Ndërlidhjet

logo-print

NË ISNIQ U VARROS POLICI I SHPK-SË ISUF HAKLAJ


Rrahman Paçarizi, nga Isniqi i Deçanit

Mijëra qytetarë të Kosovës janë mbledhur sot në fshatin Isniq të Deçanit për t’i bërë nderimet e fundit pjesëtarit të shërbimit Policor të Kosovës, Isuf Haklaj, që ndërroi jetë të premten natën, nga plagët që kishte marrë në një sulm të armatosur të hënën, deri sa po shkonte në punë, me dy kolegë të tij, Sebahate Tolajn e vrarë atë ditë dhe Izat Latajn që shpëtoi me plagë të lehta.
Në ceremoninë e varrimit mori pjesë edhe shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, i cili pasi vizitoi familjen e policit Isuf Haklaj tha se nuk e kishte njohur personalisht të ndjerin, por e dinte se si ndihet familja e tij sot, pasi edhe babai im ka qenë polic, tha Holkeri. Ai tha se e dinte se Haklaj ka zgjedhur të jetë polic, në mënyrë që të jetë në shërbim të popullit të tij:
"Ndërsa policët e SHPK-së po rriten në numër dhe aftësi dhe po marrin detyra më të rëndësishme dhe më të vështira, SHPK po bëhet më e rrezikshme për krimin, por pjesëtarët e saj gjithnjë e më shumë po janë në vijën e zjarrit," tha zoti Holkeri, sipas të cilit SHPK tani është e respektuar nga e gjithë shoqëria kosovare si rezultat i përkushtimit të policëve si Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj që u vranë në këtë sulm barbar.
"Mafia mbështetet në frikën që krijojnë për të siguruar heshtjen tuaj, ndërsa shoqëritë ku kjo frikë dhe kjo heshtje lejohen të mbizotërojnë, kriminelët asnjëherë nuk mund të munden," tha zoti Holkeri, duke ftuar njerëzit të bashkëpunojnë me policinë në mënyrë që vrarësit të mos mund të jenë fitimtarë. Prandaj, nëse të gjithë ne tani vendosim që të ngritemi kundr krimit, Kosova do të arrijë të shkojë rrugës që e meriton pas gjithë vështirësive nëpër të cilat ka kaluar.
Një telegram ngushëllimi për familjen Haklaj e kishte dërguar edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Isuf Haklaj vdiq natën e të premtes, pas pesë ditësh përpjekjeje për të mbijetuar në spitalin e Prishtinës, nga plagët që kishte marrë në sulmin e të hënës, në të cilin ai qe plagosur rëndë, ndërsa qe vrarë në vend kolegia e tij, Sebahate Tolaj. Që të dy viktimat e këtij sulmi, kryesit e të cilit ende nuk dihen, kanë qenë gjatë luftës pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të bashkëluftëtarëve nga polici Haklaj është ndarë ish-komandanti i tij, Rrustem Berisha:
"Plumbat që vranë Isufin dhe Sebahaten patën për qëllim të vrasin institucionet e Kosovës, por nuk ia arritën. Ata me këtë rast kanë plagosur rëndë besimin e popullit te policia e UNMIK-ut, të SHPK dhe dhe te drejtësia e Kosovës," tha zoti Berisha, duke shtuar se bashkëluftëtarët e Isuf Haklajt nuk do të pajtohen me retorikën hetimet vazhdojnë. Polici Isuf Haklaj është pjesëtari i pestë i Shërbimit Policor të Kosovës që humb jetën duke kryer detyrën ose në lidhje me detyrën prej polici, kanë thënë zyrtarë të SHPK-së.




XS
SM
MD
LG