Ndërlidhjet

logo-print

40 VJET PAS VRASJES, MISTIKA E KENNEDY-IT ENDE JETON


JEFFREY DONOVAN

Dyzet vjet pas vrasjes, presidenti i Shteteve të Bashkuara John Kennedy vazhdon t'i frymëzojë dhe fascinojë amerikanët dhe njerëzit anekënd botës.
Por, a thua imazhi i Kennedy-ut, si njëri nga presidentët më të mëdhenj amerikanë, mbështetet në realitetin.
Në moshën 42 vjeçare, si presidenti më i ri që ndonjëherë kishte patur vendi, ai ishte njeri i pashëm, hero i luftës me një grua magjepsëse dhe fëmijë të bukur, që erdhi në pushtet në një periudhë të shpresës dhe optimizmit në Shtetet e Bashkuara.
John Kennedy i pushtoi imagjinatat e miliona amerikanëve dhe njerëzve në botë. Dyzet vjet pas vrasjes, në 22 nëntor 1963, mistika e tij duket më e fortë se kurrë.
Por a është ashtu? Sipas opinionit amerikan, po. Sipas një anketimi të Gallupit të zhvilluar javën e kaluar, amerikanët ende besojnë që Kennedy, edhepse shërbeu vetëm dy vjet e gjysmë, ishte një nga presidentët më të mëdhenj të vendit, bashkë me liderin e Luftës Civile presidentin Lincoln,.
Peter Kuznick, ekspert i historisë bashkëkohore në Universitetin Amerikan në Uashington, i ka thënë "Evropës së Lirë" se popullariteti i Kennedy-ut është misterioz, nisur nga koha e shkurtër e funksionit që ushtroi. Sidoqoftë, thotë ai, Kennedy identifikohej me shpresën dhe epokën e optimizmit.
"Ekziston një ndjenjë mjaft e popullarizuar se me vrasjen e Kennedy-t, gjërat shkuan keq për Shtetet e Bashkuara. Disa herë shihet si kthesë në historinë amerikane, një vijë ndarëse mes periudhës së shpresës, optimizmit, progresit, vitalitetit, dhe periudhës tjetër të përcjellur me konflikt urban dhe me luftën në Vietnam", thotë Kuznick.
Viteve të fundit, janë publikuar rreth 4.5 milionë faqe të sekreteve të mëhershme shtetërore. Prej tyre, historianët filluan të mësojnë për imazhin politik dhe personal të Kennedy-ut, se ai ishte njeri energjik me agjendë liberale. Por megjithate shtrohet pyetja nëse ai do të mund ta transformonte politikën e Luftës së Ftohtë.
Nga ana personale, askush nuk mundi ta sfidojë imazhin e Kennedy-ut, siç e bëri Robert Dallek.
Historianit nga Universiteti i Bostonit iu mundësua qasje ekskluzive te letrat e fshehta të familjes Kennedy. Dallek zbuloi se Kennedy vuante nga një sëmundje, që e fshehte nga frika se nuk do zgjidhet.
Ai zbuloi se Kennedy, i cili ishte plagosur rëndë në Luftën e Dytë Botërore, kishte pothuaj dhembje të vazhdueshme. Vuante nga osteoporoza dhe sëmundja e Addison-it, që ia kufizonte aftësinë për prodhimin e adrenalinës.
Në zyrë, Kennedy i dyfishoi shpenzimet për mbrojtje, kishte qëndrim të ashpër ndaj vendosjes së raketave bërthamore sovjetike në Kubë dhe u kërcënua ta kalojë kufirin në Berlinin perëndimor.
Kuznick thotë se nëse Kennedy do ishte gjallë, do t'i drejtonte Shtetet e Bashkuara në kahje krejtësisht të ndryshme.
"Kennedy ishte luftëtar i reptë i Luftës së Ftohtë. Por nuk mendoj se do të na fuste në Vietnam siç bëri pasardhësi i tij, presidenti Lyndon Johnson. Ndoshta do ta ndryshonte politikën ndaj Bashkimit Sovjetik, sepse i rishqyrtonte disa pjesë të garës bërthamore. Është e mundur që Kennedy të ishte ai vizioner që shumica e njerëzve shpresonin", thotë Kuznick.
Por historiani John Prados thotë se kjo është vetëm dëshirë.
"Duhet thënë se një biografi e tillë e shenjtorëve është e pa arritshme për shumicën e qenieve njerëzore", thotë Prados, i cili në bashkëpunim me Arkivin Kombëtar të Sigurisë në Uashington, botoi një libër ku shkruan se Kennedy e ka mbështetur grusht shtetin kundër liderit të Vietnamit jugor Ngo Dinh Diem, i cili atëherë u vra.
Prados thotë se Kennedy kishte qëndrim konservator edhe ndaj lëvizjeve për të drejtat civile.
Kennedy mbahet mend për premtimet që ia ofroi gjeneratës idealiste të amerikanëve. Për vlerësimet që do t'i japë historia, Prados thotë:
"Është një manifestim i mallit të madh dhe dëshpërimit që amerikanët e ndjenë kur Kennedy-n e vranë. Është ideja e premtimit të pa përmbushur dhe e pamundësisë për t'i arritur ato qëllime, të cilat njerëzit i synojnë", përfundon Prados.
XS
SM
MD
LG