Ndërlidhjet

MOORE:"JETËSIMI I STANDARDEVE PAVARËSON KOSOVËN"


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, parlamenti i Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e të gjitha ligjeve të Serbisë që janë sjellë në periudhën 1989-'99. Por shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri ka thënë se ky vendim është i pavlefshëm dhe jofuqiplotë. Si i shihni ju këto çështje?

PATRICK MOORE
Nuk jam jurist dhe nuk kam kualifikimin e duhur për të gjykuar saktësinë e ligjeve, por më lejoni të them, që është shumë e rëndësishme që funksionet e pushtetit të barten sa më shumë që të jetë e mundur nga autoritetet e caktuara ndërkombëtare tek autoritetet e zgjedhura kosovare. Por, më duhet të them me sinqeritet që kur dëgjova lajmin për vendimin e Kuvendit ai më habiti. U desh një kohë kaq e gjatë, duke ditur që Kosova u çlirua në qershor të vitit 1999, për të shfuqizuar legjislacionin e epokës së Millosheviçit. Mendoj se duhet të ishte bërë shumë kohë më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë është miratuar plani i quajtur "Standardet për Kosovën". Ato janë pranuar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, por janë hedhur poshtë nga serbët e Kosovës dhe nga Beogradi. Çfarë tregojnë këto reagime?

PATRICK MOORE
Kjo është shumë e qartë dhe shumë e parashikueshme. Shqiptarët kanë dashur prej kohësh një plan të detajuar, pasi kjo do të përshpejtonte procesin e sqarimit të standardeve dhe të përgatiste rrugën drejt arritjes së pavarësisë. Mendoj se të gjitha partitë politike janë të pajtimit që qëllimi është pavarësia dhe deri atëhere është e qartë që do ketë mungesë sigurie, probleme të cilat nuk do mund të manaxhohen, gjithnjë përderisa njerëzit nuk do ta kenë të qartë se në çfarë drejtimi po ecin gjërat. Kur flas për problemet kam ndërmend çështjen e sigurisë, pakicat etnike, krimin, korrupsionin, privatizimin dhe të gjitha këto duan qartësi dhe qartësia do vijë përmes standardeve që do sjellin pavarësinë. Edhe reagimi i serbëve është njësoj i parashikueshëm. Si serbët e Kosovës ashtu dhe qeveria në Beograd e dinë që këto standarde, tani që janë të qarta, në mënyrë shumë të mundshme mund të çojnë drejt pavarësisë më shpejt sesa mendohej. Pra, çfarë bëjnë serbët lokalë dhe politikanët e Beogradit? Përpiqen t'i zvarritin gjërat, në mënyrë që të luhet me kohën. Mund t'i kuptoj arsyet për një qëndrim të tillë, por më e mira e të mirave për të gjitha palët, është ecja përpara dhe jo të shmangja ose zhagitja e asaj që ne e dimë se do ndodhë herët apo vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, edhe një pyetje: java që e lamë pas është karakterizuar me deklaratën e Harri Holkerit në të cilën ai ka ftuar Beogradin që të mos mbështesë strukturat paralele në Kosovë.


PATRICK MOORE
Siç e sugjerova mendoj se është mirë për gjithsecilin që njerëzit të lenë mënajnë zvarritjen e ndryshimeve dhe të ecin përpara me gjërat. Dhe njëra nga gjërat e cila duhet të hiqet janë strukturat e vjetra paralele, që në thelb janë trashëgimi e administratës së vjetër serbe. Eleminimi i strukturave paralele mendoj se do të ndihmonte serbët që të integrohen në jetën politike të Kosovës dhe do t'i mësonte ata të drejtohen në Prishtinë për zgjidhjen e problemeve të tyre, dhe jo në Beograd. Dhe na kujtohet se para n jë viti ishte Zoran Gjinxhiç, që i tha peshkopit Artemie se problemet e Kosovës do të zgjidhen në Kosovë dhe jo në Dedinje. Dhe mendoj se kjo duhet të kujtohet dhe të përsëritet. Gjithashtu heqja dorë nga strukturat paralele do të ndihmonte serbët e Serbisë të përqëndroheshin më shumë në problemet e tyre dhe të kishin paratë dhe burimet e tyre jo për mbajtur një projekt kolonialist në Kosovë, por për të zgjidhur problemet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera brenda për brenda Serbisë. Prandaj ajo që do thoja është që këto struktura paralele po i kushtojnë shumë para Serbisë, fonde që mund t'i përdornin në drejtime të tjera. Ruajtja e strukturave paralele vetëm inkurajon disa njerëz brenda komunitetit serb në Kosovë që të mendojnë se mund të kthejnë orën mbrapsh, dhe të kenë shpresa të rreme. Kjo mendoj nuk i ndihmon askujt. Ajo që duhet bërë është që të ecet përpara me procesin e dekolonizimit, të ecim përpara me procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e që do të thotë pavarësi për Kosovën dhe për Malin e Zi.
Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG