Ndërlidhjet

logo-print

ZËNIA E SADAMIT NUK ËSHTË FUNDI I DHUNËS NË IRAK


Ndërsa imazhet e zënies së Sadam Huseinit flasin për një njeri të zhgënjyer dhe të mposhtur, shumë liderë në Shtetet e Bashkuara dhe Irak janë duke ftuar kryengritësit irakienë që tani gjithashtu të pranojnë disfatën.
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, tha se arrestimi i Sadamit është esencial për ndërtimin e një Iraku të ri dhe se u jep fund shpresave të kujtdoqoftë për rikthimin e ish – regjimit në pushtet:
"Zënia e këtij njeriu është esenciale për bërjen e Irakut të lirë. Ky akt shënon fundin e tij dhe të atyre që kanë vrarë në emër të tij", tha presidenti Bush, disa orë pas arrestimit të Sadamit.
Edhe liderët politikë të Irakut thonë se arrestimi i Sadam Huseinit paraqet kthesë në përpjekjet për rivënien e sigurisë në vend.
Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshiar Zebari ka thënë se Sadami shërbente si inspirim për kryengritësit dhe se arrestimi dhe gjykimi i tij i shpejtë do të privojë kryengritësit nga kauza për të cilën kanë luftuar:
"Fuqimisht besoj se ky akt do të ketë efekt dramatik demoralizues te mbështetësit e Sadamit, sepse tani ata mbetën pa inspirim ideologjik", ka thënë Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshiar Zebari.
Sidoqoftë, analistët thonë se pavarësisht nga goditja psikologjike që ka shkaktuar arrestimi te kryengritësit, megjithatë nuk duhet pritur ndalja e menjëhershme e sulmeve ndaj forcave amerikane dhe aleatëve.
Gjenerali amerikan Raj Odierno ka thënë se Sadami është zënë pa telefon mobil ose mjete të tjera komunikimi, ka qenë i çorientuar, me vete ka patur një pistoletë dhe gjatë këtyre muajve ka ndërruar së paku 30 vendstrehime. Duke pasur parasysh këtë fakt mbetet dilemë e pa zbërthyer nëse Sadami në këto rrethana ka pasur ndikim te kryengritësit.
Xhonatan Stivenson, ekspert britanik i çështjeve të terrorizmit, thotë se rrethanat e zënies së Sadamit, sugjerojnë se ai nuk ka pasur rol të drejtëpërdrejtë në komandimin dhe drejtimin e kryengritjes:
"Nga rrethanat e zënies shihet qartë se ai nuk ka pasur kontroll ndaj kryengritësve. Kjo dëshmon se atje janë disa të tjerë që kanë marrë në duart e veta lidershipin operacional", thotë Stivenson për të vazhduar:
"Njerëzit që kanë nisur kryengritjen, ose shumica e tyre, me gjasë janë loajalistë të Sadamit. Por, në mesin e tyre mund të ketë edhe të atillë që rënien e Sadamit nuk e konsiderojnë fund të ndërmarrjes së tyre", konkludon Stivenson.
Ky analist britanik vlerëson se kryengritësit në rradhët e veta kanë loajalistë të Sadamit, por edhe militantë islamikë që kanë ardhur nga jashtë në Irak dhe që sulmet ndaj forcave amerikane i shohin si pjesë e një lufte më të gjërë kundër Shteteve të Bashkuara. Ai madje pohon se militantët e xhihadit mund të konkludojnë se arrestimi i Sadamit mund t'u ofrojë hapësirë edhe më të gjërë për kryengritje:
"Mund të ndodhë që xhihadistët e jashtëm, arrestimin e Sadamit ta cilësojnë si moment që ata t'i marrën gjërat në duart e veta", thotë Stivenson.
Madje edhe vetë zyrtarët e lartë amerikanë e pranojnë se arrestimi i Sadamit nuk do të thotë përfundim i dhunës në Irak. Këshilltarja për Siguri Kombëtare Kondoliza Rajs në këtë kontekst thotë:
"Kjo është një betejë që do të vazhdojë", ka thënë Kondoliza Rajs.
XS
SM
MD
LG