Ndërlidhjet

L.BUTLER: NDRYSHIME MAHNITËSE NË MAQEDONI


Lorenc Butler, ambasador i SHBA-ve në Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka patur përparim në fushën e sigurisë gjatë muajve të fundit dhe cili është roli i Marrëveshjes kornizë të Ohrit rreth kësaj?

LORENC BUTLER
Rreth çështjes së sigurisë është e qartë se Ministria e Brendshme, policia dhe qeveria, të gjithë qytetarët e këtij vendi i shohin si qytetarë të barabartë dhe i kanë dhënë fund bindjes se nëse ndonjë person është shqipfolës, atëhere ai patjetër paraqet rrezik për sigurinë dhe është kriminel dhe se atë duhet ta rrahin ose mbi të të ndërmerren masa plotësuese të sigurisë. Dallimi mes situatës së sigurisë që e pashë kur erdha këtu para dy vjetëve me të tanishmen është mahnitëse. Jam i kënaqur nga progresi i bërë deri tani, bashkësitë në vend nuk e duan konfliktin. Marrëveshja kornizë u jep bashkësisë shqiptare dhe maqedonase mundësi për t'a ndier shtetin si të tyre. Qytetarët mund të flasin shqip dhe prapë të jenë maqedonas dhe shteti është përgjegjës për nevojat e tyre. Pikërisht për këtë është dhe rëndësia e decentralizimit. Te popullata vendore ka një dëshirë të pakontestueshme, qoftë te shqiptarët, qoftë te maqedonasit në Probishtip ose në Pehçevë që të mund të qeverisin me pushtetin vendor.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni vonesën e miratimit dhe zbatimit të lidheve për decentralizimin e pushtetit?

LORENC BUTLER
Ligji për ndarje territoriale të Maqedonisë që vjen bashkë me ligjin për financim të komunave, janë dy nga ligjet që kanë mbetur për miratim dhe që kanë të bëjnë me Marrëveshjen kornizë. Unë jam i bindur se nga fundi i këtij viti të dy ligjet do të mund të prezantoheshin dhe të miratoheshin në Kuvendin e Maqedonisë. Gjithë kjo zgjati pak më shumë kohë sepse pati nevojë për një rregullim të ndërsjellë dhe po ashtu duhet të pritet rezultati nga rregjistrimi i popullsisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me disa fjalë si do t'i përshkruanit marrëdhëniet ndëretnike në vend?

LORENC BUTLER
Marrëdhëniet ndëretnike? Musa Xhaferri, Branko Crvenkovski... Më pëlqeu shumë foto që pashë në Manastir. Kjo ishte foto në të cilën gjendeshin Agron Buxhaku, Musa Xhaferri dhe të tjerët duke festuar 95 vjetorin e Kongresit të Manastirit ku u standartizua alfabeti shqip. Po ashtu dhe këtu në Shkup pati festime të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ndikojnë incidentet në rrjedhën e reformave në Maqedoni?

Incidente? Nuk kemi patur diçka të tillë së fundi. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi incidente. Ka individë të izoluar dhe grupe të vogla të armatosura që do të vazhdojnë me këtë. A mund t'i quaj me emër tjetër? Këto nuk janë aktivitete kriminele, këto janë banditë. Ata veprojnë përreth duke u përpjekur të gjejnë të holla për të jetuar mbi kurrizin e të tjerëve. Do të thosha se këtu mund të përfshihen njerëz siç është Izair Samiu, i cili mblodhi para mbi dëshirën e njerëzve për arsimim. Kjo quhet shfrytëzim dhe ndoshta kjo gjithmonë nuk është në kundërvënie me ligjin, por është jomorale.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund zoti ambasador, si e vlerësoni situatën ekonomike në Maqedoni?

LORENC BUTLER
Do të jem optimist dhe mendoj se ekonomia e Maqedonisë përparon më mirë sesa qytetarët janë në gjendje ta vlerësojnë. Kryeministri ishte brutalisht i sinqertë dhe vetëkritik kur para deputetëve tha se ekonomia e Maqedonisë nuk i arriti rezultatet e parapara gjatë vitit të parë të qeverisjes së qeverisë së tij. Mendoj se askush nuk mund të mospajtohet me këtë.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG