Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET MEMORANDUMI I MIRËKUPTIMIT PËR PERSONAT E ZHDUKUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shoqëritë e pasluftës nuk mund të përparojnë dhe plagët e pjesëtarëve të këtyre shoqërive mbeten të hapura pa ndriçimin e fatit të të zhdukurve, kanë vlerësuar sot në Prishtinë shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, Jean Christian Cady dhe shefi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Gordon Bacon. Këto deklarata ata i kanë bërë në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi të mirëbesimit për të zhdukurit, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi:
"Mijëra persona janë ende të zhdukur si rezultat i konfliktit në Kosovë dhe fakti i zhdukjes së tyre, vazhdon të jetë një burim i dhimbjes këtu," tha zoti Bacon, sipas të cilit shoqëritë e pasluftës nuk mund të ecin përpara, përderi sa një numër i madh i njerëzve të jenë të zhdukur.
Ndërkaq, zoti Jean Christian Cady tha se kjo është një çështje kruciale për Kosovën:
"Përderisa ende ka kufoma të paidentifikuara dhe disa varre pa emër, fati i të zhdukurve do të jetë një plagë e hapur për të gjitha komunitetet në Kosovë, pasi të zhdukurit u përkasin të gjitha bashkësive etnike," tha zoti Cady, sipas të cilit çështja e të zhdukurve do të jetë njëra nga çështjet që do të diskutohet në bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, pasi fati i rreth 4000 personave pati mbetur i pandriçuar.
Duke shpjeguar punën e deritashme të Komisionit Ndërkombëtar për të Zhdukurit, zoti Bacon tha:
"Deri më tani, ICMP ka mbledhur 8.816 mostra të gjakut, që përfaqësojnë një numër të përgjithshëm prej 3.263 persona të zhdukur nga konflikti në Kosovë," tha zoti Bacon, sipas të cilit bashkëpunimi me UNMIK-un do ta rrisë saktësinë dhe shpejtësinë e identifikimit. Ndërkaq, zoti Cady tha se zyra e UNMIK-ut për të zhdukurit në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për të zhdukurit ka bërë një punë të madhe, pasi deri më tash janë ekshumuar 8016 kufoma, janë identifikuar 405 sosh, ndërsa familjeve deri më tash u janë kthyer 373 kufoma.
Kryeministri Rexhepi e quajti memorandumin e sotëm të rëndësishëm:
"Mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm për çështjen e personave të pagjetur, e cila është një brengë e madhe për kosovarët në momentin kur edhe për më shumë se 3000 vetë nuk dihet fati i tyre."
Mirëpo, kryetari i Asociacionit te familjarëve të të zhdukurve, Sheremet Ademi tha se familjarët nuk presin shumë nga ky memorandum:
"Unë sot këtu e pashë një lloj kompromisi, por për ne është me rëndësi që të vazhdohet procesi dhe kjo është vetëm një pjesë e punës, pasi duhet bërë edhe hulumtimi i burgjeve të fshehta, kërkimi i personave, marrja në pyetje e atyre që rrëmbyen të afërmit tanë, për ç’gjë janë të interesuara familjet."
Me këtë memorandum është arritur marrëveshja që Komisioni Ndërkombëtar për personat e zhdukur të sigurojë kryerjen e analizave të ADN-së, metodë kjo identifikimi, e cila do të intesifikohet me këtë memorandum mirëkuptimi, ndërkohë që në Kosovë po vazhdon nënshkrimi i një peticioni drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë që të ndriçojë fatin e të zhdukurve.



XS
SM
MD
LG