Ndërlidhjet

QUINTI: PEZULLIMI I 12 EPRORËVE SHKON NË FAVOR TË TMK-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Liderë të partive politike dhe të institucioneve të Kosovës e kanë këshilluar komandantin e TMK-së, gjeneralin Agim Çeku që të respektojë vendimin e djeshëm të shefit të UNMIK-ut Holkeri për suspendimin e 12 oficerëve të TMK-së, ndërkohë që kanë marrë premtimin e zotit Holkeri se procedura e hetimeve kundër tyre do të jetë korrekte dhe nëse ata nuk do të jenë fajtorë do t’u kthehen detyrave pas kalimit të afatit gjashtëmujor të suspendimit.
Këto deklarata janë bërë pas një takimi të përbashkët kryeministrit Bajram Rexhepi, kryetarit të PDK-së, Thaçi dhe kryetarit të AAK-së, Haradinaj me shefin e UNMIK-ut Harri Holkeri, i cili i ka njoftuar për procedurat mbi të cilat është marrë vendimi i djeshëm. Kryeministri Rexhepi tha se mundësi kompromisi nuk kanë mbetur, mirëpo kjo është e drejtë e rezervuar e zotit Holkeri, ndërkohë që në të mirë të TMK-së dhe të ardhmes së Kosovës, vendimi duhet të respektohet nga të gjithë:
“E kuptoj se kjo është e dhimbshme edhe për gjeneral Çekun, edhe për mua, edhe për të gjithë, mirëpo puna e madhe që kanë bërë gjeneral Çeku dhe TMK-ja duhet të jemi të përfillshëm ndaj këtij vendimi, pasi ky është një vendim që nuk mund ta ndryshojmë dhe vetëm sa mund ta dëmtojmë TMK-në në rend të parë”, tha Rexhepi.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe ai i AAK-së Haradinaj u shprehën të hidhëruar për shkakun se zoti Holkeri i ka njoftuar me shumë vonesë ata lidhur me zhvillimet në TMK. Mirë, tha zoti Thaçi, TMK-ja si institucion i Kosovës duhet të respektojë vendimin e qeverisë: “Unë mendoj se ne kemi nevojë që të respektojmë institucionet e vendit dhe gjeneral Çeku duhet ta respektojë vendimin e qeverisë së Kosovës”.
Sipas zoti Thaçi askush nuk është i interesuar të ftohë raportet ndërmjet kosovarëve dhe ndërkombëtarëve, ndërkohë që TMK-ja duhet të zhvillohet ashtu siç është menduar, në një forcë mbrojtëse të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh i shqetësuar për shkak të mosinteresimit të mjaftueshëm të institucioneve të Kosovës për TMK-në dhe kritikoi mungesën e një projekti për TMK-në, pasi edhe vetë marrëveshja e transformimit të UÇK-së në TMK thotë se TMK-ja do të ketë funksionin e një garde kombëtare siç e ka edhe Amerika: ”Duhet të kemi një plan për TMK-në dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë guxim të thotë se edhe Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj si të gjitha vendet e rajonit dhe në botë”, tha Haradinaj.
Zoti Haradinaj tha se ne jemi në mbështetje të rendit dhe ligjit, por kundër keqpërdorimeve që janë bërë me këtë rast.
Ndërkohë zotin Holkeri e kanë takuar sot edhe shefat e pesë zyrave diplomatike perëndimore në Prishtinë. Shefi i zyrës britanike, Marc Dickinson tha se procesi i suspendimit që nuk paragjykon fajësinë e askujt është një proces krejtësisht normal në vendet prej nga ne vijmë:
“Unë besoj se suspendimi ka qenë synim i UNMIK-ut, KFOR-it dhe quintit në favor të TMK-së, përkundër disa të tjerëve që duan ta kriminalizojnë dhe ta sulmojnë TMK-në”, tha Dickinson, sipas të cilit quinti e ka përkrahur plotësisht vendimin e PSSP-së. Ai tha se nuk dëshironte t’i sugjeronte asgjë gjeneralit Çeku lidhur me deklaratat e tij të djeshme se nuk do ta përfillte vendimin e UNMIK-ut. "Unë nuk dua që kjo çështje të stërdramatizohet," tha Dickinson.



XS
SM
MD
LG