Ndërlidhjet

logo-print

POLITIKA SI KRONIKË E ZEZË


Lutfi Dervishi, Tiranë

Kur akuzat mes liderëve politike të pozitës dhe opozitës apo edhe vetë brenda një partie arrijnë caqet ekstreme, në një vend me institucione të konsoliduara do të duhej të kishim dorëheqje të të akuzuarve dhe fillimin e hetimeve nga Prokuroria. Kjo gjë ende nuk
po ndodh në Shqipëri.
Lufta politike në Shqipëri është zhvilluar me një retorikë të ashpër që daton që në dhjetor të vitit 1990. Në dy vitet e para kjo ishte e kuptueshme sepse bëhej fjalë për përmbysjen e regjimit komunist. Por
retorika e ashpër politike vijoi edhe më tej dhe në relacionin pozitë- opozitë kundërshtarët politikë e shihnin njëri- tjetrin si armiq. Gjatë dy viteve të fundit është vënë re një fenomen i veçantë. Akuzat
ekstreme janë zhvendosur në gjirin e një partie dhe konkretisht në partinë që qeveris vendin. Njoftime nga ngjarjet e fundit në Partinë Socialiste i afrohen lajmeve të kronikës së zezë. Po kthehet në
normalitet fakti që sa herë mblidhet forumi i lartë drejtues i Partisë Socialiste, shtohen akuzat për përfshirje dhe lidhje me krimin e organizuar. Tre vjet më parë nga mbledhja e famshme e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, kryetari i Partisë Socialiste
Fatos Nano, akuzat ndaj kolegëve në Partinë Socialiste i shoqëronte me një ftesë për Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi. Prokuroria nuk veproi.Praktika ka treguar se mbas akuzave publike për inkriminim, të dy palët kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit dhe kanë vijuar qeverisjen. Në gjithë këtë rrëmujë akuzash ku të gjithë duket se janë të inkriminuar, i humbur është votuesi shqiptar. Politikanët janë për të na treguar politika zhvillimi, për të luftuar për vendosjen e shtetit ligjor dhe për të treguar të mirën dhe të keqen.
Soditësit e këtij ping pongu me akuza kriminale, kanë një mijë e një arsye të mos besojnë në ato që thuhen. Rezultati është se kemi një klasë politike jo të besueshme dhe me inkriminimin e të gjithëve është bërë puna e bariut që thoshte vazhdimisht "ujku, ujku" dhe
nuk e besonte askush.
Personalizimi i akuzave dhe përdorimi i tyre vetëm në momente të veçanta politike tregon që klasa politike shqiptare nuk është e maturuar dhe nuk mund të shkëputet nga banaliteti dhe mungesa e
papërgjegjshmërisë.Praktika në Shqipëri ka treguar se beteja me krimin e organizuar (rasti i bllokimit të skafeve) fitohet vetëm me një vullnet të qartë politik dhe ky vullnet duhet të përfshijë si pozitën ashtu edhe opozitën. Për të shkëputur fijet e politikës nga krimi nuk mjafton vetëm lufta me deklarata. Aksionet me fjalë të
pashoqëruar me vepra, japin vetëm efekte negative. Nëse politikanët shqiptarët akuzat që bëjnë në mitingje apo salla mbledhjesh do t'i shoqëronin me denoncime në prokurori, atëherë do të kishim hapin e
parë që do të dëshmonte seriozitetin e akuzuesve. Të paktën topi do të hidhej në oborrin e drejtësisë. Duke e mbajtur vetëm për vete topin politika shqiptare ka treguar se di të bëjë autogola.



XS
SM
MD
LG