Ndërlidhjet

logo-print

BALLKANI - KUR ËSHTË KOHA PËR TË KËRKUAR FALJE?


Julia Geshakova, Radio Evropa e Lirë, Pragë

Gjatë një takimi të mëhershëm me kryetarin e Kroacisë, Stipe Mesiq, kryteari i unionit Serbi – Mali i Zi, Svetozar Maroviq pat thënë:

- Dëshrioj të kërkoj falje për të gjitha të këqijat të cilat cilido qoftë qytetar i Malit të Zi dhe Serbisë i ka bërë kundër cilitdo qoftë qytetar të Kroacisë.

Kjo shprehje e keqardhjes e kishte befasuar tërësisht Stipe Mesiqin, gjatë vizitës së tij në Beograd, në Tetor të këtij viti. Megjithatë, zoti Mesiq u përgjigj:

- E shfrytëzoj rastin që ta pranoj këtë keqardhje simbolike dhe nga ana ime mund të them se kërkoj falje nga të gjithhë ata që në çfarëdo kohe kanë pësuar dhimbje ose dëme nga qytetarët e Kroacisë, qoftë duke e shkelur ligjin ose duke keqpërdorë pozitën.

Kjo nuk ishte hera e parë në Ballkan, që liderët kanë shprehur keqardhje për vuajtjet dhe për brutalitetetet gjatë konflikteve. Ish presidenti i Bosnjës, gjatë kohës së luftës, Alija Izetbegoviq, para tri vitesh, kërkoi falje për krimet e luftës të bëra nga qytetarët boshnjakët ose myslimanët e Bosnjës kundër serbëve dhe kroatëve. Millo Gjukanoviq, ish kryetar i Malit të Zi, poashtu kishte ofruar keqardhjen e tij për kroatët dhe, në veçanti, për popullin e Dubrovnikut, që ishte sulmuar nga forcat jugosllave në vitin 1991.

Por gjestet e këtilla nuk janë pritur gjithmonë me mirëkuptim. Në rastin e Maroviqit dhe të Mesiqit, kërkim falja reciproke është ende larg nga një mirëkuptim i përgjithshëm. Në Kroaci nacionalistët thanë se fjalët e Mesiqit ishin joadekuate dhe se ishte e pandershme të kërkohet falje për luftën që ishte bërë në emër të pavarësisë së Kroacisë. Njëherësh, në Serbi e Mal të Zi, disa kanë thënë se nuk ishte e udhës që Maroviqi, vetë me kombësi malazez, të bëj diçka që asnjë president i Serbisë nuk e ka bërë deri tash. Edhe ata që kishin mirëpritur keqardhjet kanë thënë se krimet e luftës dhe mizoritë e kryera nga regjimet e ish liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq dhe nga kryetari nacionalist i Kroacisë, Franjo Tugjman, nuk do të duhej të reduktoheshin në "të këqija" që janë bërë nga qytatarë të paemëruar të njërit ose të vendit tjetër. Svetozar Maroviq u tregua këmbëngulës dhe gjatë vizitës së fundit në Sarajevë, përsëri ofroi keqardhje. Liderët e Bosnjës thanë se ky ishte një akt i një "gjesti qytetërues"…por se realisht duhet të bëhet shumë më tepër para se të ndodhë ndonjë kthesë në marrëdhëniet rajonale.

Franz-Lothar Altmann është analist në institutin gjerman për studime ndërkombëtare dhe të sigurisë. Ai thotë se përkundër perceptimit të ftohtë, kërkim flajet ishin një hap shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në drejtim të pajtimit.

- Mendoj se ishte një hap i domosdoshëm që duhet të vazhdoj. Për shembull, parlamenti do të duhej ta nënshkruante një rezolutë që mbështetë këto përpjekje për pajtim. Pastaj, kuptohet, pajtimi duhet të ndodhë edhe në terren. Por si hap i parë mendoj se ishte shumë pozitiv, thotë analisti Altmann.

Në Kosovë, tash për tash, duket se edhe hapi i parë është i pamundshëm. Harri Holkeri, shef i administratës së KB-së në Kosovë, këtë vit e përmendi gjestin e kërkim faljes nga ana e Maroviqit në Sarajevë. Ai mëtutje tha se "një pranin i ngjashëm reciprok i përgjegjësisë për atë që ndodhi në Kosovë, do të bënte shumë për uljen e tensioneve në Kosovë dhe në Serbi". Zoti Holkeri vazhdoi duke thënë se "do të ketë më pak pengesa në drejtim të pajtimit nëse Kosova nuk do të përdorej për çështje nacionaliste në politikën e brendshme të Serbisë".

Këto deklarata të Harri Holkerit i hidhëruan zyrtarët në Beogard. Zëvendës kryeministri Nebojsha Çoviq tha:

- Deklarata e Holkerit, e dhënë në këtë moment dhe me këtë ton, do të thotë se një rrymë në bashkësinë ndërkombëtare është e bindur se situata në Serbi është aq e vështirë, se forcat demokratrike janë plotësisht të përçara, sa që ka ardhur koha që të filloj përshejtimi i planit poshtërues të dikujt që të kryhet shqiptarizimi i plotë i Kosovës. Për shkak të kohës dhe të tonit, Holkeri e ka borxh që ti kërkoj falje Serbisë demokratike.

Deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës thonë se meqë shqiptarët e Kosovës nuk kanë bërë çfarëdo krimi në mënyrë institucionale, nuk ka nevojë që ata të ofrojnë keqardhje, sepse, sipas tyre, Serbia u ka shkaktuar shtypje shqiptarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG