Ndërlidhjet

BUSH: "VETËM PËRDORIMI I FORCËS I DHA FUND PASTRIMIT ETNIK NË BALLKAN"


Presidenti amerikan George Bush ka mbrojtur politikën e ndjekur në Irak në një fjalim të mbajtur në Pallatin Uajtholl në Londër.
Bush pranoi mosmarrëveshjet që ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani lidhur me luftën, por ai ka theksuar se mbetet i vendosur për të ndërtuar demokracinë në Irak.
"Ka pasur mosmarrëveshje qëllim mira në vendin tuaj, por dhe në vendin tim, lidhur me mënyrën dhe kohën e aksioneve ushtarake në Irak. Çfarëdo që ka ndodhur përpara, tani ne kemi dy opcione: të mbajmë fjalën ose të shkelim premtimet. Dështimi i demokracisë në Irak do të hedhë popullin e këtij vendi në mizerje dhe do t'ja kthejë vendin terroristëve, që dëshirojnë të na shkatërrojnë. Por demokracia do të ketë sukses në Irak se vullneti ynë është i palëkundur dhe populli i Irakut nuk do të heqë dorë nga liria e vet", tha Bush në fjalimin e tij gjatë takimit të sotëm në Londër, që ishte organziauar nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara dhe Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike.
Më tej Bush ka thënë:
"Ne nuk kemi shkuar disa qindra mijëra milje në zemër të Irakut, kemi paguar një çmim të hidhur të viktimave në njerëz, kemi çliruar 25 milionë njerëz, vetëm për t'u tërhequr përpara një bande banditësh dhe vrasësish", tha presidenti amerikan.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe ishin dy vendet kryesuese të koalicionit që mbështeste përdorimin e forcës për rrëzimin e Sadam Huseinit, derisa vende si Franca, Gjermania dhe Rusia kërkonin mospërdorimin e ushtrisë.
Por disa herë një gjë e tillë detyrohet nga rrethanat.
"Njerëzit na kanë besuar detyrën për t'i mbrojtur ata dhe kjo detyrë kërkon ndonjëherë përdorimin e forcës për të ndaluar njerëzit e dhunshëm. Në disa raste përdorimi i matur i forcës, është e vetmja gjë që mund të na mbrojë ne nga një botë kaotike e udhëhequr nga dhuna", theksoi Bush.
Shumica e njerëzve sot në vendet e perëndimit nuk kanë kujtime të tilla, tha presidenti amerikan, por nuk është kështu në çdo pjesë të Evropës.
"Viktimat e pastrimit etnik në Ballkan, ata që i mbijetuan skuadroneve të dhunuesve dhe të vdekjes, nuk kishin dyshime kur NATO-ja përdori forcën për t'i dhënë fund këtyre krimeve".
Më tej Bush ka shtuar se bota nuk ishte as më e mirë, as më e sigurt kur Sadam Huseini vriste dhe ishte në pushtet, njësoj si Evropa që është në pozitë shumë më të mirë tani që Millosheviçi po jep llogari për krimet e kryera, se sa po të ishte në pushtet dhe të vazhdonte me krime të tjera.
Bush i kushtoi vëmendje të veçantë në fjalën e tij edhe politikave në Lindjen e Mesme, ku theksoi angazhimin amerikan për një shtet të pavarur palestinez, por dhe për sigurinë e Izraelit.
Presidenti amerikan i ka bërë thirrje Izraelit t'i japë fund atë që ai e quajti "poshtërim të përditshëm të palestinezëve".
Presidenti amerikan nuk ka ngurruar të kujtojë rolin iluminist të Shteteve të Bashkuara dhe në të shkuarën, veçanërisht rolin e presidentit Uillson.
Ndërkohë gjatë kësaj vizite Bush do takohet dhe me familjet e ushtarëve të vrarë në Irak.
Ndërsa aktivistët kundër luftës të enjten kanë bërë të ditur se do organizojnë një protestë masive kundër vizitës së presidentit Bush në Londër.
XS
SM
MD
LG