Ndërlidhjet

DËSHTIMI I ZGJEDHJEVE NË SERBI DO NDIKOJË NË BISEDIMET TEKNIKE PRISHTINË-BEOGRAD


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dështimi i zgjedhjeve presidenciale në Serbi dhe hyrja e këtij vendi në ciklin e zgjedhjeve të reja presidenciale dhe parlamentare do të ndikojë për të shtyrë dialogun e nisur për çështje teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, kanë vlerësuar zyrtarë shqiptarë e serbë të institucioneve të Kosovës, duke shfaqur shpresën se megjithatë në Serbi do të fitojnë forcat demokratike dhe Kosova do të ketë partner për të biseduar çështjet teknike.
Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit të Kosovës, tha se është shqetësuese rritja e popullaritetit të forcave radikale në Serbi:
"Përderisa kandidati që atje fiton është i Partisë Radikale, ultranacionaliste, qeveria e Kosovës mendon se në këtë aspekt dialogu mund të ketë vështirësi dhe zhagitje, por mbetemi me shpresë se forcat demokratike do të rimëkëmben në Serbi, do të ketë zgjedhje më të suksesshme dhe do të kemi partnerë për dialog".
Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz nuk dëshiron të besoj se ciklet zgjedhore të Serbisë mund ta shtyjnë dialogun:
"Shpresoj se nuk do të ndikojnë dhe unë nuk mendoj se duhet të ndikojnë, pasi dua të besoj se përkushtimi për vlerat demokratike dhe parimet evropiane do të jenë të qëndrueshme, ndërsa dialogu dhe standardet janë në mesin e këtyre parimeve," tha zëdhënësja Karlovicz, ndërkohë që deputeti serb i koalicionit Kthimi, Oliver Ivanoviç mendon se Prishtina zyrtare duhet ta shfrytëzojë këtë vakuum të krijuar në Serbi për t’u përgatitur më mirë për bisedimet teknike:
"Vakumi i krijuar nga mossuksesi i zgjedhjeve presidenciale dhe i zgjedhjeve të reja parlamentare, në esencë do të shfrytëzohet edhe në Prishtinë, në mënyrë që të konsolidohen forcat që mbështesin vazhdimin e dialogut me Beogradin dhe për arritjen e ndonjë marrëveshjeje," tha Ivanoviç, sipas të cilit këto cikle zgjedhore mund të kenë ndikim, por ky ndikim nuk mund të jetë aq tragjik.
Në anën tjetër, analisti Ylber Hysa, drejtor i Qendrës për Inicitiva Qytetare mendon se në një situatë të tillë, dialogu nuk është prioritet i Beogradit e aq më pak nevojë:
"Qeveria e Serbisë nuk është në pozitë që të hapë çfarëdolloj dialogu me Prishtinën dhe konsideroj se çfarëdo kontakti me Prishtinën që do të jetë më shumë i shtyrë nga diplomacia ndërkombëtare, sesa nga nevoja e qeverisë serb,e do të jenë përmes kanalesh diplomatike dhe jo publike, pasi qeveria e Serbisë ka më shumë prioritete të tjera para dialogut".
Edhe zoti Hysa ka shprehur shqetësimin e tij për forcimin e forcave radikale që u dëshmuan me epërsinë e kandidatit radikal në zgejdhjet parlamentare. Mirëpo, Ramush Tahiri, këshilltar i kryeparlamentarit Daci, tha se në Serbi nuk ka dallime ndërmjet partive politike sa i përket Kosovës:
"Normalisht se kur Serbia ballafaqohet me probleme të tilla si mosekzistimi dhe moslegjitimimi i pushtetit, nuk është prioritare cështja e dialogut me Kosovën, pasi ata për këtë duhet të kenë institucione të qëndrueshme", tha zoti Tahiri, sipas të cilit duhet pritur që udhëheqja e Serbisë deri sa të konsolidohet brenda disa muajsh nuk do ta ketë në agjendën e saj dialogun me Kosovën dhe me institucionet ndërkombëtare.




XS
SM
MD
LG