendojmë se Kosova nuk do t’i plotësojë standardet, pasi njerëzit këtu janë mjaft të dijshëm dhe mund t’ia dalin në krye që këto standarde t’i plotësojnë deri në vitin 2005”, tha Robertson, i cili edhe këtë herë bëri thirrje, që në kuadër të plotësimit të standardeve, të vazhdojë dhe dialogu i filluar për çështje praktike me Beogradin.
Ndërsa shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri, tha se pas qëndrimit të tij në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, kjo instancë e lartë botërore është pajtuar që procesi i privatizimit në Kosovë, pas ndërprerjes dhe pengesave që dolën ndërkohë, të vazhdojë sërish:
“Marrëveshja për vazhdimin e privatizimit në Kosovë është arritur duke u mbështetur në bazën ligjore dhe rregulloret ekzistuese”, tha Holkeri, duke bërë të ditur Këshilli i Sigurimit ka kërkuar që Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ndërkohë të rishqyrtojë edhe njëherë të gjitha rastet e shitjes së ndërmarrjeve për të hetuar dhe evidentuar parregullsitë eventuale. Këto njoftime, Holkeri tha se do t’ia transmetojë Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit në takimin e 21 nëntorit, kur edhe llogaritet se do të vazhdojë procesi i ndërprerë i privatizimit.
Holkeri tha po ashtu, se pas Nju Jorkut, pjesë e vizitës së tij ishte dhe qëndrimi në Bruksel dhe në Paris, ku si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga Franca, tha se ka marrë përkrahjen e plotë për politikën standardet para statusit, në mënyrë që me plotësimin e këtyre standardeve, viti 2005 të jetë kohë e përshtatshme për fillimin e definimit të statusit të ardhshëm të Kosovës.

XS
SM
MD
LG