Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA, SHQIPËRIA, MAQEDONIA, PJESË E DEBATIT NË NATO


Augustin Palokaj, Bruksel

Sot në selinë e NATO-s në Bruksel ka përfunduar takimi i Ministrave të Jashtëm të Aleancës dhe të vendeve partnere. Edhe në këtë takim është vlerësuar shumë roli i partnerëve të NATO-s në misionet paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, ashtu si dhe në Afganistan, ku shumë vende partnere kanë dërguar trupat e tyre. Për herë të parë në një takim të tillë në NATO, kanë marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit edhe Ministrat e Jashtëm të Bosnje Hercegovinës dhe të Serbisë dhe Malit të Zi, shtete, të cilave u është thënë se mund të anëtarësohen në Partneritetin për Paqe deri në mesin e vitit që vjen, nëse plotësojnë kushtet siç është reforma e forcave të armatosura dhe dorëzimi i të akuzuarve për krime të luftës në Hagë. Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Goran Svillanoviç, e ka shfrytëzuar takimin që ministrave të NATO-s dhe partnerëve, t'ua shprehë dhe qëndrimet e Beogradit për situatën, siç tha ai, në Kosovë e Metohi. Ai ka thënë se vendi i tij e respekton tërësisht rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, por situatën në Kosovë e konsideron si larg asaj që mund të quhet e pranueshme. Ai është ankuar për mungesë të sigurisë për serbët në Kosovë dhe për rrezikimin e të drejtave të tyre të njeriut.
Në takimet e sotme në NATO është folur dhe për suksesin e NATO-s dhe të BE-së në qetësimin e situatës në Maqedoni. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi Xhorxh Robertson, i cili së shpejti largohet nga ky post, ka thënë sot se nuk sheh ndonjë rrezik të ndonjë konflikti të ri në Maqedoni. Aty kemi tani një koalicion të fortë qeveritar, vendi po shkon drejt normalizimit dhe kjo është falë punës së përbashkët, ka thënë sot Lordi Robertson. Shqipërinë në takimin e sotëm, në mungesë të Ministrit të Jashtëm, i cili nuk egziston, e ka përfaqësuar Luan Hajdaraga, zëvendësministër i Jashtëm. Ai ka thënë se shumë partnerë dhe vende të NATO-s kanë vlerësuar rolin që Shqipëria luan në opeacionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Bosnje Hercegovinë, ku Shqipëria ka forcat e veta.



XS
SM
MD
LG