Ndërlidhjet

B.BEQAJ: NGECJA E PRIVATIZIMIT PENGON INTEGRIMIN RAJONAL TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Krahas statusit të padefinuar të Kosovës, edhe ngecjet në procesin e privatizimit, janë bërë pengesë reale e integrimit të Kosovës në rrjedhat rajonale, ka pohuar dje, Besim Beqaj, shef i zyrës së qeverisë së Kosovës në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Ndërprerja e privatizimit jo vetëm se është reflektuar sa i përket zhvillimin ekonomik në Kosovë, por ka shkaktuar efekte shumë negative dhe në tërheqjen e investimeve nga jashtë, tha Beqaj.
“E gjithë ajo punë që është bërë në kuadër të kompaktit të investimeve, apo për tërheqjen e investimeve nga jashtë, po dështon, për arsye se askush më nuk ka besim në këtë. Në këtë formë, po i dërgohen mesazhe të këqia si komunitetit evropian, ashtu edhe atij ndërkombëtar në përgjithësi, se në Kosovë nuk ka siguri dhe nuk mund të investohet. Kjo normalisht që do të paraqesë edhe pengesa në prezantimin tonë ndërkombëtar, pasi nëse ne nuk mund ta bëjmë një privatizim, i cili është shumë i qartë nga aspekti ligjor dhe procedural të paraparë me rregullore, atëherë do të jetë shumë vështirë që në bashkëpunimet ndërkombëtare ne të avancohemi”, tha Beqaj.
Përndryshe, qeveria e Kosovës, në mesin e kërkesave të shtruara lidhur me vazhdimin e privatizimit, së fundi pati kërkuar dhe shpalljen e pazbatueshme të ligjeve të sistemit të kaluar serb në Kosovë, mirëpo, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot nuk e ka vënë në rendin e ditës të seancës së ardhshme plenare këtë kërkesë. Deputeti Fatmir Sejdiu, tha se kërkesa e qeverisë ka mbetur të shqyrtohet nëpër komisionet përkatëse, para se të merret ndonjë vendim konkret:
“Ne në këtë rast nuk kemi ndonjë propozim konkret. Do të thotë do të shikohet, do të procedohet në mënyrë të rregullt, dhe do të shikohet, ndonjë përgatitje apo propozim konkret që do të jepet edhe nga ana e Kuvendit, pastaj do të vijë puna në Kuvend, do të shohim”, tha Fatmir Sejdiu.
Ndërsa, deputeti Oliver Ivanoviç, mendon se kërkesa e qeverisë edhe nëse miratohet në Kuvend nuk do të prodhojë efekte, sepse sipas tij, procesi i privatizimit ka filluar qysh gjatë viteve 90t dhe se tjetërsimi i pronës i bërë gjatë asaj periudhe, sipas Ivanoviçit, nuk mund të zhvleftësohet përmes një vendimi politik:
"Çështjet parimore",- sipas Ivanoviqit,-" që duhen zgjidhur fillimisht lidhur me vazhdimin e procesit të privatizimit, janë çështja e borxheve për kreditet që Banka Serbe i ka marrë nga Banka Botërore për ndërmarrjet kosovare dhe investimet e tyre," kredi këto që sipas tij, llogariten në 1 miliardë e 450 mijë dollarë, pastaj të zgjidhet çështja e aksionarëve dhe e punëtorëve serb, në mënyrë që të shihet më pas se cilat janë rrugët që mund të ndiqen për rimëkëmbjen apo privatizimin e ndërmarrjeve në Kosovë.
Ndërkohë, pavarësisht pengesave aktuale, që shkakton statusi i pazgjidhur dhe pengesat tjera siç është aktualisht ndërprerja e privatizimit, Kosova po i vazhdon përpjekjet e saj që të mos mbetet vrimë e zezë në Evropën e integruar, ka thënë Besim Beqaj. UNMIK-u dhe qeveria vendore, tha ai, do ta prezantojnë Kosovën në tryezën e Paktit të Stabilitetit që do të mbahet më 4 dhe 5 dhjetor në Tiranë.
Ndërsa duke përmbledhur aktivitetin e deritanishëm, Beqaj veçoi përfshirjen e Kosovës në kuadër të Tregtisë së Lirë në rajon, si dhe në përfshirjen në rrjetin energjetik, kërkesë kjo që sipas tij pritet të miratohet së shpejti.
Kurse fushat në të cilat Kosova nuk ka qasje të mjaftueshme në kuadër të tryezave të Paktit të Stabilitetit, janë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, krimin e organizuar dhe trafikimin, pasi në këto fusha, tha Beqaj, qeveria vendore nuk ka kompetenca për të vepruar.



XS
SM
MD
LG