Ndërlidhjet

ROBERT COOPER: DËSHIRA JONË ËSHTË QË KOSOVA TË JETË NË EVROPË NË TË GJITHA ASPEKTET


"Jemi thellësisht të përfshirë në Kosovë dhe jemi të ndërlidhur së bashku për të ardhmen. Pra është një politikë evropiane, është një politikë për Kosovën, që në një të ardhme, do të mund të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian" – thotë drejtori i përgjithshëm i çështjeve të jashtme të BE-së, Robert Cooper, që punon për përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Javier Solana.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të martën, ftuan vendet e Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me reformat politike dhe ekonomike. Lidhur me Kosovën, kishte informata për diskutime lidhur me operacionalizimin e standardeve. Kryeministri Rexhepi tha se ky propozim tekst, me disa vërejtje, është i pranueshëm, ndërsa nga zyrtarë të Serbisë ka pasur kundërshtime. Si i parashihni zhvillimet e ardhshme lidhur me standardet për Kosovën?

ROBERT COOPER
Mendoj që e kemi dëgjuar këtë slogan prej një kohe të gjatë - "standartet para statusit". Për shumë kohë mbeti slogan dhe jam shumë i lumtur që tash po kthehet në një politikë praktike, që po drejtohet në bazë të bashkëpunimit të kosovarëve me komunitetin ndërkombëtar. Pra tash kemi standarde shumë më të qarta dhe mendoj se po ndihmojmë që popullit kosovar t'i japim mundësinë që t'i realizoj ato.

RADIO EVROPA E LIRË
E shtrova këtë pyetje nga aspekti se Bashkësia Ndërkombëtare po kërkon që standardet të plotësohen para se të hapet çështja e statusit final të Kosovës?

ROBERT COOPER
Po…kjo ka qenë gjithmonë politika e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe vazhdon të mbetet e tillë. Nuk ka ndryshime në këtë politikë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti që kemi lëvizur nga, vetëm të folurit për këtë çështje, në veprime konkrete, pra, po operacionalizojmë standardet dhe shpresoj se po ndihmojmë administratën kosovare që të ndërtoj kapacitetet e veta në mënyrë që të arrijë këto standarde, që është ajo që edhe ne duam.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te çështja e statusit final të Kosovës, zyrtari amerikan, Marc Grossman, më herët në Nëntor, ka thënë se disktimet për statusin final do të fillojnë në mesin e vitit 2005. Çka mendoni a është ky, poashtu, qëndrim i politikës së Bashkimit Evropian?

ROBERT COOPER
Të jem i sinqertë nuk mendoj se është pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se ka pasur një keqkuptim lidhur me atë që ka thënë zoti Grossman. Ai nuk tha se bisedimet do fillojnë në vitin 2005. Ai tha se në vitin 2005 do të ketë një rishikim të standarteve dhe vetëm pas këtij rishikimi, Bashkësia ndërkombëtare do të vendosë se çfarë do të ndodhë mëtutje. Tash i kemi përcaktuar standardet në mënyrë të detajuar, po i ofrojmë ndihmë Kosovës që t'i arrijë ato. Në mesin e vitit 2005 do të kemi rishikimin e standardeve dhe nëse Kosova i ka arritur ato, apo nëse është në mënyrë të pakthyeshme në rrugën që është e sigurtë se Kosova t'i përmbush ato, atëherë do të hapet çështja e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderë të lartë të institucioneve të Kosovës, nga administrata e Kombeve të Bashkuara po kërkojnë më tepër përgjegjësi, në fushat që nuk janë të rezervuara. Por, duket se administrata e Unmikut po heziton ti plotësoj këto kërkesa. Sa mendoni se do të zgjasë kjo situatë?

ROBERT COOPER
Mendoj se në shumicën e fushave, që nuk janë të rezervuara, pushteti, tashmë, është në duart e institucioneve vendore. Nuk mendoj se mund të flitet me përqindje, por ndoshta ajo është diku afër 80 %, dhe pjesa tjetër e përgjegjësive në këtë fushë do të transferohet te kosovarët, brenda një kohe të shkurtër. Por ky nuk është i tërë tregimi, pasi edhe në fushat që nuk janë të rezervuara, do të ketë një përpjekje nga UNMIK-u për t'i përfshirë kosovarët në ushtrimin e kompetencave në fushat jo të rezervuara. Pra plani tash është që të përfshihen kosovarët në të gjitha fushat e administratës. Në disa, institucionet kosovare do të kenë përgjegjësi të plotë dhe të drejtpërdrejtë, pra në fushat jo të rezervuara, ndërsa në ato të rezervuarat do të punojnë me UNMIK-un si pjesë e procesit të ndërtimit të kapaciteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër dështiroj të flasim lidhur me ekonominë. Aktualisht në Kosovë kemi një bllokim në procesin e privatizimit. Disa analistë thonë se ky bllokim është i lidhur me vërejtjet e Serbisë që i bëhen këtij procesi…e veçanërisht me ligjet nga epoka e Millosheviqit për integrimin e ekonomisë së Kosovë me ekonominë e Serbisë. Prandaj, sipas jush, nga cili drejtim vjen ky bllokim dhe a ka ndonjë mundësi që ky proces të vazhdoj?

ROBERT COOPER
Procesi sigurisht do të vazhdoj dhe, mendoj, se me të vërtetë po shënojmë progres. Por progresi është në qartësimin e Ligjit dhe kjo është veçanërisht e ndërlikuar. Ka shumë vende, madje edhe në vendin tim, në Britani, ku privatizimi shpesh është shumë i vështirë, për arsye se nuk mund të bëhet vetëm me një dekret qeveritar, kjo nuk do të ishte në kuadrin e shtetit ligjor. Keni të bëni me të mira materiale që u përkasin njerëzve dhe duhet të tregoheni veçanërisht të kujdesshëm që të vendosni pronësinë dhe të vendosni se ajo që bëni është e drejtë. Në një vend si Kosova, ligji është veçanërisht i komplikuar për arsye se keni qenë pjesë e historisë së Jugosllavisë, ku ligjet nuk kanë qenë gjithmonë të qarta sa i përket pronësisë. Vështirësi të jashtëzakonshme ligjore, si ato në gjithë këtë process, ka pasur edhe në zona të tjera…si për shembull në Gjermaninë Lindore, me të cilat ende po punojmë për t'i zgjidhur. Por kjo nuk ka të bëjë me presionin nga Serbia dhe nuk është e lidhur me statusin e Kosovës. Politikat vazhdojnë dhe shënojnë progres, por kam frikë se është një proces i ngadalshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuper, para disa javësh në një intervistë ju thatë se aktualisht në Ballkan kemi një politikë evropiane. A mund ta shpjegoni këtë qëndrim në çështjen e Kosovës?

ROBERT COOPER
Po. E para është që Kosova është në Evropë dhe e dyta është që Evropa është në Kosovë. Kosova është në Evropë gjeografikisht, dëshira jonë është që Kosova të jetë në Evropë në të gjitha aspektet, politikisht, ekonomikisht dhe që shoqëria në Kosovë të plotësojë standartet e një shoqërie normale evropiane. Pra kjo në thelb është një politikë evropiane, është një politikë për të ardhmen e Evropës. Por është gjithashtu një politikë në të cilën Bashkimi Evropian investon shumë energji. Mendoj se 80 % e ushtarëve të KFOR-it janë evropianë dhe Evropa ka kontribuar shumë në administratën e UNMIK-ut përmes shtyllës ekonomike. Pra jemi thellësisht të përfshirë në Kosovë dhe jemi të ndërlidhur së bashku për të ardhmen. Pra është një politikë evropiane, është një politikë për Kosovën, që në një të ardhme, do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG