Ndërlidhjet

logo-print

PËRDORIMI I EMËRTIMEVE SERBE, FYES DHE I KUSHTUESHËM


Rahman Paçarrizi, Prishtinë

Shefi i Shtyllës së Dytë të UNMIK-ut, Francesco Bastali u ka dërguar një shkresë Ministrisë së Shërbimeve Publike dhe kuvendeve komunale të Kosovës, që të respektojnë emërtimet zyrtare të qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës në pajtim me një rregullore të UNMIK-ut, nënshkruar në vitin 2000 nga kryeadministratori i atëhershëm i Kosovës. Kjo do të thotë se banorët e Skënderajt qytezës së tyre duhet t'i thonë Serbicë, ndërsa doganierët e Kosovës në dokumentacionin e tyre për vendkalimin kufitar Hani i Elezit duhet të ta shkruajnë Gjenerali Ankoviç. Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabel Karlovic tha se zoti Bastali e ka dërguar këtë shkresë për të përkujtuar shërbimet publike se duhet të respektojnë rregulloren për emrat.
" Është vërejtur se problemet egzistonin pasi në dokumentat zyrtare emrat nuk shkruheshin në pajtim me rregulloren që zyrtarisht ofron emrat e 30 komunave në gjuhën zyrtare", tha zëdhënësja Karlovic. Kjo shkresë i është dërguar Ministrisë së Shërbimeve Publike, e cila merret me lëshimin e dokumentave zyrtare. Mirëpo zëdhënësi i kësaj Ministrie, zoti Betim Gjoshi, tha se UNMIK-u është i njëanshëm. Sidoqoftë ai pranon se janë bërë ndryshime emrash, mirëpo gjithshka sipas tij e ka arsyen e vet.
" Ne mendojmë se qëndrimi i UNMIK-ut është i njëanshëm dhe nuk duhet të merren gjërat si të përgjithësuara. Egzistojnë disa komuna apo fshatrave, të cilave u është ndryshuar në mënyrë jo të drejtë emri, kanë patur një emër me traditë. Ne mendojmë që do të merret çdo rast veç e veç". Zëdhënësi Gjoshi mendon se disa qyteteve dhe fshatrave në Kosovë, regjimi serb u ka vënë emra ofendues për shqiptarët, si Miloshev Deved Jugoviç apo " komuna e Skënderajt e ka patur prej vitesh emrin Skënderaj dhe në mënyrë të dhunshme i është ndryshuar në Serbicë. Janë disa toponime fyese dhe ne do të gjejmë besoj një gjuhë të përbashkët me UNMIK-un dhe një modul që është i pranueshëm", tha zoti Gjoshi, duke besuar se edhe kuvendi i Kosovës duhet të merret me këtë çështje pasi ëshë e drejtë e tij që të vendosë për emërtimin e qyteteve dhe të fshatrave në Kosovë. Mirëpo zëdhënësja Karlovic thotë se egziston një rregullore e UNMIK-ut që kufizon kompetencat e kuvendeve komunale për të bërë emërtime.
"Rregullorja 2000/45 autorizon komunat që të emërtojnë rrugët dhe sheshet, por riemërtimi i qyteteve dhe fshatrave nuk është në kompetencat e kuvendeve komunale," tha Izabela Karlovic.
Një mendim të ndryshëm kanë ndërkaq kryetari i komunës së Gjilanit dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, zoti Lutfi Haziri, sipas të cilit vetë qytetarët kanë të drejtë të vendosin për vendbanimin e tyre dhe ky sipas tij është një standart evropian.
"Absolutisht e drejta e qytetarëve është për të vendosur për vendbanimet e tyre. Procedura duhet të jetë përmes komisioneve profesionale dhe në debat publik deri te aplikimi i formave të referendumit në vendbanimet e caktuara, është mënyra më e drejtë, e cila përcakton zgjidhjen e këtij problemi".
Mirëpo UNMIK-u ka bërë të ditur se " dokumentat zyrtare që nuk përmbushin këto kërkesa që do të thotë se nuk respektojnë emrat zyrtarisht të miratuara, nuk do të jenë dokumente të vlefshme", tha zëdhënësja Izabela Karlovic, duke u mbështetur në shkresën e zotit Bastali. Kështu probleme të shumta do të lindin edhe me vetë letërnjoftimet e UNMIK-ut në të cilat Skënderaj për Serbicë apo Vendenicë për ish- Gllamnikun, një fshat në afërsi të Podujevës, përkatësisht Besjanës. Në një situatë të tillë jo vetëm që do të jetë e vështirë për t'u orientuar, por kjo duket se do t'u kushtojë shtrenjtë fondeve të UNMIK-ut dhe buxhetit të Kosovës, për të rindryshuar toponimet në dokumentat zyrtare.


XS
SM
MD
LG