Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KONTESTIMET PËR PRIVATIZIMIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka bazë legale të shpallë të pavlefshme dhe të pazbatueshme tre ligjet serbe që aktualisht pengojnë procesin e privatizimit në Kosovë, ka deklaruar sot për Evropën e Lirë, Dr. Arsim Bajrami, ekspert i të drejtës kushtetuese dhe kryetar i komisionit për legjislacion dhe çështje kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që deputetët serbë e vlerësojnë këtë nismë si humbje kohe që mund të prodhojë vetëm tensione.
Zoti Bajrami i ka bërë këto vlerësime, duke komentuar paralajmërimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi që Kuvendi i Kosovës t’i shpallë të pavlefshme tre ligje serbe që kanë të bëjnë me pronën dhe transformimin e pronës, që janë miratuar pas 22 marsit 1989, pasi zyrtarë të AKM-së dhe të shtyllës së katërt të UNMIK-ut kanë thënë se nuk është në fuqinë e tyre që t’i shpallin këto ligje të pavlefshme, që llogaritet aktualisht pengesa kryesore për vazhdimin e privatizimit.
Mirëpo, këtë pengesë mund ta eliminojë Kuvendi, ka thënë zoti Bajrami:
"Në aspektin konstitucional, Kuvendi ka bazë legale dhe kushtetuese për të proceduar lidhur me kërkesën e kryeministrit, meqenëse kjo ka bazë edhe në rregulloren e UNMIK-ut për ligjet në fuqi në Kosovë, e cila përjashton nga zbatimi të ashtuquajturat ligje diskriminuese. Kjo do të krijonte bazë që qeveria e Kosovës plotësisht të lirohej nga zbatimi i këtyre ligjeve dhe në fakt të hapej rruga për një proces të lirë të demokratizimit, i cili do të bazohet vetëm në legjislacionin dhe në standardet demokratike".
Në anën tjetër, anëtari serb i kryesisë së Kuvendit, Oliver Ivanoviç, mendon se kjo do të ishte një humbje kohe:
"Kuvendi vetëm sa do të harxhojë shumë kohë dhe energji e sigurisht do të ketë edhe polarizime në sallën e Kuvendit pa asnjë rezultat praktik ligjor," tha Ivanoviç, sipas të cilit secili vendim do të ishte vendim politik, ashtu si edhe rregullorja e Kushnerit numër një, me të cilën ai vuri nën kontroll ndërmarrjet shoqërore dhe shtetërore, pa respektuar transformimet pronësore që janë bërë që nga viti 1992 e deri në vitin 1996.
Pavarësisht nga kjo, zoti Bajrami mendon se bëhet fjalë për ligje krejtësisht diskriminuese, pasi shqiptarët nuk kanë marrë pjesë në miratimin e tyre. Ai nuk sheh ndonjë arsye që diskutimi në Kuvend për këto ligje të jetë shkak për keqësim raportesh ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, pasi, pasi, sipas tij, vetë UNMIK-u është dashur t’i specifikojë ligjet dhe t’i vlerësojë se cilat janë diskriminuese:
"Mund të them se ky regjistër përfshin mbi 50 ligje dhe është mirë që edhe parlamenti edhe shprehimisht t’i shpallë këto ligje të pazbatueshme. Natyrisht do të ishte i nevojshëm edhe një konsultim me zyrën ligjore të UNMIK-ut, në mënyrë që edhe ata t’i bashkoheshin kësaj iniciative, që proceset në Kosovë të mos pengohet nga ligje diskriminuese."
Mirëpo, zoti Ivanoviç mendon se rruga e vetme do të ishte një gjyq ndërkombëtar që do ta vlerësonte gjithë çështjen, por ai personalisht mendon se rruga më e mirë është marrëveshja me Serbinë:
"Më parë jam për marrëveshje, pasi kjo është e pashmangshme, që të arrihet marrëveshje me Republikën e Serbisë, me Fondin për zhvillim të Serbisë dhe me aksionarët, përfshirë edhe sindikatat," tha Ivanoviç, duke kundërshtuar shpalljen e këtyre ligjeve të pavlefshme.
Ndërkohë, Arsim Bajrami mendon se bllokimi i privatizimit për shkak të disa ligjeve diskriminuese që Serbia ka miratuar pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, ka shkaktuar pasoja të shumta politike dhe praktike:
"Pasoja politike është mbajtja peng e Kosovës dhe bllokimi i plotësimit të standardeve të parashtruara para Kosovës në drejtim të definimit të statusit të saj final, por mendoj se pasoja të karakterit politik është edhe involvimi i vetë Serbisë në procesin politik në Kosovë dhe në një mënyrë atribuimi i saj si titullar i pronës shoqërore, edhe pse në aspektin juridik, Serbia jo vetëm që nuk e ka pasur, por pas gjenocidit edhe e ka humbur të drejtën të administrojë tokën e Kosovës".
Sidoqoftë qeveria aktualisht është e vetëdijshme se zyra ligjore e UNMIK-ut nuk do t’i pranojë shumë lehtë vendimet që do të merren në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Rexhepi, ka thënë se qeveria është e vendosur ta bëjë punën e saj për zhvlerësimin e ligjeve diskriminuese.







XS
SM
MD
LG