Ndërlidhjet

NATO: PRANIA E KFOR-IT NË KOSOVË MBETET ESENCIALE


Augustin Palokaj, Bruksel

Në konkluzat e takimit ministror NATO-ja vlerëson se në Kosovë prania e KFOR-it mbetet esenciale, ndërkaq reflektojnë edhe situatën politike që lidhet me statusin final. Ne i mirëpresim propozimet e Grupit të Kontaktit që të caktohet një datë për rishikimin e progresit të Kosovës drejt plotësimit të standarteve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Përparimi i mëtejmë drejt procesit të startimit të statusit final të Kosovës në përputhje me rezolutën 1244, vetëm varet nga rezultatet gjithëpërfshirëse të rishikimit sesa janë plotësuar standartet, thuhet në konkluzat e Këshillit të NATO-s që është takuar sot në nivelin e Ministrave të Jashtëm. NATO-ja me të njëjtat konkluza u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të plotësuar standartet e dakorduara dhe të mbështesin përpjekjet e kryeadministratorit Harri Holkeri. Po ashtu u është përsëritur thirrja Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojnë dialogun siç thuhet me vullnet të mirë dhe përkujtojnë se dialogu është pjesë e pandashme e standarteve për përcaktimit të statusit. Të gjitha vendeve nga Ballkani NATO-ja nga ky takim u ka bërë thirrje që të bashkëpunojnë pa kusht me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi. Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë u është shprehur mbështetje në punën e tyre për përmbushjen e shpejtë të kushteve për anëtarësim në NATO, duke u premtuar se dyert e NATO-s për këto shtete mbeten të hapura. Qeverisë së Maqedonisë dhe të gjithë faktorëve politikë në këtë shtet u është dërguar thirrja që të vazhdojnë të punojnë drejt implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa mbështetja që NATO-ja i jep operacionit Konkordia në Maqedoni, është marrë si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm të dy misioneve. Bosnja Hercegovina dhe Serbia Mali i Zi kanë mundësi të hyjnë në Partneritetin për Paqe deri në Samitin e Stambollit që zhvillohet në qershor të vitit që vjen, por kjo u është kushtëzuar me dorëzimin e kriminelëve të akuzuar të luftës para drejtësisë së Tribunalit të Hagës. Në takimin e sotëm Sekretari Amerikan i Shtetit, Collin Pauell ka bërë thirrje për një angazhim të ri të NATO-s në Irak. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi Robertson, duke i vlerësuar si të suksesshme misionet në Ballkan, ato në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, ka thënë se NATO-ja suksesin e Ballkanit duhet ta përsëritë dhe në Afganistan. Misioni në Afganistan i NATO-s është i pari i këtij lloji që Aleanca ka ndërmarrë në historinë e saj, jashtë territorit Euro-atllantik.Atë në Bosnje Hercegovinë, NATO-ja mendon së pari ta përgjysmojë dhe më vonë, deri në fund të vitit të ardhshëm edhe t'ia dorëzojë Bashkimit Evropian.


XS
SM
MD
LG