Ndërlidhjet

BE MBËSHTET PLANIN E OPERACIONALIZIMIT TË STANDARDEVE


Augustin Palokaj, Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar takimi i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit, në të cilin edhe njëherë është përsëritur se e ardhmja e rajoneve të Ballkanit është në integrimet evropiane, por se në këtë rrugë ato duhet të vazhdojnë procesin e reformave dhe të demokratizimit të shoqërive të tyre. Në takim ka marrë pjesë dhe kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri dhe kryeministri Bajram Rexhepi, ndërsa është thënë se është marrë mbështetje për planin e Holkerit që nesër në Prishtinë të paraqesë planin për operacionalizimin e standardeve. Sa u përket këtyre standardeve ja se çfarë u deklaroi gazetarëve kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi:
" Deri tek harmonizimi ka patur prej forumeve të ndryshme vërejtje. Ka patur gjithashtu vërejtje nga Grupi i Kontaktit, po ashtu nga Këshilli i Sigurimit ka patur pak, edhe nga ana kosovare, edhe nga Unioni Serbi Mali i Zi. Mirëpo në përgjithësi është një draft, i cili mund të pranohet me disa vërejtje dhe sugjerime. Ato sot dhe janë sublimuar. Ne ishim në kontakt me këshilltarët tanë dhe ka vend ndoshta që disa gjëra të ndryshohen. Por edhe nëse nuk ndryshohen është një draft i cili është i pranueshëm për qeverinë".
Ndërkaq lidhur me të njëjtat Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Goran Svillanoviç ka thënë se ata e kanë parë vetëm një draft të propozim-planit, por jo dhe në mënyrë zyrtare. Ai ka thënë se Beogradi i kundërshton disa pjesë të këtij plani, pasi vlerëson se në të nuk janë marë parasysh sugjerimet e Beogradit që kanë të bëjnë me kthimin e refugjatëve dhe siç tha ai edhe me shpërbërjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Në konkluzat e miratuara në takimin e Ministrave të Jashtëm, thuhet po ashtu se duhet të vazhdojë procesi i privatizimit në Kosovë, sepse ai proces është kyç edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.



XS
SM
MD
LG