Ndërlidhjet

QEVERIA KËRKON DORËHEQJEN E KREUT TË AKM-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës i është drejtuar sot Parlamentit me kërkesën që t’i shpallë të pazbatueshme të gjitha ligjet e sistemit të kaluar serb në Kosovë dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e drejtoreshës së Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit Maria Fuggi dhe anëtarëve të zyrës ligjore të këtij agjensioni, duke i konsideruar si përgjegjës për gjendjen e krijuar në procesin e privatizimit.
Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusari, tha pas takimit të rregullt të qeverisë, se drejtoresha e AKM-së dhe zyra ligjore e këtij agjensioni konsiderohen si përgjegjës për gjendjen e krijuar, prandaj edhe qeveria ka kërkuar dorëheqjen e tyre. Në rast se dorëheqjet e kërkuara nuk ndodhin, atëherë qeveria e Kosovës nuk e përjashton as mundësinë e formave të tjera për vazhdimin e procesit të privatizimit, tha Kusari:
“Ky është vendim i qeverisë, për dorëheqjen e drejtoreshës së Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit dhe anullimin e ligjeve. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë qeveria do të shikojë të gjejë masa dhe mënyra të tjera se si do të vazhdojë procesi i privatizimit, përfshirë dhe ndoshta gjetjen, apo krijimin e një institucioni tjetër për vazhdimin e privatizimit në Kosovë”, tha Kusari.
"Po ashtu, qeveria ka identifikuar 53 ligje të ish-sistemit serb në Kosovë, të cilat do të kërkojë që të shpallen të pavlefshme nga Kuvendi, kërkesë kjo që do t’u përcillet dhe instancave më të larta të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ligjet e sistemit të kaluar, kanë qenë diskriminuese ose zbatimi i tyre është bërë në forma diskriminuese, përfshirë këtu dhe transformimin e pronës shoqërore, prandaj të gjitha efektet e këtyre ligjeve në tjetërsimin e pronës, për qeverinë e Kosovës konsiderohen të pavlefshme." tha zëdhënësja Kusari për të vazhduar se zvarritjet në procesin e privatizimit, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë dhe në përmbushjen e standardeve:
“Bllokimi i privatizimit ndikon drejtpërdrejt në operacionalizimin e standardeve, për arsye se njëri prej grupeve punuese ka të bëjë edhe me ekonominë dhe çështjet pronësore. Nëse procesi i privatizimit nuk vazhdon, atëherë kjo seriozisht e dëmton edhe plotësimin e kushteve”, theksoi zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës.
Për të gjitha këto vendime të qeverisë vendore, zyrtarja për media në shtyllën e katërt të UNMIK-ut, Monik de Groot, tha se administrata ndërkombëtare dhe AKM-ja, aktualisht nuk kanë ndonjë qëndrim, mirëpo, shtoi ajo, pasi qeveria t’i drejtojë AKM-së zyrtarisht kërkesën, atëherë sipas saj, pritet që t’i jepet një përgjigje kërkesës së qeverisë së Kosovës.


XS
SM
MD
LG