Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KONSULTIMET INTENSIVE LIDHUR ME PARALAJMËRIMET PËR SUSPENDIMIN E 12 PJESËTARËVE TË TMK-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me gjithë takimet intensive të shefit të UNMIK-ut Harri Holkeri me komandantin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe me shefat e pesë zyrave diplomatike perëndimore në Prishtinë, ende nuk ka asnjë vendim lidhur me paralajmërimet për suspendimin e 12 eprorëve të lartë të TMK-së nga kjo organizatë.
Takimin e fundit të ditës së sotme, shefi i UNMIK-ut, Holkeri e ka pasur me komandantin e TMK-së, gjeneralin Agim Çeku, i cili tha se as sot nuk ishte marrë ndonjë vendim:
"Biseduam për problemin që po vazhdon gjashtë muajt e fundit, për hetimin e 12 pjesëtarëve të TMK-së. Nuk morën asnjë vendim. Pritet që nesër në orën dhjetë të takohemi prapë, që do të thotë se jemi duke negociaur se si do ta tejkalojmë këtë problem," tha gjenerali Çeku, duke mos dashur të komentojë më tepër, ndërkohë që dje ka deklaruar se nuk do të pranonte vendimin eventual të UNMIK-ut për të suspenduar 12 pjesëtarët e TMK-së, pasi sipas tij UNMIK-u nuk ka dëshmi relevante për suspendimin e tyre. Në anën tjetër, në përpjekje për të siguruar përkrahjen për suspendimin e 12 eprorëve të lartë të TMK-së, shefi i UNMIK-ut, Holkeri sot në mëngjes ka takuar përfaqësuesit e pesë zyrave diplomatike perëndimore në Prishtinë, që njihen si quinti diplomatik. Askush nuk ka pranuar të flasë për rrjedhat e këtij takimi:
"Duhet të pyesni ndonjë tjetër, pasi ne ende nuk kemi vendosur për asgjë," tha Peter Rondorf, shef i zyrës gjermane, ndërkohë që zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz, tha se deri në marrjen e ndonjë vendimi, nuk mund të fliste asgjë lidhur me këtë çështje:
"E gjitha që mund të them është se Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Holkeri po konsultohet me gjeneralin Çeku, prandaj aktualisht nuk mund të them asgjë tjetër," tha Izabella Karlovicz
Policia ndërkohë, nuk e sheh këtë një çështje në të cilën mund të përfshihet.
Policia nuk është drejtpërdrejt përgjegjëse për menaxhimin, mbikqyrjen apo trajnimin e TMK-së, prandaj aktualisht policia nuk dëshiron të komentojë, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me policinë, tha zëdhënësi Derek Chappel:
"TMK si secila agjenci ushtarake apo policore ka kodin e vet të sjelljes. Nëse ka shkelje të atij kodi është çështje e tyre dhe e KFOR-it dhe UNMIK-ut që të merren me atë punë, ndërsa po pati dëshmi për vepra kriminale, atëherë kjo do të ishte çështje e hetimeve policore," tha zëdhënësi Chappel.
Paralajmërimet për suspendimin e 12 eprorëve të TMK-së kanë të bëjnë me dyshimet se ata janë të përfshirë në aktivitete kriminale. Hetimet brenda Trupave të Mbrojtjes së Kosovës kanë filluar pas minimit të urës hekurudhore më 12 prill të këtij viti, në vendin e quajtur Llozishtë afër Zveçanit në veri të Kosovës. Përgjegjësinë për këtë vepër e mori formacioni që njihet me emrin Armata Kombëtare Shqiptare, e cila në faqen e saj të internetit tha se në vendin e ngjarjes kanë humbur jetën dy pjesëtarë të saj. Njëri prej tyre thuhet të ketë qenë edhe pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Kjo pati si rezultat që ish kryeadministratori i Kosovës, Mihael Steiner, vetëm një javë më vonë të shpallë AKSH-në organizatë terroriste. Nga komandanti i Trupave Mbrojtëse ndërkaq ishte kërkuar që të ndërmarrë masa energjike për spastrimin e TMK-së nga elementet kriminale, kërkesë kjo së cilës gjeneral Ceku i është përgjigjur me degradimin e disa eprorëve të lartë në nivele më të ulëta brenda TMK-së, për shkak të, siç thuhej, dështimit për të përmbushur përgjegjësinë komanduese në lidhje sulmin në Llozishtë.





XS
SM
MD
LG