Ndërlidhjet

NEXHAT DACI: DISA OBLIGIME NË VEÇANTI NDAJ MINORITETEVE, NDAJ GRUPEVE ETNIKE, DUHET T'I KRYEJMË MË ME PËRGJEGJËSI


"Shtetet e Bashkuara janë fuqishëm në anën e zhbllokimit të procesit dhe të kryerjes së procesit të privatizimit sepse është e vetmja mënyrë që neve na krijon një mundësi që të fillojmë një punësim, të fillojmë t'i kthehemi vetëvetes dhe t'i tregojmë elektoratit që mund të merremi edhe me çështje zhvillimore, jo vetëm me thashetheme" – thotë, kryteari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Amerikë?

NEXHAT DACI
Vizita e nënsekretarit të shtetit zotit Grossman në rajon dhe në Kosovë mendoj se i dha një impuls të ri punës në institucionet e Kosovës, po ashtu dhe të bashkësisë ndërkombëtare. U bë një kohë e gjatë që nuk kam qenë në Amerikë rreth një vit e gjysmë dhe ishte një dëshirë që vërtet nga dora e parë ta informojmë qendrën një në botë sa i përket çështjes së Kosovës, për sfidat që i kemi në këtë kohë, për sukseset, por edhe për mossukseset, ngecjet tona dhe mbi të gjitha që me argumente të bollshme të vërtetoj që po vonohemi shumë në realizimin e strategjisë të cilën e kemi përfituar me elektoratin tonë në zgjedhje. Ishte një vizitë konsideroj shumë e dobishme për institucionet tona, në veçanti për parlamentin; një vizitë që besoj do t'i japë impuls të ri shpejtimit të zgjidhjes edhe bartjes së kompetencave, por edhe statusit të Kosovës. Mendoj se nëse ne i kryejmë punët tona dhe i japim shumë argumente bashkësisë ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara në veçanti, do t'a kemi një përkrahje shumë të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët vizitën e zotit Grossman në Kosovë ku ai tha se statusi i Kosovës do të hapet për diskutim rreth mesit të vitit 2005. Në këtë aspekt a ka detaje të reja?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se pas bisedës që kemi pasur në Prishtinë me zotin Grossman, pas ofrimit të argumenteve të miat dhe koncepteve se si e shoh unë ardhmërinë e zgjidhjes së problemit, zoti Grossman, edhe në Shkup edhe në Tiranë, deklaroi se Kosova mund të jetë e gatshme edhe rreth vitit 2004. Prandaj qëllimet e mia janë që ne të punojmë shumë, të jemi më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të Kosovës në rradhë të parë, por edhe të kemi një kurajo më të madhe për t'u treguar qytetarëve se disa obligime në veçanti ndaj minoriteteve, ndaj grupeve etnike, duhet t'i kryejmë më me përgjegjësi, në kuptim të lirisë së qarkullimit të qytetarëve të Kosovës dhe të kthimit në pronat e tyre. Prandaj mendoj që zoti Grossman ishte i qartë edhe në takimet me ne, që ne duhet t'i kryejmë punët tona. Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në të njëjtën mënyrë duke qenë i përgjegjshëm ndaj vetvetes, do ta respektojmë edhe bashkësinë ndërkombëtare edhe ligjet e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, si e vlerësoni në këto momente procesin e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u te vendorët?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që ka stërzgjatje vërtet të panevojshme dhe kuptoj që vazhdimisht po shtyhen gjërat. Njëherë ishte në fillim të dhjetorit, tani më 10 dhjetor. Do të thotë se faktikisht do të kaloj dhe ky muaj. Nga ana tjetër, ai dokument që qarkullon si dokument zyrtar mendoj se nuk ofron diçka të kapshme nga ato që kam pritur unë, nuk ofron afatizim të procesit të vet të detajizuar, ose ndoshta ka ndonjë material që e ruajnë sekret për më vonë që ta dorëzojne. Prandaj humbja në kohë e një muaji për ne do të thotë shumë. Unë jam i mendimit që ne dy vjet po i humbim duke i stërzgjatur, sepse bartja e përgjegjësive në çështjet ekonomike, domethënë në zhvillimet ekonomike, në arsim, në shëndetësi etj, duhet të ishin bërë para dy vjetësh. Prandaj vonesa kaq e madhe do të jetë me rezultate shumë negative për Kosovën, sepse cili është ai elektorat që nesër do ti besoj Dacit, Rexhepit apo Rugovës, për çështjet që do ti themi, nëqoftëse ne nuk po mundemi vërtet t'u përmbahemi dokumenteve me të cilat funksionojmë, pra as rezolutës 1244 as Kornizës Kushtetuese, por llafeve të UNMIK-ut. Vjen një administrator, ndërrohet dhe shkon…vjen një drejtor i privatizimit, pastaj tjetri e ndal atë, tjetri kërkon përgjegjësi…prandaj përshtypja ime është që po bëhen lojëra me qëllim për stërzgjatjen e zgjidhjes së problemeve dhe ne nuk mundemi pa kohë të caktuar t'i tolerojmë më. Prandaj kam mendimin dhe e thashë qartë dhe në Amerikë se, ndoshta, do të pres edhe këtë muaj dhe nëse UNMIK-u nuk i kryen përgjegjësitë e veta, duhet të shohim dhe të ndërmarrim hapat që janë produktivë për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët mendoni se do ishin këta hapa produktivë për Kosovën?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se do të presim njëherë a do të reagoj UNMIK-u dhe të zhbllokoj proceset, prandaj nuk do të shpalosim asgjë paraprakisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj interviste e përmendët procesin e privatizimit që aktualisht është i bllokuar. Është thënë se kjo ka ndodhur për shkak të zbatimit të disa ligjeve të ish-regjimit serb në Kosovë. Si mendoni, deri kur do të vazhdoj ky bllokim dhe kush është përgjegjës për këtë gjë?

NEXHAT DACI
Mendoj që, ashtu siç ja kam thënë edhe Landsdorffit edhe çdokujt, bllokadat janë politike dhe duhet të mënjanohen. Ardhja e strukturës së re brenda AKM-së dhe përfaqësuesve të huaj, në veçanti e njerëzve që vijnë nga rajoni dhe që janë të ndikuar nga fqinjët tanë, po i keqëson marrëdhëniet dhe po na dëmton neve shumë. Prandaj vonesa ka sepse ato vendime është dashur politikisht t'i eliminoj UNMIK-u, por ne jemi duke u përgatitur dhe do të reagojmë, në mënyrë që çdo pengesë që është në privatizim, ta mënjanojmë dhe të jemi të qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqishëm në anën e zhbllokimit të procesit dhe të kryerjes së procesit të privatizimit sepse është e vetmja mënyrë që neve na krijon një mundësi që të fillojmë një punësim, të fillojmë t'i kthehemi vetëvetes dhe t'i tregojmë elektoratit që mund të merremi edhe me çështje zhvillimore, jo vetëm me thashetheme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një tribunë ndërkombëtare në Beograd, dje zoti Harri Holkeri kërkoi "nga të dy palët në Kosovë që të kërkojnë falje për ngjarjet në të kaluarën". Si e komentoni ju këtë deklaratë?

NEXHAT DACI
Unë nuk e kuptoj. Këtu e kanë prezantuar që zoti Holkeri ka kërkuar që Beogradi t'i kërkojë falje Kosovës. Por në qoftë se dikush mendon që miu duhet t'i kërkojë falje macës që e ka lënduar miun, është qesharake. Me të vërtetë këto çështje mund të jenë diku tjetër në Ballkan efektive, por në Kosovë ku u ndezë pa një asnjë faj të kosovarëve, ku me dhjetra mijëra u dogjën të gjallë, u dhunuan pleq, plaka e të reja, u dogjën 127 000 shtëpi, dhe u plaçkit e gjithë pasuria e Kosovës, nuk e di se përse mendon dikush se duhet t'i kërkohet falje Serbisë.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG