Ndërlidhjet

RRITJE E NUMRIT TË TË INFEKTUARVE ME HIV NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Që nga vitit 1986 e deri më sot, kur shënohet dita ndërkombëtare e luftës kundër SIDA-s, në Kosovë janë regjistruar 54 raste të personave të infektuar me virusin HIV, i cili e shkakton këtë sëmundje, ndërkohë që vetëm gjatë këtij viti janë shënuar 7 raste të reja të të infektuarve me virusin vdekjeprurës.
Sipas statistikave të Komitetit Kosovar për SIDA-n, deri në vitin 1999 në Kosovë janë shënuar vetëm 3 raste të personave të infektuar me virusin HIV, ndërsa pas luftës në Kosovë është shënuar rritje e numrit të infektuarve dhe tendenca e kësaj rritjeje ende vazhdon. Dr. Xhevat Jakupi nga Komiteti Kosovar për SIDA-n, thekson se rritja e numrit të të infektuarve nuk do të thotë se këta persona janë infektuar pas vitit 1999.
"Duhet cekur se këta persona me siguri janë infektuar para vitit 1999, sepse për shkak të vetë specifikave të infeksionit me HIV dhe periudhës së nevojshme kohore për t'u shfaqur ai, është kjo gjendje që ne mendojmë se ata janë infektuar para shumë viteve dhe sot lëngojnë nga kjo sëmundje", thotë Dr. Xhevat Jakupi.
Sensibilizimi i opinionit për rrezikun nga sëmundja e SIDA-s si dhe formimi i qëndrave këshilluese lidhur me këtë sëmundje, kanë qenë prioritetet e deritanishme të Komitetit Kosovar për SIDA-n. Ndërkaq të rinjtë kosovarë theksojnë se njohuritë e tyre për këtë sëmundje janë ende të pakta. Agim Berisha, një i ri nga Suhareka thotë:
"Sa i përket kësaj sëmundjeje ne kemi njohuri shumë të vogla. Kemi dëgjuar nga mediat, gazetat ose mediat elektronike, ndërsa në shkolla është mbuluar shumë pak pas luftës përmes seminareve të vogla". Ndërsa Gjergj Vrishta nga Gjakova shpreh mendimin se të rinjtë duhet vetë të marrin masa preventive për t'u mbrojtur nga kjo sëmundje.
"Mbrojtja prej SIDA-s mendoj duhet të jetë pikë së pari vetëdijësimi i njerëzve dhe mbrojtja gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale përmes prezervativëve. SIDA e dimë se mund të shfaqet edhe nga narkomanët përmes përdorimit të një shiringe nga dy apo tre persona, dhe ndonej kontakti seksual me një narkoman. Do isha mbrojtur duke mënjanuar kontaktin me këta njerëz të dyshimtë. Jo largimin nga ata, pasi njerëzit me SIDË ndoshta kanë nevojë më së tepërmi për ne që t'ju ndihmojmë moralisht", thotë Gjergj Vrishta.
Ndërsa Dorutea, një e re nga Prishtina thotë:
"Ndoshta duhet ndenjur larg tyre, të mos kesh ndonjëfarë kontakti, duhet të kihet shumë kujdes për të mos ndenjur me ata njerëz. Është pak e vështirë mendoj që t'i përkrahim, por nuk është dhe shumë e vështirë për t'i qetësuar ndoshta shpirtërisht. Nga vetë fakti që janë njerëz duhet të përkrahen pa marrë parasysh se përse janë të sëmurë".
Zoti Jakupi thekson se gjatë këtij viti rreth 60 ekspertë kosovarë dhe të huaj kanë punuar për krijimin e strategjisë së Kosovës, për parandalimin e SIDA-s.
"Kjo strategji është një gërshetim i nevojave të kosovarëve si dhe përvojës më të mirë ndërkombëtare deri më tani. Fokusohet në promovimin e sjelljes së shëndoshë brenda popullatës së Kosovës, veçanërisht tek grupet më të rrezikuara siç janë të rinjtë dhe popullata migruese, punëtorët e seksit komercial ose prostituta siç i quani, homoseksualët, shfrytëzuesit e drogave injektuese, si dhe personeli mjeksor, sepse këto grupe zakonisht në secilin vend janë më të atakuar ndaj virusit HIV", thotë zoti Jakupi, duke shtuar se kjo strategji do të ketë në fokus edhe themelimin e sistemit të mbikqyrjes epidemiologjike si dhe themelimin e shërbimeve për këshillim, testim, trajtim dhe përkrahje psikologjike për personat që janë të prekur nga SIDA. Sidoqoftë për shkak të mungesës së fondeve dhe shërbimeve përcjellëse laboratorike, në Kosovë ende nuk aplikohet terapia antiretrovirale, e cila tek personat e prekur nga virusi HIV, pengon shumimin e këtij virusi.


XS
SM
MD
LG