Ndërlidhjet

ALEATËT E PUTINIT FITOJNË KONTROLLIN NË ZGJEDHJE


Washington Post

Presidenti Vladimir Putin përfitoi nga batica e nacionalistëve, duke fituar shumicën në Parlamentin e Rusisë në zgjedhjet e së djelës. Partia e afërt me presidentin, Rusia e Bashkuar, u dha goditje të rëndë komunistëve dhe dy partive demokratike properëndimore shkruan Washington Post.
Zgjedhjet e katërta parlamentare pas kolapsit të ish-Bashkimit Sovjetik, i lanë dy partitë pro-perëndimore të përpëliten në kufinjtë e zhdukjes. Partitë Jablloko dhe Bashkimi i Forcave të Djathta nuk e tejkaluan 5 % e nevojshëm për të siguruar përfaqësues në parlament, ndërsa liderët reformatorë të 90-tave, paralajmëruan për autoritarizmin e Putinit. Putin e mbështeti popullaritetin personal dhe prestigjin e presidencës në Rusinë e Bashkuar. Bashkë me disa parti më të vogla, ai mund të komandojë me dy të tretat e Dumas së ardhshme, të paktën për të siguruar edhe mandatin e tretë, vazhdon Washington Post.
Suksesi i Putinit shihet si rezultat i trumpetimeve të vazhdueshme për partinë nga televizioni shtetëror dhe nga ajo që kritikët e quajnë mbështetje në instrumentet e pushtetit për frikësimin e rivalëve. Kremlini gjithashtu ka punuar në emër të Atdheut, partisë së re nacionaliste të majtë, që u krijua para 3 muajsh për t'ua marrë votat komunistëve.
"Kjo është fitore e madhe për Vladimir Putinin", ka thënë këshilltari politik i afërt me Kremlinin, Sergei Markov.
"Strategjia ishte e qartë. Putin duhej ta përdorë popullaritetin t'i ndihmojë Rusisë së Bashkuar dhe të krijojë entitetin për të përçarë komunistët."
"Tani ardhmëria e Rusisë është në duart e një njeriu", citohej të ketë thënë deputeti i pavarur Vladimir Ryzhkov.
"Shtrohet pyetja nëse ai do të lejojë vrullin e totalitarizmit, nacionalizmit, politikës së re imperiale, apo do të jetë mjaft i arsyeshëm për ti parandaluar këto zhvillime", transmeton Washington Post.
E formuar para dy vitesh për të mbështetur Putinin, Rusia e Bashkuar udhëhiqet nga Ministri i Brendshëm Boris Gryzlov, dhe kontrollohet nga Kremlini. Liderët partiakë refuzuan të marrin pjesë në debate dhe prononcimet i kufizonin vetëm në favor të shtetit të fuqishëm.
"Partitë e tjera luftonin për Duman, kurse ne për zgjidhjen e problemeve konkrete në Rusi," ka thënë Gryzlov, i cili mund të jetë kryetari i ri i parlamentit. Gazeta shkruan se vëzhguesit ndërkombëtarë, rivalët e Kremlinit dhe analistët e pavarur, ashpër e kanë kritikuar Rusinë e Bashkuar për mbështetjen në të ashtuquajturat resurse administrative. Komunistët thanë se Kremlini dëshiron t'i eleminojë ata nga skena politike, ndësa liderët pro-perëndimorë paralajmëruan se mbështetja e tyre e vakët mund ta gërryejë demokracinë, kur Putini ta konsolidojë pushtetin në Kremlin. Zgjedhjet shënuan edhe ringjalljen e politikave nacionaliste. Analistët pohojnë se ky sukses ka të bëjë me kollapsin e votave komuniste, përfundon Washington Post.




XS
SM
MD
LG