Ndërlidhjet

NATO NUK I PËRGJYSMON FORCAT E SAJ NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Situata aktuale në Kosovë, siç është vlerësuar nga ekspertët e NATO-s, nuk le hapësirë për ndryshime dramatike në misionin e KFOR-it atje, ka thënë sot në Bruksel në takim me gazetarët, një zyrtar i lartë i kësaj aleance.
Ai ka thënë se kjo vlen edhe për mundësinë e zvogëlimit të numrit të ushtarëve të NATO-s në Kosovë dhe shtoi se për shkak të situatës, nuk mund të pritet ndonjë zvogëlim. Ndryshime esenciale nuk do të ketë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Mund të bëhen vetëm ndryshime kozmetike, tha ky zyrtar, duke shtuar se zvogëlimi gradual i numrit të ushtarëve të NATO-s, deri më tani në Kosovë, ka qenë në bazë të vendimit të Ministrave të NATO-s të miratuar vitin e kaluar. Këtë vlerësim të situatës nga ana e ushtarakëve të NATO-s, do ta kenë parasysh edhe Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të kësaj aleance, të cilët takohen të hënën në Selinë e NATO-s në Bruksel. Ministrat priten të miratojnë edhe revidimin e operacioneve në Ballkan dhe Afganistan. Sugjerimi që të mos ketë ndryshime as në numër dhe as në natyrën e misionit të KFOR-it në Kosovë, është bërë për shkak të situatës, e cila vlerësohet ende fragile. Në anën tjetër në Bosnje-Hercegovinë, NATO-ja ka vlerësuar se është arritur përparim i konsiderueshëm, për këtë arsye pritet dhe plotësimi gradual i misionit të SFOR-it atje, në mënyrë që ai të kalojë në duart e Bashkimit Evropian sipas të gjitha gjasave vitin që vjen. Në Bosnje po ashtu do të ketë mundësi që NATO-ja të zvogëlojë e ndoshta edhe të përgjysmojë numrin e ushtarëve atje, sepse situata duket më e favorshme.

XS
SM
MD
LG