Ndërlidhjet

FUSHATË SENSIBILIZIMI NË DITËN BOTËRORE KUNDËR SIDA-S


Alma Çupi

Rasti i parë me SIDA në Shqipëri u zbulua më 1993. Që prej atij viti numri i të zbuluarve është 115 persona të infektuar.
Me qirinj në duar, të rinj dhe fëmijë marshuan sot rrugëve të Tiranës në kujtim të atyre, që kanë vdekur nga sëmundja e SIDA-s. Në Shqipëri numri i të vdekurve nga kjo sëmundje ka shkuar në 40, ku mes tyre janë
edhe fëmijë. Sot në ditën botërore kundër SIDA-s, Shqipëria del me moton që të sëmurët me SIDA nuk duhet të diskriminohen, por të ndihmohen.
Ministri i Shëndetësisë prof. Mustafa Xhani, tha sot në ditën botërore kundër SIDA-s, që numri i të infektuarve në Shqipëri llogaritet në disa qindra pavarësisht se jo të gjithë janë zbuluar.
"Rreth disa qindra mendohen të jenë të infektuar, të cilët ndoshta nuk e dinë që mbartin këtë infeksion. Më tepër se gjysma e rasteve të identifikuara i përkasin 3 viteve të fundit në moshat kryesisht 20-40 vjeç. Vetëm sivjet kemi 18 raste të reja me HIV-AIDS, ku gjysma e tyre janë femra. Këto numra nuk janë vetëm shifra, ato paraqesin jetë njerëzish të vërtetë, të cilët së bashku me familjet e tyre përballen me këtë sëmundje", tha prof. Xhani.
Silva Bino, Drejtoresha e Insitutit të Shëndetit Publik, i vetmi vend ku çdo njeri që dyshon për një sjellje të rrezikshme mund të kryejë analizat falas, thotë se pavarësisht se numri i vullnetarëve që duan
të testohen është rritur, sërisht popullata në Shqipëri nuk është e sensibilizuar sa duhet rreth virusit HIV:
"Vihet re një rritje e numrit të vullnetarëve 2 vitet e fundit, gjë që tregon se ka një ndërgjegjësim. Megjithatë ne nuk jemi të kënaqur dhe pikërisht këto fushata promovuese kanë për qëllim që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të vijnë të bëjnë egzaminimin ndaj HIV-AIDS-it."
Një nga shqetësimet e epidemiologëve është se popullata në Shqipëri nuk është e ndërgjegjësuar sa duhet për përdorimin e masave mbrojtëse me qëllim që të ruhet nga virusi HIV.
"Është rreth 5-6 %. Kjo shifër është akoma e ulët dhe pikërisht përdorimi i kondomëve është akoma i ulët, pavarësisht nga përpjekjet e mëdha që po bëhen", tha zonja Bino.
Aktivitetet sensibilizuese sot në ditën botërore kundër SIDA-s do të përfshijnë të gjithë Shqipërinë. Një autobuz që do të përshkuajë disa qytete dhe do të shpërndajë fletëpalosje me informacion të bollshëm për masat mbrojtëse ndaj kësaj sëmundje që vetëm brenda këtij viti mori 3 milionë jetë në mbarë botën. Ministria e Shëndetësisë, për të infektuarit në Shqipëri ka menduar që në Spitalin Infektiv të
ngrihet një repart për fëmijët e infektuar dhe të çelet një fond prej 150 mijë dolarësh për trajtimin e të sëmurëve. Të solidarizuar në këtë ditë janë edhe artistët, të cilët do të marrin pjesë në një koncert madhështor në qendër të Tiranës, në shenjë bamirësie për të ndihmuar të infektuarit me HIV.


XS
SM
MD
LG