Ndërlidhjet

logo-print

CIA DËRGON MË SHUMË AGJENTË NË IRAK


Los Angeles Times

Gjatë javëve të fundit Agjencia Amerikane e Inteligjencës CIA ka filluar ngritjen e një trupi shtesë për t'i dërguar në Irak, i cili besohet se e kalon disa herë numrin e ekipeve që kjo agjenci ka dërguar zakonisht në vendet e pas luftës. Në mesin e këtij grupi ka ekspertë kundër terrorizmit, oficerë të specialiteteve të ndryshme si dhe një numër relativisht të vogël të zyrtarëve të lartë që janë përgjegjës për operacionet e fshehta.
Ky hap shkruan Los Angeles Times, erdhi në një kohë kur shërbimet e inteligjencës janë të shqetësuar për pamundësinë e tyre për të hyrë në brendësi të një kryengritjeje që po vazhdon prej muajsh dhe që ka shkaktuar vdekjen e qindra ushtarëve amerikanë.
Njëherësh sipas shkrimit në fjalë ky hap i CIA-s mund të shihet edhe si përgjigje ndaj kritikave se agjencia nuk po bën sa duhet. Por nga ana tjetër përkon edhe me iniciaitvën për ngritjen e shërbimit irakian të inteligjencës.
Megjithatë vazhdon më tej shkrimi, detyra parësore e punonjësve të CIA-s në Irak do të jetë identifikimi i drejtuesve të rezistencës kundër forcave të koalicionit dhe civilëve irakianë. Roli i CIA-s bëhet i rëndësishëm në këtë moment edhe për faktin se ndonëse shumica e njerëzve kryesorë të rregjimit të rrëzuar janë kapur, rrezikun më të madh e paraqesin besnikët e Sadam Huseinit që nuk kanë pasur ndonjë pozitë të posaçme në hierarkinë e dikurshme, si dhe luftëtarët e huaj që kanë hyrë në Irak, një pjesë e të cilëve ka lidhje me Al-Kaidën. Megjithatë shkruan më tej Los Angeles Times, ka edhe dyshues lidhur me hapat e fundit të Agjencisë.
Në Irak, citon gazeta një ish oficer të CIA-s me përvojë në këtë vend, është shumë e rrezikshme për perëndimorët, ndaj futja në komunitet dhe marrja e informacioneve është pothuajse e pamundur. Nga ana tjetër vazhdon i njëjti oficer, derisa oficerët e CIA-s do të jenë të detyruar të lëvizin për të mbrojtur ushtarët, ata nuk mund të realizojnë asnjë takim sekret. Më tej Los Angeles Times, duke cituar një veteran të CIA-s, shkruan se sërish sa i përket informacioneve të inteligjencës do të varemi nga vullnetarët apo nga përgjimet e rëndomta përreth.
Nga ana tjetër vazhdon shkrimi, ndonëse ka pasur brenda CIA-s vullnetarë për të shkuar në Irak, sërisht atmosfera në Agjenci i ngjan asaj të viteve '70, kur rregulli i pashkruar ishte " mos e përmend fjalën Vietnam, nëse nuk do ta shohesh veten në aeroplan për atje".
Megjithatë përpjekjet për të ngritur shërbimin sekret irakian vazhdojnë, ndonëse shoqërohen me shumë vështirësi nga të cilat më e madhja duket identifikimi i ish-punonjësve të shërbimit të dikurshëm sekret, të cilët mund të rehabilitohen dhe të jenë të besueshëm.

XS
SM
MD
LG