Ndërlidhjet

SADDAM HUSSEINI U GJET I FSHEHUR NË NJË VRIMË


MARK BAKER

Ish lideri i përmbysur irakien Saddam Hussein, i cili mbi 8 muaj ishte arratisur, është kapur në afërsi të qytetit Tikrit. Ai tani gjendet nën arrestin e forcave të koalicionit dhe raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Lajmi për arrestimin e tij u konfirmua në një konferencë emocionale për shtyp që e dhanë komandanti i ushtrisë ameikane Ricardo Sanchez dhe administratori Paul Bremer.
Ish lideri irakien Saddam Hussein u arrestua pas bastisjeve që një natë më parë u bënë në qytetin Tikrit. Saddami u gjet i fshehur në një vrimë në tokë, e kamufluar me baltë.
Bremer dukej shumë i lumtur kur e kumtoi lajmin për arrestimin.
"Zonja dhe zotërinj, e kapëm..., tha Bremer.
Ai dhe komandanti i ushtrisë amerikane në Irak Ricardo Sanchez, i rikujtuan detajet e operacionit që sollën deri te arrestimi i Saddamit. Për operacionin e koduar "Agimi i Kuq", gjenerali Sanchez tha.
"Mbrëmë rreth orës 8 sipas kohës lokale, forcat e divizionit të 4-të të këmbësorisë, bashkë me forcat speciale të koalicionit, e zhvilluan operacionin "Agimi i Kuq" për kapjen e ish diktatorit të Irakut Saddam Hussein", tha gjenerali Sanchez.
Ai tha se njësiti bastisi dy lokacione afër Tikritit, duke u mbështetur në inteligjencën dhe hetimet. Bastisjet kishin dështuar, por ushtarët më pas e kishin rrethuar tërë zonën për të bërë kërkime më të përimta.
Sanchez tha se forcat e tij kishin hetuar një strukturë të dyshimtë prej balte. Pastaj kishin zbuluar një strehimore nën tokë, të cilën Sanchez e quajti "vrimë të merimangës". Ky ishte vendi ku fshehej Saddami.
"Vendi ishte një strehimore e vogël e mbuluar me strukturë metali dhe baltë. Hyrja ishte kamufluar me tulla dhe mbeturina. Pas kërkimit, Saddamin e gjetëm të fshehur në fund të vrimës", tha Sanchez.
Saddam Husseini tani gjendet i arrestuar në një lokacion të panjohur. Raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.
"Nuk kishte kurrfarë lëndimesh, dhe në fakt nuk u shkrep asnjë plumb. Saddam Husseini fliste dhe bashkëpunonte", tha Sanchez, duke shtuar se forcat e koalicionit zbuluan edhe gjëra tjera.
"Bastisja rezultoi me gjetjen e dy automatikëve AK-47, një pistolete, 750 mijë dollarëve në banknota 100 dollarëshe, dhe një taksie. Gjithashtu u arrestuan edhe dy bashkëpunëtorë të Saddam Husseinit", tha Sanchez.
Saddami 8 muaj iu shmang arrestimit. Suksesi i tij besohet se e ka nxitur rezistencën kundër forcave të koalicionit në Irak, ku mesatarisht në 35 sulmet në ditë, u vranë dhjetra ushtarë. Gjenerali Sanchez tha se nuk pret që sulmet të përfundojnë, ndërsa administratori Paul Bremer e quajti arrestimin e Saddamit "ditë të madhe" për Irakun.
"Kjo është ditë e madhe në historinë e Irakut. Me dekada të tëra, qindra dhe mijëra irakienë vuajtën nga ky njeri i lig. Dekada të tëra, Saddam Husseini i përçau njerëzit kundër njëri-tjetrit, iu kërcënua dhe i sulmoi fqinjët", tha Bremer.
Fati i Saddam Husseinit mbetet i paqartë. Ai pritet të mbetet nën arrestin e forcave amerikane derisa të gjykohet për krime të luftës. Irakienët bëjnë presion që ai të gjykohet nga një tribunal i Irakut.
XS
SM
MD
LG