Ndërlidhjet

PREFEKTI BLOOMBERG DHE KONGRESMENI SWIMI VIZITUAN KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës çojnë dëshirat e popullit të Kosovës, prandaj ne jemi këtu për të ndihmuar, ka deklaruar sot në Prishtinë, prefekti i qytetit të Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i cili gjatë ditës së sotme ka takuar udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, ndërsa në mbrëmje ka shkuar për të vizituar ushtarët amerikanë në kampin Bondstill në afërsi të Ferizajt.
Zoti Bloomberg, i cili në aeroportin e Prishtinës është pritur nga kryetari Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, e ka gjetur Prishtinën të stolisur me flamuj amerikanë dhe shqiptarë nëpër të gjitha rrugët.
Ai tha se Kosova dhe Nju Jorku tetëmilionësh kishin shumë gjëra të përbashkëta:
"Edhe populli i Nju Jorkut ka kaluar nëpër kohë të vështira, ashtu si edhe populli i Kosovës dhe ne kemi shumë gjëra të përbashkëta. Prandaj, të gjithë njujorkasit përkrahin dëshirën tuaj për demokraci," tha prefekti Michael Bloomberg, pasi kishte biseduar me kryetarin Rugova, me kryeministrin Rexhepi dhe prefektin Beqiri. Ai më pas ka vënë një kurorë lulesh dhe një medalion – simbol të qytetit të Nju Jork tek shtatorja e Nënës Terezë në qendër të Prishtinës, të cilën e quajti bijë e vërtetë shqiptare dhe Nënë të botës.
Prefekti i Nju Jorkut Bloomberg, tha se sot në mëngjes kishte qenë në Izraelin që e di se çfarë është terrorizmi dhe se fatkeqësisht terrorizmi po godet botën. Mirëpo, tha Bloomberg ne do ta luftojmë terrorizmin për të ndërtuar një botë më të mirë për fëmijët tanë. Ai i ka quajtur krenari e Nju Jorkut, policët amerikanë që punojnë në Kosovë dhe ka thënë se përkrahte dëshirat e popullit të Kosovës:
"Unë mund t’ju them se i gjithë populli i Shteteve të bashkuara çmon dëshirat tuaja dhe janë këtu për t’ju ndihmuar," tha zoti Bloomberg në sallën e Teatrit Kombëtar ku ishin ekspozuar punime të fëmijëve kosovarë ku pasqyroheshin sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 që goditën SHBA-të e posaçërisht Nju Jorkun.
Ndërkaq, kongresmeni John Swimi, që shoqëronte prefektin Bloomberg tha:
"Unë, si përfaqësues i Kongresit jam shumë krenar që përkushtimi i gjithë Shteteve të Bashkuara qëndron këtu në Kosovë, tha kongresmeni Swimi, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi i dhuroi një flamur shqiptar zyrtarit më të lartë të Nju Jorkut.
Zoti Bloomberg tha se do të vizitonte edhe trupat amerikane në kampin Bondstill. Është bërë e ditur se ai do t’ia dhurojë komandantit të KFOR-it amerikan, gjeneralit Jerry Beck një copë metali nga gërmadhat e Qendrës Botërore të Tregtisë që qe shkatërruar nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, ndërsa më pas do të qëndrojë për darkën e përbashkët me ushtarët amerikanë për nder të ditës së falënderimit.


XS
SM
MD
LG