Ndërlidhjet

ROBERTSON SHPREHET OPTIMIST PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Roli i NATO-s në Kosovë do të vazhdojë, pavarësisht nga arritja e standardeve dhe nga statusi i Kosovës. Edhe pse mund të ndryshojë struktura e NATO-s, nuk do ndryshojë efektiviteti i saj për të ruajtur përparimin e arritur në Kosovë dhe për të garantuar sigurinë e saj, ka deklaruar sonte në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi George Robertson, në një konferencë shtypi në përfundim të vizitës së tij të fundit në Kosovë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Lordi Robertosn gjatë ditës është takuar me drejtues ushtarakë e civilë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, si dhe me kryetarin Ibrahim Rugova, me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Ai tha se nga liderët e Kosovës kishte marrë premtimet për të vazhduar dialogun teknik me Serbinë e Malin e Zi, si njëri nga standardet që Kosova duhet të përmbushë deri në vitin 2005, për ç’gjë lordi Robertson ka shprehur bindje se Kosova mund t’i arrijë në kohën e duhur:
"Bisedimet teknike duhet të vazhdojnë dhe kryeministri Rexhepi ma dha fjalën se administrata e tij përkrah fuqishëm grupet punuese të përfshira në bisedat teknike me Beogradin," tha Lordi Robertson, duke premtuar se javën tjetër në Beograd do të përçojë mesazhet e njëjta sikur sot në Kosovë. Ai tha se Kosova duhet t’i përmbushë standardet, pasi ato janë të domosdoshme për një Kosovë të lirë dhe demokratike ku do të ketë vend për të gjitha komunitetet etnike.
Në këtë kuadër, shefi i UNMIK-ut tha se përgatitja e planit për përmbushjen e standardeve është në krye të agjendës së tij dhe do të publikohet në një të ardhme të afërt:
"Shpresoj se nuk jam duke folur për çështje javësh, por çështje ditësh," tha zoti Harri Holkeri.
Në anën tjetër, duke komentuar radikalizimin që u përshfaq në Serbi me rastin e zgjedhjeve të djeshme presidenciale të Serbisë, ku shumicën e madhe e fituan radikalët, Lordi Robertson tha:
"Nëse serbët duan ta ruajnë përparimin drejt anëtarësisë në bashkësinë evropiane, ata duhet të vazhdojnë ta dënojnë dhe denoncojnë ekstremizmin dhe gjuhën e esktremizmit," tha Lordi Robertson duke shpresuar se njerëzit në Serbi do të mbeten të vendosur për të qenë pjesë e Evropës dhe kundër radikalizmit ekstrem që i solli kaq shumë mjerim gjithë rajonit.
Ai i porositi edhe shqiptarët që të mos përkrahin gjuhën e urrejtjes:
"Shumë njerëz morën pjesë në çlirimin e Kosovës dhe në përmbysjen e spastrimit etnik, mirëpo nëse Kosova do të bëhej një vend vetëm i shqiptarëve, atëherë ne do të humbim," tha Lordi Robertson, i cili kishte vizituar gjatë ditës fshatin Novosellë e Maxhunajt, ku kishte takuar shqiptarët dhe disa familje serbe që janë kthyer ditët e fundit në këtë fshat. Unë nuk munda t’i dalloj fëmijët se cilët ishin shqiptarë dhe cilët ishin serbë, tha me këtë rast Lordi Robertson, në fund të konferencës së fundit për shtyp që mbajti në Prishtinë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke thënë se një pjesë e tij do të mbetej në Kosovë, bashkë me përkushtimin e pandryshuar të NATO-s, që do të jetë në pajtim edhe me të arriturat në Kosovë edhe me marrjen e përgjegjësive nga autoritetet vendore.




XS
SM
MD
LG