Ndërlidhjet

KUVENDI ANULLON LIGJET SERBE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka vendosur sot që t’i shpallë të pavlefshme të gjitha ligjet e sistemit të kaluar serb në Kosovë. Ky vendim është kundërshtuar nga koalicioni serb "Kthimi" ndërsa grupet parlamentare shqiptare dhe ato joserbe, vlerësuan se me shpalljen e këtyre ligjeve të pa-aplikueshme, Kosova definitivisht po ndahet nga një sistem diskriminues. Vendimi i Kuvendit është mbështetur në kërkesën e qeverisë për shpalljen e pavlefshme të 53 ligjeve të sistemit të kaluar, kërkesë këtë që e ka përkrahur dhe komisioni për legjislacion, tha kryetari i këtij komisioni dhe deputeti i partisë Demokratike, Arsim Bajrami:
“Komisioni propozon që të gjitha aktet kushtetuese dhe ligjore, pa u lëshuar në atë se janë apo jo diskriminuese, të shpallen të pazbatueshme, për shkak se me vetë faktin që nuk janë miratuar nga organet legjitime të Kosovës dhe nuk e kanë miratimin e popullit të Kosovës, ato si të tilla e kanë karakterin diskriminues. Këtë karakter e kanë qoftë në konceptimin e tyre ligjor, qoftë në zbatimin praktik, qoftë në efektet që kanë prodhuar”, tha Bajrami.
Ndërkohë, ka pasuar deklarimi i grupeve parlamentare. Alush Gashi, në emër të LDK-së, tha se e mbështet këtë vendim dhe se sipas tij, një vendim i tillë është dashur të merret në seancat e para të Kuvendit të Kosovës:
“Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështet fuqimisht propozimin e komisionit lidhur me këtë çështje dhe angazhohet që jo vetëm në territorin e Kosovës, por askund në botë të mos ketë ligje të apartedit. Koha për të cilën këtu diskutohet është një aparteid i kulluar i cili ka eskaluar në gjenocid”, tha Gashi.
Po ashtu, edhe Bajram Kosumi nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka konsideruar se me shpalljen e pavlefshme të këtyre ligjeve, Kosova po tregon se është duke ecur përpara dhe jo duke u kthyer prapa në sistemin e kaluar:
“Ne jemi të bindur se duke i shfuqizuar këto ligje ne jemi duke krijuar efekte praktike, juridike dhe kushtetuese, po e hapim rrugën kah një Kosovë tjetër, kah një Kosovë që të gjithë qytetarët do ta ndiejnë veten qytetarë të lirë dhe të barabartë”, tha Kosumi.
Në anën tjetër, edhe grupi parlamentar i partive joserbe, e ka mbështetur vendimin e Kuvendit, ndërsa koalicioni i serbëve të Kosovës, “Kthimi”, përmes shefit të këtij grupi parlamentar Dragisha Kërstoviç, e ka kundërshtuar ashpër këtë vendim dhe e ka konsideruar në kundërshtim me aktet e tanishme juridike me të cilat qeveriset Kosova:
“Ky Kuvend si një institucion i përkohshëm, sipas Kornizës Kushtetuese dhe përgjegjësive që ka, nuk mund të sjellë një vendim të tillë”, tha Kërstoviç, duke shtuar se vendimi i Kuvendit bie ndesh dhe me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit.
Mirëpo, me këtë konstatim nuk janë pajtuar deputetët shqiptarë, si dhe qeveria e Kosovës, e cila në këtë seancë përfaqësohej nga ministri Ali Jakupi. Duke folur në emër të kryeministrit Rexhepi, ministri Jakupi tha se kërkesa e qeverisë mbështetet në aktet e tanishme valide juridike dhe është në harmoni dhe me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, pasi ajo nuk parasheh zbatimin e ligjeve diskriminuese në Kosovë:
“Ato janë akte të nxjerra nga një shtet okupues, në rrethana lufte, thënë shkurt nga një shtet i huaj. Ato në të shumtën e rasteve bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe rregulloret e UNMIK-ut, të nxjerra kohëve të fundit dhe ato ligje janë në kundërshtim me të gjitha standardet e përparuara, në të cilat sot mbështeten shtetet bashkëkohore. Ato janë bërë pengesë e pakapërcyeshme për ecjen përpara të Kosovës, sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik”, ka thënë ministri Jakupi.
Votimi ka sjellë si rezultat miratimin e kërkesës së qeverisë dhe të 53 ligjet e sistemit të kaluar janë shpallur të pavlefshme, duke nënkuptuar këtu shpalljen e pavlefshme edhe të efekteve që i kanë prodhur aktet e tilla juridike gjatë periudhës 22 mars i vitit 1989 deri më 11 qershor të vitit 1999.





XS
SM
MD
LG