Ndërlidhjet

LIMANI: AGJENCIONI KOSOVAR I MIRËBESIMIT ËSHTË SHNDËRRUAR NË AGJENCION TË MOSBESIMIT


Musa Limani, ekspert ekonomik

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Limani, si kishit për t'a komentuar momentin aktual të privatizimit?

MUSA LIMANI
Për fat të keq tani Agjencioni i Mirëbesimit të Kosovës tani është shndërruar në Agjencion të Mosbesimit. Vetë pezullimi i procesit të privatizimit të jep të kuptosh se diçka nuk është në rregull, por i nxjerr në pah ato mangësi dhe probleme me të cilat ka filluar procesi i privatizimit. Procesi i privatizimit ka shumë të meta. E para është se është vonuar për rreth 4 vjet. E dyta është bërë me ngut dhe pa pregatitje. I mungon infrastruktura juridike, analizat ekonomike, si dhe vetë forma dhe modeli i privatizimit nuk i përgjigjen kushteve specifike, ekonomike dhe shoqërore, prandaj të gjitha këto probleme, janë ato me të cilat po ballafaqohet procesi i privatizimit dhe pikërisht këto janë pengesat kryesore që pengojnë ecjen e mëtejshme të këtij procesi me rëndësi vitale për reformat ekonomike dhe shoqërore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyra ligjore e Kombeve të Bashkuara insiston që në procesin e privatizimit të merren parasysh ligjet e aprovuara pas 23 marsit 1989, kur me forcë është shuar autonomia e Kosovës. Si i vlerësoni ato ligje?

MUSA LIMANI
Të gjitha ligjet të cilat janë bërë pas heqjes së autonomisë së Kosovës, janë ligje pa bazë, sepse janë bërë me qëllime të caktuara dhe kanë karakter diskriminues. Prandaj dhe zoti Kuchner, kryeadministratori i parë, duke u nisur nga qëllimi i këtyre ligjeve, nxorri një rregullore dhe i pezulloi të gjitha ligjet, të cilat kanë karakter diskriminues. Mund të zbatohen vetëm ato ligje të cilat janë efektive. Prandaj të gjitha ato akte, ato ligje që janë nxjerrë pas heqjes së autonomisë së Kosovës, pa praninë e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe pa praninë e shqiptarëve, janë të papranueshme. Vetë fakti se pas vitit 1989 me dhunë u larguan mbi 150 000 shqiptarë nga vendet e tyre të punës, u bënë integrimet e dhunshme të ndërmarrjeve më të suksesshme të Kosovës me ato të Serbisë, tregon që këto akte juridike kanë patur pra qëllim diskriminues ndaj Kosovës. Prandaj as UNMIK-u dhe askush tjetër nuk ka të drejtë që këto ligje t'i aktivizojë në disfavor të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Limani, në fillim të karrierës suaj profesionale keni punuar në entin e atëhershëm krahinor të planifikimit shoqëror, prandaj do të ishte me interes për dëgjuesit të flisnit për format e themelimit të ndërmarrjeve shoqërore.

MUSA LIMANI
Burimi kryesor financiar i formimit të ndërmarrjeve, të cilat tani gjenden në sektorin shoqëror, është Banka Botërore, përkatësisht kreditë nga Banka Botërore, për të cilat ka garantuar ish-Jugosllavia ( Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë). Burimi tjetër ka qenë Fondi federativ i ish-federatës Jugosllave për kreditimin e viseve jo mjaft të zhvilluara. Këtu kanë marrë pjesë në alimentimin e këtyre mjeteve të gjitha republikat, pra edhe vetë Kosova dhe pastaj janë ndarë me një çelës sipas kritereve që i ka caktuar Federata Jugosllave, përkatësisht qeveria dhe normalisht pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve tona është bërë me kreditë komerciale, kanë kthyer përqindjet dhe mund të them se ato tani janë ngritur, zgjeruar, modernizuar etj, vetëm në saj të njerëzve, të klasës punëtore të Kosovës. Prandaj edhe gjithë kjo pasuri e prodhuar në Kosovë prej viteve 1945 deri në ditët e sotme i takon vetëm Kosovës dhe askush nuk ka kurrfarë të drejte as juridike, as ekonomike, në pasurinë e prodhuar në ekonominë e Kosovës me djersën e klasës punëtore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Të përfundojmë me integrimet e dhunshme të cilat i përmendët. Ishin ato fiktive apo integrime që i kanë ndihmuar ekonomisë së Kosovës?

MUSA LIMANI
Normalisht vetë fjala integrime të dhunshme të jep një kuptim që nuk është bërë mbi baza të shëndosha juridike, për arsye se punëtorët shqiptarë kanë qenë jashtë kolektivave, nuk kanë qenë me pëlqimin e punëtorëve, do të thotë kanë mundur të aplikohen akte juridike për integrim pa pëlqimin e punëtorëve. Aktet juridike kanë qenë fiktive pasi kanë qenë të njëanshme, sepse masat që kanë qenë në organizatat tona ato kanë qenë kundër interesit të klasës punëtore të Kosovës, kundër ekonomisë së Kosovës dhe nuk ka patur kurrfarë problemi që të nxirret një akt apo një marrëveshje për integrim. Prandaj Serbia këtu, jo vetëm nuk ka futur kurrfarë kapitali të freskët, por përkundrazi ka plaçkitur me anën e integrimeve. Ajo ka thithur fondet e ndërmarrjeve tona dhe normalisht ka bërë plaçkitjen e pajisjeve më moderne dhe në këtë mënyrë i ka dërguar në ndërmarrjet në Serbi dhe në formë shumë perfide juridike dhe ekonomike ka bërë plaçkitjen e ekonomisë së Kosovës.

Intervistoi Gëzim Baxhaku

XS
SM
MD
LG