Ndërlidhjet

KUSH ISHTE SADDAM HUSSEINI


KATHLEEN KNOX

Sadadm Husseini, që rrjedh nga një familje e varfër, u shndërrua në një nga liderët më të frikshëm të botës. Por me invazionin e sivjemë, sundimit të tij 25-vjeçar i erdhi fundi.
Në vitet e hershme të 60-tave, Ahmad Al-Rikaby ishte arrestuar në Irak pas një grushtshteti të dështuar. Në qelinë fqinje në burg gjendej njeriu i quajtur Saddam Hussein, një person i qetë me sjellje të mirë, që zakonisht u bënte kafe shokëve të burgut. Por Al-Rikaby kujtohet se ky njeri nuk ngurronte ti kërcënojë të burgosurit tjerë.
Një ditë, në burg shpërtheu përleshja ndërmjet fraksioneve rivale të partisë Baath, e cila ishte rrëzuar nga pushteti vetëm disa muaj, përpara se të hipte përsëri me grusht shtet në vitin 1963. Gardianët filluan ti kërkojnë nxitësit e trazirave të japin shpjegimin. Askush nuk u pëgjigj. Al-Rikaby kujton: "Gardianët pyetën përse askush nuk përgjigjet. Pastaj të gjithë njëzërit thanë: Shoku Saddam, a do përgjigjesh ti. Saddami foli dhe tha: Ne jemi revolucionarë, por kur do të kthehemi në pushtet, do të jepni llogari", kujton Al-Rikabi.
Në një rast tjetër, rojet e burgut e kishin marrë Al-Rikabin në zyrë dhe e kishin akuzuar se i ka nxitur trazirat.
"Kur u ktheva Saddami më pyeti: Çfarë të bënë. I thashë se dikush i kishte informuar. Saddami filloi të qeshë dhe më tha se ai i kishte njoftuar. Në këtë mënyrë ai përpiqej të fitojë besimin e gardianëve për të kuptuar se çfarë po ndodh në udhëheqësinë e burgut", vazhdon Al-Rikaby.
Këto dy anekdota të Al-Rikaby flasin për vitet e hershme të Saddamit, liderit të ardhshëm i cili e sundoi Irakun me frikë, tortura dhe ekzekutime. Por ky sundim kollapsoi këtë vit, pasi tanket amerikane hynë në Bagdad dhe forcat e koalicionit i morën pozitat nëpër tërë vendin.
Saddami ka lindur në prill 1937 në një familje të varfër afër Tikritit. I ati kishte vdekur para se të lindë, kurse njerku e kishte keqtrajtuar shumë.
Jetën politike e filloi në Bagdad në vitet e 50-ta kur iu bashkangjit partisë Baath, apo partisë së Ripërtrirjes, e cila synonte bashkimin e botës arabe.
Në 1959 mori pjesë në atentatin ndaj gjeneralit Abd-Al-Karim Qasim, i cili një vit më parë e përmbysi monarkinë të vendosur nga britanikët. Atentati dështoi, ndërsa Saddami u largua nga vendi. Nga Egjipti u kthye në vitin 1963 kur partia Baath erdhi në pushtet.
Tariq Aziz, zëvendës kryeministër i Saddamit, ka thënë se në ato vite, Saddami i ka shërbyer me sukses liderit të partisë Ahmed Hassan Al-Bakr. Kur al-Bakr u bë president në vitin 1968, Saddamin e emërtoi zëvendësin e tij.
Më 1979 ai e shfrytëzoi rastin. Me një grushtshtet e detyroi ish presidentin të tërhiqet për arsye shëndetësore. Po atë vit, në Iranin fqinj revolucioni islamik e përmbysi Shahun. Marrëdhëniet mes dy vendeve u ftohën. Një vit më vonë, Iraku sulmoi, duke nisur kështu një luftë 8 vjeçare, që e dërmoi vendin e varfëruar.
Ndërkohë lidhjet e Saddamit me perëndimin u përmirësuan, nga droja se revolucioni islamik mund të përhapej në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e mbështetën Irakun me shpresë se Bagdadi do të mund të ndalë Teheranin, dhe e mbyllnin njërin sy për gazrat kimike që Saddami u hidhte kurdëve dhe ushtarëve iranianë.
Ish ambasadori britanik në Irak John Moberly disa herë e kishte takuar Saddamin në vitet e 80-ta.
"Përnjëherë nuk ndjeni se ai është një person i urryer. Nuk duket i tillë kur flet me zyrtarët apo ministrat. Por mendimi ju ndryshon kur shihni se me çfarë vrazhdësie i trajton jetët e njerëzve", thotë Moberly.
Lufta shkatërrimtare me Iranin u pasua me invazionin në Kuvajt.
"Iraku shënoi fitore ndaj kundërshtarëve të popullit arab. Iraku do të shënojë fitore në të gjitha drejtimet", tha atëherë Saddam Husseini.
Pas disfatës në luftën e Gjirit në vitin 1991, mbeti mister përse Saddami refuzonte të bashkëpunojë me inspektorët e Kombeve të Bashkuara. Moberly thotë:
"Ai sigurisht kishte ambicje të bëhet lider i arabëve në shekullin e ri, ta tejkalojë presidentin e Egjiptit Naserin, dhe ndoshta të krahasohet me Salajdinin e mesjetës, i cili luftoi kundër kryqëzatave. Ai kishte ambicje të shihet si figurë heroike", përfundon Moberly.
XS
SM
MD
LG