Ndërlidhjet

SHKUP:QEVERIA HARTON LIGJIN PËR DECENTRALIZIMIN


Isuf Kadriu, Shkup

Qeveria e Maqedonisë mbrëmë vonë ka përgatitur paketën e ligjeve për decentralizimin e pushtetit, përfshirë edhe ligjin për ndarjen territoriale si dhe ligjin për qytetin e Shkupit. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri ka bërë të ditur se Maqedonia në vend të 123 komunave egzistuese do të ketë 60 apo 62 në varësi të debatit që do të ketë në Kuvendin e Maqedonisë.
"Këto tre ligje duhet të aprovohen në dy faza. Domethënë pasi të mbyllet faza e parë e debatit do të kthehen përsëri në qeveri, e cila do të konsolidojë variantet që konsideron se janë më të arsyeshme dhe më të aprovueshme për publikun", tha zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, duke njoftuar se për herë të parë me propozimin e qeverisë, në Strugë dhe Kërçovë shqiptarët do të jenë shumicë, që hap mundësinë e zgjedhjes së prefektëve shqiptarë në këto dy komuna:
"Janë komuna të cilat do të dominohen me shqiptarë, pra do të ketë mbi 50 % shqiptarë, pastaj kemi komuna të cilat kanë nga 20 % - 50 % dhe kemi komuna ku e arrijmë limitin 20 e diçka, ku plotësohet kushti për të përdorur gjuhën e tyre amëtare në administratën e komunës", thotë zoti Xhaferri.
Sipas propozimit të qeverisë, gjuha shqipe do të jetë zyrtare pothuajse në gjysmën e komunave që mund të lindin me ndarjen e re territoriale. Zëvendëskryeministri njoftoi se edhe në Maqedoninë Lindore, të banuar kryesisht me popullatë maqedonase, do të ketë komuna në të cilat është arritur që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare. Zoti Musa Xhaferri ka bërë të ditur se qeveria ka përgatitur edhe ligjin për qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e vetëadministrimit lokal, ku nuk do të ketë rajone, siç ishte njoftuar më parë, por komuna. Sipas tij në kryeqytet do të ketë 11- 13 komuna, ndërsa 4 prej tyre do të jenë me shumicë shqiptare.
"Përqëndrimi më i madh është në pjesën veriore që është Çairi, Buteli në komunën e Gazibabës. Varianti i hapur është që komuna e Haraçinës të jetë ose të mos jetë pjesë e kryeqytetit", thotë zoti Xhaferri.
Ndërkohë qeveria ka miratuar edhe pakon e ligjeve për decentralizimin fiskal. Ministri i Financave Nikolla Popovski, ka njoftuar se ky ligj do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2005 dhe se me të rregullohet financimi i komunave, ku edhe janë paraparë mjete dhe të ardhura të tjera që komunat të mund të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG