Ndërlidhjet

UNMIK ENDE PA QËNDRIM ZYRTAR PËR VENDIMIN E KUVENDIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës për të shpallur të pazbatueshme në Kosovë të gjitha ligjet dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me Kosovën e të miratuara pas 22 marsit të vitit 1989, nuk ka mbështetje ligjore.
Një zëdhënëse e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Izabella Karlovicz, tha se UNMIK-u ende nuk e ka marrë një komunikim zyrtar të vendimit të sotëm të Kuvendit dhe e gjitha që dimë është ajo që kemi marrë nga mediat, prandaj edhe nuk ka një vendim përfundimtar të shefit të UNMIK-ut Holkeri lidhur me këtë çështje:
"Sidoqoftë, unë mund të them me siguri se çfarëdo veprimi i ndërmarrë nga Kuvendi për abrogimin e të gjitha ligjeve pas vitit 1989, në aspektin ligjor është i paqëndrueshëm," tha zëdhënësja Karlovicz, duke mos dashur të paralajmërojë se cili do të jetë vendimi i zotit Holkeri. Sidoqoftë, zyrtarë të tjerë të UNMIK-ut thanë se vendimi i zotit Holkeri do të varet nga formulimi me të cilin janë shfuqizuar nga Kuvendi ligjet e aplikueshme të pas 22 marsit 1989. Burime të njëjta kanë bërë të ditur se vendimi i zotit Holkeri mund të jetë që të shpallë të pavlefshëm vendimin e Kuvendit ose që atë vendim ta shpallë të pazbatueshëm.
Zëdhënësja Karlovicz ndërkohë tha se çështja e ligjeve dhe aprovimi i tyre përfundimtar është e drejtë e shefit të UNMIK-ut:
"Vendimi se cilat ligje duhen zbatuar në Kosovë janë përgjegjësi ekskluzive e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kjo kompetencë i jepet atij sipas rezolutës 1244 të KS të OKB-së," tha zëdhënësja Karlovicz.
Vendimi i sotëm i qeverisë ka pasuar bllokimin e procesit të privatizimit për shkak të tre ligjeve që janë quajtur diskriminuese dhe duke u mbështetur në një rregullore të UNMIK-ut nga koha e kryeadministratorit Kushner që kishte shpallur të pabatueshme ligjet diskriminuese, mirëpo pa përcaktuar se cilat ligje ishin diskriminuese.




XS
SM
MD
LG