Ndërlidhjet

NATO-JA E PËRKUSHTUAR PËR SIGURINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vendimi i NATO-s për të mos e zvogëluar numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, nuk është bazuar në atë se situata e sigurisë në Kosovë nuk është përmirësuar, por ky vendim është mbështetur në rolin e forcës së KFOR-it, që ka dhe në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, për të siguruar një ambjent paqeje për të gjithë qytetarët e Kosovës, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Chris Thompson.
“Kërcënimi i brendshëm në Kosovë vjen nga eksremizmi dhe terrorizmi, kurse siç ka thënë dhe komandanti i KFOR-it, Kosova nuk paraqet kërcënim të jashtëm”, tha zëdhënësi Thompson, duke shtuar se vendimi i NATO-s nuk mund të lexohet mes rreshtave, por ka si qëllim të vetëm, përkushtimin e Aleancës, për të krijuar një ambjent të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve ushtarake, Naim Maloku, mendon se vendimi i NATO-s, megjithatë mbështetet dhe në gjendjen e përgjithshme në rajon. Maloku thotë, se Kosova nuk paraqet potencial rreziku për eksportimin e dhunës, por vendet përreth, ku ai veçon Beogradin, janë rrezik potencial për Kosovën, prandaj sipas tij, NATO me mbajtjen e numrit të tanishëm të trupave në Kosovë, ka dashur t’u tregojë të gjithëve se nuk do të lejojë ndonjë konflikt të ri në këtë pjesë të Evropës.
“Duke marrë parasysh faktin se mekanizmat represivë në Serbi, policia dhe ushtria serbe nuk janë reformuar, që ushtria serbe ka rreth 104 mijë ushtarë, kurse 20 mijë prej tyre janë përreth kufirit me Kosovën dhe se ato janë njësi elite të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe, me lënien e një vakumi të tillë nga një tërheqje e mundshme e KFOR-it nga Kosova, Serbia apo forcat serbe nuk do të mund të vetpërmbaheshin. Pra do të rrezikohej integriteti territorial dhe Kosova në tërësi”, tha Maloku.
Duke vlerësuar gjithashtu se Kosova nuk paraqet rrezik për eksportimin e dhunës, Maloku thotë se Kosova nuk ka struktura të mirëfillta ushtarake apo policore, si dhe nuk ka shërbimet e veta të sigurisë, që do të ndërmerrnin çfarëdo hapi që do të mund të konsiderohej si kërcënim për rajonin.
“Eksportimi i dhunës bëhet për interesa politike të qarqeve politike të një shteti dhe thjeshtë nuk janë interesat politike të Kosovës për zgjerim apo marrje të territoreve dhe destabilizim të rajonit pasi interesi i Kosovës është rajoni stabil”, tha ai.
Në Kosovë aktualisht ka rreth 18 mijë ushtarë që shërbëjnë në kuadër të forcës shumëkombëshe të NATO-s.



XS
SM
MD
LG