Ndërlidhjet

MOORE:"ULTRANACIONALISTËT E SERBISË DO TË NDËRGJEGJËSOJNË PERENDIMIN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, në Kroaci në zgjedhjet parlamentare fitoi Bashkësia Demokratike Kroate, ndërsa në Serbi në zgjedhjet e dështuara presidenciale numrin më të madh të votave e fitoi kandidati i radikalëve Tomsilav Nikoliq. Disa thonë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi mund të fitojnë forcat anti-reformiste. Si i komentoni ju këto zhvillime në Kroaci dhe Serbi?

PATRICK MOORE
Në sipërfaqe gjërat duken pikërisht kështu. Kjo kryesisht për faktin se kemi patur njerëz nga partitë që ishin mësuar me pushtetin, e rimorën apo janë duke e marrë pushtetin nga reformistët. Kjo është vënë re, në median perëndimore dhe disa njerëz po parashikojnë se është një rikthim i nacionalizmit gjithandej. Unë nuk mendoj kështu, pasi sipas meje situatat në Kroaci dhe Serbi janë krejtësisht ndryshe. Bashkësia Demokratike Kroate tashmë e ka bërë të ditur se është një parti e reformuar dhe nuk është më ajo partia e Tuxhmanit. Madje edhe Partia Kroate e Drejtësisë e zotit Xhapiç, thotë se është reformuar dhe nuk përdor më Ante Paveliçin si simbol të saj, por po thekson lidhjen me Ante Starçeviqin nga shekulli i 19-të, pra jo me lidershipin fashist të Luftës së Dytë Botërore. Çasja e moderuar është trend politik në Kroaci. Bashkësia Demokratike Kroate ka deklaruar që është e hapur për NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe po përpiqet që t'i jap partisë imazhin e një partie konservatore të stilit perëndimor sipas modelit të Kristiandemokratëve në Gjermani dhe Austri apo republikanëve në Shtetet e Bashkuara.
Pra Kroacia duket të jetë një vend normal. Votuesit hetuan që pushtetarët nuk po i kryenin mirë detyrat e tyre, kështu që sollën në pushtet njerëz të tjerë.
Në Serbi është krejtësisht ndryshe. Me grupin e radikalëve, të socialistëve dhe me grupin e zotit Pavkoviç, ne kemi tre grupe, që paraqiten në këto votime, dy nga të cilat do të hyjnë në parlament, madje njëra prej tyre duket se do të jetë formacioni më i madh. Këto formacione drejtohen nga njerëz që sot gjenden në Gjykatën e Hagës, Shesheli dhe Millosheviçi, ndërsa i treti nga gjenerali Pavkoviç. Duke patur grupe të cilat drejtohen nga njerëz të akuzuar për krime lufte, kjo është diçka ndryshe sesa një HDZ e reformuar në Kroaci. Gjithashtu edhe gjendja në Serbi është shumë më e vështirë. Këta njerëz përfaqësojnë regjimin e dikurshëm, një rregjim, i cili ka nisur katër luftëra dhe ka vrarë disa dhjetra mijëra njerëz. Rrjedhimisht, situata aktuale në Serbi është shumë e rrezikshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, radikalët e Serbisë thonë se në rast të fitores ata do të kërkojnë ndryshimin e kufijve dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Kemi të bëjmë vetëm me retorikë parazgjedhore apo pas kësaj fshihet rreziku i tensionimeve dhe konflikteve të reja në Ballkan?

PATRICK MOORE
Radikalët kanë folur me tone shumë të ashpra, njësoj siç kishte folur Millosheviçi 15-16 vjet përpara. Dhe njësoj si Millosheviçi, ata do ta ndiejnë nevojën për të bërë diçka nga ato që kanë premtuar. Edhe nëse nuk do të bëjnë këtë gjë që në fillim, fitorja e tyre do t'u japi atyre kredi dhe do të krijojë atmosferë politike në Serbi të tillë, që njerëz të tipit të Arkanit dhe Sheshelit të ndihen të lirë t'u kthehen aktiviteteve të tyre kriminale apo paraushtarake. Dhe ky është problemi kryesor. Kjo besoj do të krijojë tensione të reja dhe konflikte, sepse nuk mund as të mendohet që radikalët të fitojnë zgjedhjet dhe pas fitores të fillojnë të flasin se sa shumë e duan Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, si mund të reflektohet në Kosovë fitorja eventuale e forcave anti-reformiste në Serbi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

PATRICK MOORE
Është e qartë se shumica e retorikës agresive që ne do të dëgjojmë nga politikanët radikalë dhe të tjerë të këtij lloji në Beograd do jetë e drejtuar kryesisht ndaj Kosovës.
Edhe nëse ne do të vijmë në situatën kur radikalët kanë fituar shumicën, por nuk do jenë në gjendje të krijojnë vetë qeverinë dhe qeveria do të formohet le të themi nga partia e Koshtunicës së bashku me G 17, sërisht do të kemi një retorikë agresive dhe do ta presim një gjë të tillë veçanërisht nga ana e zotit Koshtunica. E vetmja gjë që shikoj pozitive për Kosovën në këtë rast është se kthimi i Serbisë nën drejtimin e ultranacionalistëve, do t'u hapë sytë disa të marrëve në Perëndim të cilët kanë menduar se Serbia është një shtet normal, të cilën mund ta ulnin në bisedime normale rreth Kosovës si dhe çështjeve të tjera me karakter ndërkombëtar. Kjo do të bëjë që vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara ta kuptojnë se është shumë herët t'i tërhiqin trupat nga Kosova.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG