Ndërlidhjet

KADAREJA NDEROHET ME TITULLIN "DOKTOR NDERI" NGA UNIVERSITETI I PRISHTINËS


Bekim Bislimi

“Kultura shqiptare në përgjithësi dhe kultura shqiptare në Kosovë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me lirinë. Liria shqiptare është sot pjesë e ndërgjegjes dhe e lirisë evropiane”. Kështu tha sot në Prishtinë, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, të cilit në një ceremoni akademike në Universitetin e Prishtinës, i është dhënë titulli "Doktor Nderi". Zoti Kadare tha se ishte i nderuar që këtë titull e merr nga ky Universitet, i cili, siç tha ai, gjatë shekullit 20, ishte vatër e diturisë dhe e lirisë
“Liria e kombit shqiptar, ajo kryesisht këtu në Kosovë nuk është as penguese e as bezdisëse për lirinë e popujve që janë rrotull nesh, të fqinjve tanë. Përkundrazi, sa më të lirë të jenë shqiptarët, aq më të lirë do të jenë edhe fqinjët tanë në Ballkan, të lirë jo vetëm në statusin e tyre politik dhe shoqëror, por sidomos në ndërgjegjen e tyre, çka edhe është e rëndësishme akoma. Dhe në mënyrë të ndërsjelltë, mund të themi se sa më të lirë të jenë popujt e Ballkanit rrotull nesh, aq më të lirë do të jemi edhe ne vetë”, tha zoti Kadare. Ai shtoi se në gadishullin Ballkanik ka filluar një epokë e re dhe kjo është epoka e afrimit dhe e pajtimit të popujve të këtij gadishulli.
“Këtej e tutje, shpresojmë dhe kemi arsye të shpresojmë dhe të jemi optimistë që në këtë botë të trazuar, në këtë planet që sot është më i trazuar se kurrë, gadishulli ynë dalëngadalë do të tërhiqet, nuk do t'i shkaktojë më telashe dhe trazim botës, por do të jetë përkundrazi, një faktor , një shembull se si popujt pas një keqkuptimi, pas një armiqësimi të gjatë edhe mund të afrohen dhe të bashkëjetojnë për të hyrë në familjen evropiane. Në fund të fundit, te ky gadishull nisi së pari qytetërimi evropian dhe emancipimi i botës”, tha zoti Kadare.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Prishtinës, Zenel Kelmendi, duke folur për veprën e Ismail Kadaresë në tërësi, theksoi se atë e përcjell përcaktimi dhe qëndrimi parimor i autorit dhe aktiviteti drejt arritjes së vlerave kulmore, të cilat siç tha ai janë në dobi dhe shërbim të njerëzimit.
“Ai, me forcën e fjalës dhe të pendës, shprehi përcaktimin e tij të paluhatshëm dhe të pakompromis për të vërtetën e patjetërsueshme. Prandaj, është vështirë, për të mos thënë e pamundur, të mos konstatojmë se Ismail Kadare jo vetëm që zë një ndër vendet më të larta në thesarin e vlerave kombëtare, por ai i takon dhe bën pjesë në piedestalin e vlerave evropiane dhe botërore”, tha rektori Kelmendi.
Ndërsa, albanologu gjerman profesor. dr. Ralf Koddritch, këshilltar akademik në Universitetin e Bonit, tha se Ismail Kadare gjithmonë ka trajtuar tema universale.
“Veprat e Kadaresë janë të përkthyera në 40 gjuhë të botës. Vetëm kjo gjë do ta bënte atë shqiptarin më të njohur në botë. Në shkrimet e tij, ai jo vetëm se lanë hesapet me fuqitë e së kaluarës, por edhe gjykon mbi çështjet shumë aktuale për shqiptarët sot”, tha prof. dr. Koddritch.
Ndërkaq, profesor Doktor Agim Vinca, i cili i bëri një vështrim kronologjik veprave të Kadaresë tha:
“Duke e lexuar veprën e Kadaresë, të huajt e njohin Shqipërinë, kurse shqiptarët e njohin botën dhe vetveten. Duke e lexuar veprën e Kadaresë mësojmë si duhet atdheu, sa e shtrenjtë është liria, sa e bukur por edhe sa e vështirë është jeta, sa komplekse, e ulët dhe njëkohësisht madhështore është qenia njerëzore dhe ç’kuptim ka metafora ‘Art i dhimbjes universale’”, tha prof.dr. Agim Vinca.
Shkrimtari Ismail Kadare është në mesin e disa nga personalitetet e shquara kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët Universiteti i Prishtinës i ka nderuar me titullin “Doktor Nderi". Dy muaj më parë, ky titull ju dha edhe ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ndërkohë që rektorati i këtij universiteti ka paralajmëruar se me titullin “Doktor Nderi” do të nderohen edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Olbright dhe ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark.

XS
SM
MD
LG