Ndërlidhjet

SHIFRAT E VETËVRASJEVE NË KOSOVË-ALARMANTE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Fenomeni i vetëvrasjeve në Kosovë është fenomen alarmant, i cili duhet të shqetësojë institucionet e këtij vendi, si dhe mbarë shoqërinë kosovare, pasi ky fenomen është pasojë e një ndeshjeje shumë të madhe mes vlerave tradicionale dhe vlerave moderne, si dhe situatës së rëndë ekonomike dhe sociale, thotë sociologu Shemsi Krasniqi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
" Kjo përplasje, kjo ndeshje si me thënë e madhe mes këtyre modeleve vlerore, edhe modeleve në sjellje duket se është një prej atyre arsyeve që mund t'i çojnë në vetëvrasje. Kjo dhënie fund e jetës, në një farë mënyre është një "triumf " mbi moralin tradicional. Nuk ka qenë në traditën tonë vetëvrasja aq e shprehur, sepse edhe me normat kanunore, vetëvrasja ishte një akt shumë i lig mbi vetveten, i cili nuk arsyetohej me asgjë. Kjo që po ndodh ka lidhje me kushtet shoqërore, me rrethanat sociale e psikologjike, familjare e ekonomike, dhe me rrethanat e përgjithshme në të cilat zhvillohet individi".
Përkundër faktit se fenomeni i vetëvrasjeve është duke u zhvilluar, zoti Krasniqi thotë se në Kosovë ende nuk janë bërë studime profesionale dhe shkencore lidhur me këtë çështje. Ndërkaq psikologu Ali Riza thotë se hulumtimet shkencore për sqarimin e fenomenit të vetëvrasjeve, duhet qasur nga aspektet biologjike, psikologjike dhe sociale.
" Aspekti psikologjik ka kuptim në rast se e dimë aspektin social të personit. Janë disa teori të ndryshme. Njëra nga to është për shembull internalizimi i agresionit të personit, mirëpo edhe ky internalizim i agresionit tek personi, mund të kuptohet vetëm në rast se kemi një pikturë të qartë të kontekstit social në të cilin jeton personi: familja, puna, prirjet e tij, prirjet e familjes ndaj tij, prirjet e shoqërisë ndaj tij. Atëhere mund të kuptohet edhe aspekti psikologjik. Aspekti biologjik ka të bëjë me çrregullimet mendore të personit. Për shembull është e njohur se shumica e çrregullimeve mendore kanë një lidhje të ngushtë me vetëvrasjen. Kështu që vetëm nëse i shikojmë nga këto tre aspekte, atëhere mund të kemi një kuptim më të mirë në lidhje me këtë fenomen.", thotë zoti Riza.
Ndërsa sociologu Krasniqi thekson se hulumtimet shkencore të këtij fenomeni do të hapin rrugë edhe për të krijuar masa për parandalimin e vetëvrasjeve. Ndërkohë për parandalimin e zhvillimit të këtij fenomeni, nevojitet angazhimi i shoqërisë kosovare në shumë aspekte:
"Gjithsesi nevojitet një angazhim shumë më i madh i institucioneve edhe i shoqërisë në këtë drejtim dhe një alarmim përmes mediave për këtë fenomen, por për fat të keq kushtet nuk janë të favorshme për parandalimin e tyre. Megjithatë përpjekjet duhen bërë dhe mesiguri që mund të krijohet ndonjë efekt. Sikur një jetë të shpëtohet edhe ajo është e mjaftueshme. Në këtë përpjekje që do duhej të ndërmerrej, mendoj se është dhe një aleat natyror, është ai morali tradicional, tradita jonë, e cila gjithmonë e ka gjykuar vetëvrasjen, kurrë nuk e ka favorizuar, në asnjë moment. Mendoj që edhe kjo mund të ndihmojë në këtë preventivë shoqërore që do të merret lidhur me këtë fenomen shumë shqetësues", thotë zoti Krasniqi.
Paragjykimet e njerëzve se disa persona flasin për vetëvrasje me qëllim që të tërheqin vëmendjen e rrethit, krijojnë situata që mund të përfundojnë në mënyrë tragjike, thotë psikologu Riza.
"Në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvlerësohet. Në rast se një person flet në lidhje me vetëvrasjen, apo është i preokupuar me vdekjen, sidomos kur flet një adoleshent, kjo duhet të merret seriozisht dhe jo të mendohet se personi flet kështu për të tërhequr vëmendjen. Por këto janë çështje që duhet t'u jepet rëndësi pasi kthim nuk ka, një herë ndodhin. Këto raste nëse vërrehen nga prindërit, është gjithsesi mirë që të kërkohet ndihma e profesionistëve që të ndihmohet në këtë drejtim", thotë psikologu Riza.
Sidoqoftë statistikat e shërbimit policor të Kosovës, tregojnë se që nga viti 2001 e deri në fund të muajit tetor të këtij viti, janë shënuar mbi 250 raste të paraqitura si vetëvrasje, të cilat kanë ndodhur në Kosovë, ndërkohë që sociologët dhe ekspertët e shëndetit mendor shifra të tilla i kanë vlerësuar si alarmante.



XS
SM
MD
LG