Ndërlidhjet

MOORE:"JOPARIMËSIA E ATYRE QË SHESIN PARIME"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kohëve të fundit në mjediset e të caktuara dëgjohen interpretime sipas të cilave intervenimi i NATO-s ishte në Kosovë ishte i pajustifikueshëm dhe i panevojshëm. Kush janë këto forca dhe në ecencë çfarë dëshirojnë?

PATRICK MOORE
Mendoj që në mënyrë që t'i përgjigjemi kësaj pyetjeje duhet të rishikojmë pak historinë e politikës së jashtme amerikane. Gjatë 200 vjetëve që ne kemi qenë një vend i pavarur kemi patur dy tradita të ndryshme kontradiktore në kulturën tonë politike. E para është kultura aktiviste dhe kjo u formulua më mirë nga motoja e presidentit amerikan Willson gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ai tha se ishte detyra e Shteteve të Bashkuara ta bënin botën të sigurt për demokracinë. Kjo është një nga traditat të cilën dëgjuesit tuaj e dinë më mirë. Gjithsesi ka një traditë tjetër izolacioniste. Kjo traditë izolacioniste u krijua nga presidenti jonë i parë Xhorxh Uashington në adresimin e tij të lamtumirës për kombin në 1797, kur ai la postin e tij në të cilin nxiti Shtetet e Bashkuara të mënjanonin ngatërrimin në aleanca. Për rreth 100 vjet të gjithë fëmijët amerikanë mësuan fjalimin e lamtumirës së Uashingtonit dhe mësuan që në marrëdhëniet me jashtë ne duhet të evitonim ngatërrimin në aleanca të ndryshme, gjë që do të thoshte të kujdeseshim vetëm për interesat tona. Kjo e gjitha ndryshoi në shekullin e 20, kur shpërthyen konfliktet në Evropë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë botërore, të cilat na futën në tabllo. Pra u detyruam të vinim në Evropë dhe të ndihmonim evropianët të zgjidhnin problemet të cilat, ata vetë nuk mund t'i zgjidhnin. Nuk i zgjodhëm këto luftra, por u detyruam të hymë në to. Mësimi të cilin shumica e amerikanëve nxorrën nga Lufta e Parë Botërore dhe sidomos nga Lufta e Dytë Botërore është që ishte në interesin tonë të përpiqeshim të parandalonim një luftë të re në Evropë, pra një Luftë të Tretë që të ndodhte. Për këtë arsye, pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara u angazhuan më shumë në çështjet evropiane sesa gjatë Luftës së Parë, kur trendi izolacionist u rikthye sërisht dhe pas Luftës së Dytë Botërore ne ndihmuam në krijimin e NATO-s dhe mbështetëm procesin e integrimeve evropiane, ndërtimin e institucioneve si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këto janë pjesë e një rrjeti integrimi ndërkombëtar që amerikanët inkurajuan me idenë se ky hap do të ndihmonte në parandalimin e një lufte të re. Tradita izolacioniste mbetet. Këtë në Shtetet e Bashkuara e gjejmë në spektrin e majtë, me njerëz të cilët argumentojnë se duhet të shpenzojmë paratë tona në banesa, shkolla, spitale dhe në spektrin e djathtë nga njerëz të cilët rikujtojnë thirrjen e Uashingtonit që duhet të evitojmë ngatërrimin në aleanca. Konfliktet nëpër botë nuk na interesojnë dhe nuk është puna jonë. Që kur luftërat përfshinë ish-Jugosllavinë, disa nga këto zëra u ngritën sërisht nga shkrimtarë të së djathtës republikane, por jo vetëm ata dhe ata argumetojnë se konfliktet në ish-Jugosllavi nuk ishin puna jonë dhe që duhet t'ua kishim lënë evropianëve por e dimë praktikisht që kjo është një pikëpamje injorante. Por ka njerëz të tillë që shkruajnë dhe disa prej tyre motivohen nga urrejtja ndaj ish-presidentit amerikan Klinton por do doja që të ngrija një çështje të rëndësishme. Para disa javësh kryeministri britanik Toni Blair tha se ai nuk ja ka frikën Amerikës nëse ajo vepron vetëm, por ai i trembet izolacionizmit amerikan dhe kjo nënkupton se kjo qasje është reale dhe është e pakëndshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, a mund të gjenden në mesin e forcave që i kundërvihen intervenimeve të jashtme edhe ata që i kundërvihen pikërisht tani intervenimit amerikan në Irak?

PATRICK MOORE
Po në një farë shkalle i kundërviheshin luftës në Irak. Ata ishin njerëz të cilët përfaqësonin disa gazeta konservative dhe mendime në Shtetet e Bashkuara por ishin një pakicë mes mendimtarëve konservatorë. Shumica e mendimtarëve konservatorë dhe politikanëve të këtij krahu argumentojnë se ishte koha që të rrëzonin Sadam Huseinin nga pushteti nëse duam të fitojmë luftën kundër terrorizmit. Por kam parë artikuj dhe kjo do të ishte me interes për lexuesit tuaj, nga disa mendimtarë konservatorë që rastësisht janë të origjinës serbe dhe që argumentojnë kundër ndërhyrjes në Afganistan, kundër ndërhyrjes në Irak, dhe në një artikull 5 faqesh theksojnë në një paragraf që ishte gabim të ndërhyje në Bosnje dhe në Kosovë. Ata nuk reklamojnë faktin që janë me origjinë serbe, por në kuadrin e një argumentimi më të gjerë synohet apelimi i një lloji të veçantë lexuesi që ata bëjnë politikat që u shërbejnë interesave serbe. Siç e thashë nuk kanë pse të përmendin veten e tyre që janë me origjinë serbe, por më vijnë ndërmend 2 shkrimtarë të kësaj kategorie.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, në këtë kontekst, si i komentoni kërkesat e disa aleatëve evropianë që gjendja në Irak të zgjidhet brenda natës përderisa të njëjtët harrojnë që në Kosovë 4 vjet më pas nuk është zgjidhur madje as çështja e energjisë elektrike.

PATRICK MOORE
Sigurisht keni shumë të drejtë. Më kujtohet në udhëtimin tonë në Kosovë që nuk kishte një ankesë që dëgjova më shumë nga gjithsecili sesa ajo që nuk ka drita. Por edhe pse ka katër vjet e gjysëm dhe investimi i atyre 500 apo 600 milion eurove, siç na thanë disa njerëz, ende janë këto probleme. Mendoj se arsyeja për këto ankesa, për këtë çështje të shpejtësisë në Irak është shumë cinike. Jo vetëm që këta njerëz nuk janë në gjendje që të zgjidhin problemet energjetike të Kosovës, por janë gjithashtu të njëjtët njerëz që na thanë para se të intervenonim në Irak që zgjidhja e problemeve aty do të kërkonte vite të tëra. Pra në fillim thanë vite e vite dhe tani duan që ne t'i zgjidhim gjërat brenda disa muajsh. Ka diçka qesharake në këtë mes. Mendoj se këta njerëz veçanërisht francezët kishin tregti të mirë me Sadam Huseinin dhe interesa të veçanta në industrinë e naftës në Irak si dhe gjëra të tjera, duan disa prej borxheve të tyre që t'u kthehen, dhe që marrëveshjet e tyre për naftën me qeverinë e mëparshme do të respektohen. Sa më shpejt që të largohen amerikanët nga Iraku aq më mirë bëhet për ta. Nuk jam shumë i sigurt që mendojnë në mënyrë korrekte dhe do doja që të tërhiqja vëmendjen që kancelari gjerman Shrëder duket se vlerëson vështirësinë e situatës kur tha për gazetën gjermane Der Spiegel që është në interesin e Gjermanisë dhe të Evropës që Amerikanët t'ia arrijnë qëllimit dhe vetë Gjermania duket të jetë në negociata për të falur disa nga borxhet e saj të vjetra dhe ky është një sinjal shumë i mirë që vjen nga Gjermania.
Intervistoi: Melazim Koci

XS
SM
MD
LG