Ndërlidhjet

SHPK NJË NGA TË ARRITURAT MË TË MËDHA NË KOSOVËN E PASLUFTËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë ndihmuar ngritjen e Shërbimit Policor të Kosovës ka thënë sot shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries në fjalimin e saj para kadetëve të sapodiplomuar të klasës 27 të Shërbimit Policor të Kosovës. Zonja Ries bashkë me kryeministrin e Ksoovës Bajram Rexhepi e kanë quajtur SHPK-në të arriturën më të madhe në Kosovën e pasluftës dhe një institucion nga efektiviteti i të cilit varet edhe përmbushja e standardeve drejt statusit përfundimtar të Kosovës:
"Populli i Shteteve të Bashkura të Amerikës është i nderuar për rolin që ka luajtur për ndihmuar përgatitjen tuaj në akademinë policore të Kosovës," tha zonja Ries, duke shtuar se duke parë te 184 policët që diplomojnë sot, pasurinë dhe diversitetin e Kosovës, burrat dhe gratë, shqiptarët, serbët, boshnjakët dhe të tjerët duke shërbyer së bashku dhe duke punuar si një për një Kosovë më të mirë dhe më të sigurt për të secilin qytetar të saj. Ajo tha se SHPK është fytyra e drejtësisë në Kosovë dhe dora e sigurt për mbrojtjen kundër krimit.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se Shërbimi Policor i Kosovës është padyshim një nga të arriturat më të mëdha në Kosovën e pasluftës:
"Që nga ky moment jo do të jeni dhe duhet të jeni kërcënim për shkelësit e ligjit. Për më tepër secili nga ju që sot bëhet pjesë e pazëvendësueshme e sundimit të ligjit dhe e garantimit të të drejtave për të gjithë qytetarët e Kosovës," tha kryeministri Bajram Rexhepi, duke kërkuar nga policët e rinj që të respektojnë popullin, të cilit i shërbejnë dhe institucioneve të Kosovës, pavarësisht rrezikut me të cilin përballen policët gjatë kryerjes së detyrave të tyre:
"Në kryerjen e punës me përgjegjësi që e filloni sot do të jeni të udhëhequr nga parimi i respektimit të ligjit, eprorëve dhe institucioneve tuaja, njëri-tjetrit si pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe e Kosovës sonë të përbashkët. Nga efikasiteti juaj do të varet edhe realizimi i standardeve për Kosovën."
Me diplomimin e 184 kadetëve të SHPK-së, policia e Kosovës tani ka 6264 pjesëtarë, një përqindje e të cilëve janë pjesëtarë të pakicave. Në emër të klasës së 27 foli polici Adburrahim Gashi, duke e quajtur të madhe ditën kur ata do të jenë në terren për të ndihmuar qytetarët e Kosovës pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, që të punojnë dhe jetojnë të lirë dhe të sigurt.
Sot në Kosovë veprojnë më shumë se 6 mijë policë vendorë përkatësish të ndryshme kombëtare, krahas rreth 4000 policëve ndërkombëtarë si pjesë e policisë së Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që zyrtarë të policisë së UNMIK-ut kanë filluar tashmë bartjen e përgjegjësive tek SHPK në disa stacione të policisë anekënd Kosovës.




XS
SM
MD
LG