Ndërlidhjet

PRIVATIZIMI –MOLLË SHERRI NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas paqartësive të krijuara me politikën standardet para statusit, plani për operacionalizimin e këtyre standardeve vazhdon të vlerësohet nga ana e deputetëve si një plan që do ta tejkalojë amullinë e krijuar dhe do ta drejtojë Kosovën drejt definimit të statusit të saj brenda dy viteve të ardhshme. Mirëpo, pas dialogut si një prej standardeve, në të cilin kishte dhe vazhdojnë të paraqiten pengesa në qëndrimet e kosovarëve, kohëve të fundit janë paraqitur pengesa dhe në procesin e privatizimit, si një prej këtyre tetë standardeve që bashkësia ndërkombëtare ia ka vënë Kosovës për t’i përmbushur. Deputeti i AAK-së dhe anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës Bajram Kosumi, thotë se ligjet e ish-Jugosllavisë nuk duhet të jenë valide për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve, pasi ato i kanë takuar një sistemi të kaluar represiv dhe diskriminues ndaj popullatës shumicë të Kosovës dhe se aplikimi i këtyre ligjeve në këtë kohë, sipas tij do ta bllokonte tërësisht procesin e privatizimit:
“Marrja parasysh e atyre ligjeve e rikthen Kosovën mbrapa. Ose edhe rishqyrtimi i atyre ndërmarrjeve të privatizuara i shqetëson deri në fund edhe ashtu blerësit e frikësuar dhe unë mendoj se më nuk do të ketë blerës të interesuar, përveçse nëse qeveria e Serbisë do të ofrohet tani si blerësi më potencial ose njerëzit e saj”, tha deputeti Bajram Kosumi, kurse deputeti Oliver Ivanoviç, nga koalicioni “Kthimi” vlerëson se përmbushja e standardeve në rend të parë duhet nënkuptuar në interes të qytetarëve dhe jo vetëm si qëllim për të arritur deri te statusi final. Ndërsa lidhur me pengesat në procesin e privatizimit, si një prej tetë standardeve, Ivanoviç pohon se tjetërsimi i pronës shoqërore ka filluar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë dhe se Beogradi nuk mund të anashkalohet në këtë proces:
"Trasformimi i pronës është kryer edhe gjatë viteve 1992-1996 dhe se nuk mundet që përmes një vendimi politik të kujtdoqoftë, në mënyrë retroaktive të bëhet ndërrimi i statusit të ndërmarrjeve”, pohon Ivanoviç, sipas të cilit edhe sindikata serbe ka të drejtë që të inkuadrohet në këtë proces dhe t’i mbrojë interesat e ish-punëtorëve serbë në ndërmarrjet që do të privatizohen.
Po ashtu, një çështje tjetër për të cilën Kuvendi pritet të japë vlerësim është një draft i propozuar nga Misioni i Këshillit të Evropës për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, si një prej këtyre standardeve gjithashtu. Sipas deputetit Kosumi, reformat e propozuara duhet të zbatohen pas zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe se ato nuk duhet mbështetur mbi parimet etnike:
“Në parim ne jemi për një decentralizim të pushtetit në favor të qytetarit. Për shembull Prishtina ka nevojë që në komunën e sotme të Prishtinës të ketë katër -pesë komuna tjera të reja, të pavaruara. Mirëpo, nuk mund të ketë decentralizim sipas parimit etnik”, tha Bajrami.
Në anën tjetër deputeti Ivanoviç, pohon se decentralizimin në parim duhet përkrahur, mirëpo ai parashtron vërrejtje në improvizimet që janë bërë në këtë plan duke kërkuar një organizim të atillë të komunave që do të shtojë numrin e tyre duke i ndarë dhe krijuar komuna të reja:
“Sipas organizimt të tanishëm të komunave, serbët nuk kanë kurrëfarë arsye që të marrin pjesë në organizimin e komunës së Prishtinës, pasi s'kanë kurrëfarë interesi në këtë pjesëmarrje”, thotë Ivanoviç, duke kërkuar që shtimi i numrit të komunave të krijojë njësi të atilla, në të cilat pakicat do të mund t’i realizonin interesat e veta. Ai po ashtu mendon se Mitrovica duhet të ndahet në dy apo në tri komuna, sikurse edhe enklavat tjera që sipas Ivanoviçit duhet të kthehen në komuna të reja.
Sidoqoftë, si për procesin e privatizimit ashtu dhe për atë të decentralizimit, ende nuk ka ndonjë qëndrim të qartë të institucioneve vendore dhe se vendimet nga ana e kosovarëve thuhet se do të merren pasi planet më të reja për zhvillimin e këtyre dy proceseve të analizohen më mirë dhe në mënyrë institucionale.





XS
SM
MD
LG