Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS DUHET TË KËNË MË SHUMË KOMPETENCA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Institucioneve të Kosovës duhet t’u jepet mundësia që të kontribuojnë më shumë në përmbushjen e standardeve para statusit. Kështu u tha sot në një tryezë të rrumbullakët mbi temën “Standardet para Statusit” të organizuar nga Forumi Kosova 2015, që mbledh rreth vetes disa organizata joqeveritare. Veton Surroi, publicist, duke vlerësuar aspektin kalendarik për përmbushjen e këtyre standardeve, vitin 2004 e ka cilësuar si të humbur për shkak të, siç tha ai, mungesës së një politike të zhvillimit në Kosovë. Ai tha se dhe në kohën kur është publikuar qasja “Standardet para statusit” nga ish kryeadminstratori i Kosovës,Mihajl Steiner, ka pasur vërejtje dhe magësi:
“Mangësia e parë është mungesa e operacionalizimit të kësaj politike, mungesa e dytë e afatit kohor për vendosjen e këtyre standardeve dhe mungesa e tretë ka qenë tek bartësit e obligimeve. Sepse të thuhet se Kosova duhet të përmbushë disa standarde para se të plotësojë statusin, njekohësisht duhet të shpjegohet se kush duhet të bartë barrën e pëgjegjësisë. A është kjo politikë e UNMIK-ut apo politikë për institucionet kosovare, apo politikë e përbashkët në mes UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës."
Në anën tjetër duke folur për operacionalizimin e këtyre standardeve, Isuf Berisha, nga Fondacioni për Shoqëri të hapur tha se tash është më rëndësi që administrata e Kombeve të Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të bëjnë një operacionalizim sa më produktiv të standardeve. Në këtë kuadër, ai u përqëndrua në lirinë e lëvizjes, kthimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pakicave.
"A nuk është çështje praktike dhe urgjente fjala vjen kthimi i fondeve pensionale të Kosovës të uzurpuara nga Serbia, në kohën kur mbi 100 mijë pensionistë janë bërë raste sociale, ose kthimi i dokumentacionit të grabitur?Dhe mbi të gjitha a nuk është çështje praktikë urgjente nevoja e ndërprerjes së ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë me struktura të ndryshme paralele, nga ato administrative deri tek ato ushtarake’’ tha zoti Berisha..
Ylber Hysa, nga Asociacioni Kosovar për Iniciativa Qytetare, ka thënë se një pjesë e këtyre standardeve do të jetë e vështirë të përmbushen, duke pasur parasysh përgjegjësitë e rezervuara për administratën ndërkombëtare.
“Kush e evaluon zbatimin e standardeve dhe të KSIP-it në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë? A është Mitrovica standard gjithashtu dhe a është tërësia tokësore dhe administrative e Kosovës një prej standardeve prej të cilave varen standardet? Nëse po atëherë pala kosovare vështirë se mund të jetë përgjegjëse për këtë detyrë pa kompetenca. Dhe kush do të jetë kompetenetë për evaulimin e Mitrovicës në mesin e vitit 2005’.’
Besim Beqaj, koordinator për Kosovën i Paktit të Stabilitetit, duke folur për përmbushjen e standardeve në fushën e ekonomisë tha:
“Është qëlluar një hap relativisht i mirë në përgatitjen e nënshkrimeve të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Një është realizuar ndërsa të tjerat kanë hasur në pengesa. Pengesat janë të natyrës së thjeshtë, jo të natyrës operacionale, apo përshkak të mangësisë së kompetencave dhe të mangësisë ligjore, mirëpo interferencave të politikës nga jashtë"..
Të gjithë pjesëmarrësit thanë se kjo periudhë, e cila është dashur të karakterizohet me një frymë të ngushtë bashkëpunimi ndërmjet UNMIK-ut dhe autoriteteve vendore, po përshkohet me një mungesë bashkëveprimi. Nga administrata ndërkombëtare, në këtë tryezë ka marrë pjesë Carne Ross, i cili tha se përmbushja e standardeve nuk duhet të jetë imponim nga bashkësia ndërkombëtare, por vullnet i qeverisë së Kosovës.
" Afatizimi i standardeve nga nënsekretari amerikan i shtetit, Mark Grossman, më në fund ka krijuar një horizont për marrjen e vendimeve që do të kenë rëndësi të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës," tha zoti Ross. Ai në fund paralajmëroi se në ditët e ardhshme administrata ndërkombëtare do të publikojë planin e parë, në të cilin do të nënvizohen qartë standardet që pritet të përmbushen nga kosovarët gjatë vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG