Ndërlidhjet

BEOGRAD


Shefi i UNMIK-ut Hari Holkeri tha se edhe për Kosovën duhet të kërkohet falje dhe të pranohet përgjegjësia për atë që ka ndodhur.
"Muajin e kaluar, liderët e Beogradit i kërkuan falje popullit të Bosnjë-Hercegovinës për fatkeqësitë e pësuara. Një pranim i ngjashëm i përgjegjësisë për atë që ndodhi në Kosovë, do ti zbuste tensionet në Kosovë dhe Serbi, tha Holkeri në një konferencë Ndërkombëtare në Beograd kushtuar tolerancës dhe integrimit.
"Në Kosovë u vranë mijëra civilë, u bënë mizori, që shkaktuan 800 mijë njerëz të braktisin vendin. Këto nuk mund të harrohen", tha Holkeri në arsyetimin e tij për kërkimin e faljes nga ana e Beogradit për atë që ndodhi në Kosovë.
"Pajtimi nuk do të kishte pengesa nëse Kosova nuk do të shfrytëzohej si letër nacionaliste në politikën e brendshme të Serbisë", ka vlerësuar Holkeri.
Ai tha se në Kosovë tani tensionet kanë rënë, duke e ilustruar këtë me pjesëmarrjen e pakicave etnike në Shërbimin Policor.
"Shumë pjesëtarë të pakicave nuk e kanë lirinë e lëvizjes, ndërsa nga ana tjetër, disa pjesëtarë të pakicave nuk e pranojnë realitetin se jetojnë në një protektorat ndërkombëtar. Në Kosovë ka progres, por punët ende janë larg nga përfundimi", tha Holkeri.
XS
SM
MD
LG