Ndërlidhjet

logo-print

POLLOZHANI: UNIVERSITETI I TETOVËS DO RELAKSOJË MARRËDHËNIET NDËRETNIKE


Aziz Pollozhani, Ministër i Arsimit i Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, sot në Maqedoni filluan protestat e organizuara nga VMRO-DPMNE, kundër legalizimit të Universitetit të Tetovës. A mendoni se protesta do të ndikojë në vendimin e qeverisë?

AZIZ POLOZHANI
Nuk pres të ndodhë një gjë e tillë, pasi protesta të tilla janë si duket në funksion të krijimit të një situate dobiprurëse politike për struktura të caktuara politike dhe që s'kanë të bëjnë me esencën e rendit ditor, që është themelimi i një institucioni të lartë shkollor në Tetovë. Një tendencë e tillë obskurantiste gjithsesi nuk mund të dominojë mbi realitetet e reja të një vendi demokratik që synon barazinë demokratike të qëndrueshme për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se çështja e Universitetit të Tetovës mund t'i tensionojë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni?

AZIZ POLLOZHANI
Përkundrazi. Unë mendoj në substancë Universiteti i Tetovës do duhet t'i relaksojë dhe do t'i relaksojë marrëdhëniet ndëretnike. Por gjithsesi ka segmente të caktuara të cilat duan të lënë çështje të pazgjidhura, mbi të cilat do të mund të ndërtonin më tej opsionet e tyre politike opozitare ose destruktive. Pra ka forca të interesuara që kjo të shkojë në drejtimin që thatë ju, por gjithsesi shumica dhe realitetet flasin që kjo do të jetë në funksion të stabilizimit të situatës në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, VMRO-DPMNE ndaj jush ka paraqitur një interpelancë në Kuvend. Si i komentoni arsyet e interpelancës?

AZIZ POLLOZHANI
Të motivuara gjithsesi politikisht, edhe për arsyen që sot gjithsesi është në rend dite, ligji për themelimin e Universitetit të Tetovës. Mendoj që është në frymën fatkeqësisht të mentaliteteve të vjetra, të cilat gjithmonë në arsimin shqip kanë parë diçka, e cila duhet sulmuar dhe duhet pamundësuar. Mendoj që këto janë klithjet e fundit të një mentalitetit faktikisht të bazuar mbi filozofinë antishqiptare dhe mendoj se shumica, edhe e qytetarëve të Maqedonisë, por edhe vetë maqedonasit, kanë ndjenjë të kundërt dhe pajtohen me atë çfarë jemi duke realizuar.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG