Ndërlidhjet

logo-print

MALCOLM: KOSOVA ËSHTË TERRITOR I HUMBUR PËR SERBINË


Noel Malcolm, historian, profesor në Universitetin e Oksfordit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Malcolm, nga këndvështrimi i historianit, si i vlerësoni zhvillimet e 4 viteve të fundit në Kosovë?

NOEL MALCOLM
Nuk besoj se duhen dijet e posaçme të historianit për të vlerësuar ecurinë e ngjarjeve në Kosovë, që nga fundi i luftës. Çfarë ka ndodhur në katër vitet e fundit, ka qenë e varur nga politikat e vendeve perëndimore, të cilat kanë vendosur se çfarë duhet të ndodhë në Kosovë e çfarë jo.
Ka pasur shumë përparim në një mori cështjesh praktike dhe kushtet e jetës janë shumë më stabël seç kanë qenë menjëherë pas luftës.
Por mendoj se gjërat më të rëndësishme janë ato që nuk janë bërë. Kryesorja ndër to është çështja e statusit përfundimtar. Unë kam disa mendime të miat se cili duhet të jetë ky status, mendime nga këndvështrimi i historianit. Por mendoj se politikat aktuale të ndjekura në katër vitet e fundit kanë qenë të qarta, nga pikëpamja se qeveritë perëndimore vendosin të ndjekin një çështje atëherë kur janë interesat e tyre.
Ato nuk janë të shqetësuara për momentin me të ardhmen afatgjatë të Kosovës dhe vetëm po përpiqen të menaxhojnë situatën në afat të shkurtër.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opinioni juaj, si historian, lidhur me të ardhmen e Kosovës?

NOEL MALCOLM
Jam i sigurt se në afat të gjatë, Kosova do të jetë plotësisht e pavarur nga Serbia apo Serbia e Mali i Zi, pasi nuk ka të ardhme të qëndrueshme politike si pjesë e një entiteti politik serb.
Dhe për këtë mendoj se ka arsye të forta historike.
Kosova është bërë pjesë e çfarëdo lloj njësie të qeverisur nga Beogradi në periudhën moderne, në vitin 1912. Dhe kur kjo ndodhi shumica e popullsisë në Kosovë ishte shqiptare dhe nuk kishte asnjë dëshirë për të qënë nën drejtimin e ndonjë qeverie nga Beogradi. Kjo është baza e historisë së Kosovës në kohërat moderne. Natyrisht nëse shkojmë pas në Mesjetë mund të gjejmë disa pretendime më të bazuara serbe. Por për këtë duhet të kapërcejmë gjysmë mileniumi të historisë njerëzore. Ndërkaq ne duhet t'i qasemi problemit duke pasur parasysh gjendjen në 100 vitet e fundit, pasi po flasim për popullsinë që jeton atje dhe ata kanë të drejtat e tyre themelore që duhen respektuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka drojë tek një pjesë e shqiptarëve se fakti që shumica e popullsisë në Kosovë është myslimane, ndonëse e moderuar, mund të ketë pasoja negative në disa qendra evropiane kur të diskutohet statusi përfundimtar. A ka bazë një frikë e tillë?

NOEL MALCOLM
Nuk mendoj se feja është një faktor i rëndësishëm në llogaritë e qeverive perëndimore. Megjithatë nuk mund të përjashtoj plotësisht mundësinë se janë disa elementë në mesin e politikanëve perëndimorë, që paragjykojnë.
Kam menduar shpesh rreth kësaj pyetje gjatë luftës në Bosnjë, pasi është thënë shpesh se disa politikanë perëndimore nuk ishin mbështetës të qeverisë së Bosnjës, sepse nuk iu pëlqente ideja e myslimanëve që jetonin në Evropë. Kam dëgjuar vërejtje, të cilat ishin më shumë anektodike, por asnjëherë nuk kam parë prova të qarta se politikat ishin diktuar nga ndjenja të tilla.
Mendoj se në rastin e Kosovës është kuptuar gjerësisht nga politikanët perëndimorë se Islami nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm në politikën në Kosovë. Ka pasur një lloj roli në politikën e Bosnjës pas viteve '90, po asnjëherë në atë të Kosovës.
Ndonëse nuk mund të përjashtoj plotësisht ndonjë paragjykim në mendjet e disave, por nuk mendoj se do jetë një element vendosës në politikat perëndimore lidhur me statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të pasqyrohet forcimi i grupeve anti-reforëm në Serbi, çfarë u dëshmua dhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, lidhur me Kosovën?

NOEL MALCOLM
E gjej shumë të vështirë të trajtoj këtë çështje, pasi Serbia ka shumë probleme lidhur me ekonominë, me procesin e modernizimit, procese të cilat u bllokuan dhe në disa raste u kthyen pas gjatë 10 viteve të fundit.
Mendoj se këto procese janë shumë më të rëndësishme për votuesit e thjeshtë në Serbi, se çështjet e pretendimeve territoriale, për më tepër për një territor në të cilin shumica e serbëve, as nuk kanë dëshirë të shkojnë për vizitë.
Natyrisht kur gjërat nuk shkojnë mirë në rrafshin ekonomik e politik, është e lehtë të valëvitësh flamurin e të thuash ne i kushtojmë vëmendje kësaj çështje. Është një lloj sindrome psikologjike në politikë.
Por edhe një herë mendoj se shumica e serbëve kanë një morri çështjesh shumë më të rëndësishme se ajo territoriale, aq më tepër kur bëhet fjalë për një territor që është humbur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë deklaruar si qëllim kryesor integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, shumë prej tyre ende po luftojnë për përcaktimin e identitetit. Si e shihni këtë proces, a po ecën në drejtimin e duhur dhe me shpejtësinë e kërkuar?

NOEL MALCOLM
Jam pak dyshues për këtë proces, kur ai shihet si një proces i ndarë, abstrakt, ashtu siç bëhet nga strukturat evropiane, pa i lidhur me çështjet praktike që duhen realizuar në këto vende.
Dhe në disa raste më të veçanta, mendoj se çështjet e statusit janë të rëndësishme dhe fakti se nuk janë zgjidhur janë një pengesë shumë e madhe. Kam këtu parasysh së pari Kosovën, por dhe Bosnjën, ku marrëveshja e Dejtonit ka krijuar një situatë jofunksionale. Njëherësh pushteti që iu është dhënë dy njësive ende i krijon mundësi politikanëve serbë në Beograd të flasin për ankesim të Republikës Serbe të Bosnjës dhe t'ia bashkangjisin atë vendit të tyre.
Dhe nëse këto çështje nuk zgjidhen si duhet e përfundimisht, mendoj se është jo realiste të themi, le t'i lëmë këto çështje mënjanë dhe të flasim për këtë proces të madh të europianizmit dhe përfshirjes në institucionet evropiane.
Është e lehtë të thuhet se nëse jemi në Evropë nuk kanë rëndësi çështjet e kufijve dhe statusit. Por kjo nuk është e vërtetë, pasi statusi dhe kufijtë kanë rëndësi.
Pyesni këdo nga kompanitë perëndimore nëse duan të investojnë në një territor, kufijtë e statusi i të cilit janë të papërcaktuar - ata do të thonë jo. Kështu që për arsye praktike këto çështje në terren janë shumë më të rëndësishme se bisedimet për integrimet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka propozime të ndryshme, tani së fundi dhe nga Lordi Owen, për ribërjen e kufijve në Ballkan. Si i vlerësoni këto propozime?

NOEL MALCOLM
Lordi Owen flet për ndryshimin e kufijve në Ballkan që nga koha kur ai u përfshi në rajon dhe ma merr mendja se argumentat e tij nuk kanë më shumë sens tani se ç'kishin atëherë.
Si do të ndryshohen kufijtë, do ndryshohen për të reflektuar hartat etnike? A do kthehemi në situata të përgjakshme ku vetëm pjesëtarët e një grupi etnik mund të jetojnë në territore të caktuara? Dhe e vetmja mënyrë për t'i realizuar është përmes pastrimit etnik. I kemi parë situata të tilla dhe janë të neveritshme. Kjo nuk funksionon dhe nuk mund të organizojmë shtete në këtë bazë.
Çdo shtet në Evropë ka pakica. E rëndësishme është që pakicave t'u krijohen kushtet për të jetuar normalisht dhe kjo është përgjegjësi që do të vlejë dhe për vendet e Evropës Juglindore.
Pra ndryshimi i kufijve është gjëja më destabilizuese që mund të bëhet dhe kjo nuk do sjellë qëndrueshmëri, por vetëm do krijojë precedentin. Kjo do sjellë që dhe në vende të tjera njerëzit të kërkojnë ndryshimin e kufijve. Dhe kjo vetëm mund të vazhdojë zinxhir, ndaj nuk duhet lejuar. Idetë e tilla si të Owenit janë të tmerrshme dhe ai duhet ta mbyllë gojën përfundimisht rreth tyre.

Intervistoi Iliriana A. Bajo



XS
SM
MD
LG