Ndërlidhjet

PENGESAT NE PROCESIN E PRIVATIZIMIT VAZHDOJNË TË MBETEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pengesat aktuale të cilat po e mbajnë të bllokuar procesin e privatizimit në Kosovë nuk janë tejkaluar as sot, pas një takimi të zhvilluar ndërmjet kryeministrit Bajram Rexhepi dhe disa ministrave të qeverisë së Kosovës me Bordin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, dhe shefin e shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolas Lambsdorf.
Në këtë takim u bisedua për tejkalimin e dallimeve në mes qeverisë dhe AKM-së, lidhur me vazhdimin e privatizimit në Kosovë, tha zëdhënësja e kryeministrit, Mimoza Kusari. Këto dallime, sipas saj, mbeten tek hezitimi i AKM-së që t’i nënshkruajë të gjitha kontratat me blerësit e ndërmarrjeve gjatë raundit të dytë privatizimit, për shkak se UNMIK-u konteston në disa raste statusin e disa prej këtyre ndërmarrjeve të shitura dhe për shkak të mendimeve të kundërta ndërmjet vendorëve e ndërkombëtarëve rreth vlefshmërisë së ligjeve të aplikueshme të ish-sistemit të kaluar gjatë viteve të 90-ta.
“Janë çështjet e nënshkrimit të kontratave të raundit të dytë dhe çështja e ligjeve të cilat nuk pranohen. Mbetet prej qeverisë që këto ligje t’i shpallë të paaplikueshme, e gjithashtu do të veprohet njësoj edhe në kuadër të parlamentit dhe do të shikohet se sa mund të punohet në këtë aspekt”, thekson Kusari.
Pasi shpalljes si të pavlefshme të ligjeve të sistemit të kaluar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, sipas Mimoza Kusarit, pritet që kjo kërkesë t'i dërgohet për miratim dhe zyrës ligjore të Këshillit të Sigurimit, pasi administrata e UNMIK-ut, i ka deklaruar qeverisë vendore se nuk ka kompetenca që t’i shpallë të paaplikueshme këto ligje, pa një vendim nga Nju Jorku. Sidoqoftë, zëdhënësja Kusari beson se privatizimi do të vazhdojë, ndërsa dëmet nga zvarritjet aktuale ajo i cilëson të pakompensueshme:
“Përderisa ka vullnet të dyanshëm për vazhdimin e procesit të privatizimit, ma merr mendja se procesi duhet të vazhdojë gjithsesi. Është dhe mendim i të gjithëve se është një domosdoshmëri, ngase dëmet e shkaktuara mund të arrijnë deri në nivelin që nuk mund as të kompensohen, por besojmë se ky proces do të vazhdojë së shpejti”, tha Kusari.
Ndërsa Kuvendi i Kosovës, sipas zyrtarëve vendorë, nuk pritet të mblidhet këtë javë, për shkak të festave të nëntorit, qeveria e Kosovës, sipas Kusarit, do të diskutojë rreth problemeve aktuale në procesin e privatizimit edhe në mbledhjen e të mërkurës, ku pritet që të merren dhe vendime konkrete, si rreth statusit të ndërmarjeve shoqërore ashtu dhe rreth ligjeve të sistemit të kaluar, vendime këto që do t’i drejtohen parlamentit për miratim.



XS
SM
MD
LG